Arber Zaimi

Archive for the ‘Ese’ Category

Teshtimë prej kokëpalari

In Artikuj, Ese, Uncategorized on 31 Gusht, 2012 at 15:08

Arbër Zaimi

Family (A Child Shall Lead Them), 1932 – George Grosz

Ftohma njeriun e kap me kollë e me teshtima, e këto janë të bezdisshme, të zhurmshme, mund t’ia ngjisin virusin të tjerëve, ndaj kërkush s’ka qejf të rrijë gjatë me kë teshtin a kollitet. I sëmuri, fillimisht synon ta zgjidhë problemin me vetveten. Për të mos vënë në siklet të tjerët, ja rri në shtëpi e izolohet, ja përpiqet ta zbusë kollën me ndonjë shurup a çaj të nxehtë, ndërsa teshtimat i mbyt duke zhytur hundët në shami e duke bërë lloj-lloj marifetesh (duke mbajtur frymën, duke pickuar majën e hundës e të tjera gjëra qesharake, si këto).

Mirëpo historia (magistra vitae) rrëfen faktin imponues, që teshtimat e kollitjet kanë vazhduar, pavarësisht marifeteve e shurupeve. Afërmendsh, nuk mjaftojnë hiletë për ta ndaluar përgjigjen reflektive të organizmit ndaj shqetësimeve të brendshme, në këtë rast viruseve që shkaktojnë të flamosurën ftohmë. Duhet tjetër zgjidhje.

Një zgjidhje qesharake do të qe receta e tiranit, një dikush arrogant që synon të shmangë menjëherë bezdinë. E tillë zgjidhje do të qe psh. lëshimi i një urdhri për të ndaluar me dhunë kollën e teshtimat, apo për t’i kërcënuar, rrahur e përzënë autorët e këtyre gjesteve bezdisëse. Po sot zor se gjen njerëz kaq të trashë e të pasjellshëm (apo ndoshta gjen?) sa të lëshojnë të tillë urdhra, e sërish kjo nuk e ndalon as kollën e as teshtimën. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Shtojcë: Çmagjepsja prej së ardhmes

In Ese, Përkthime, Prozë on 12 Qershor, 2012 at 13:21

Clairvoyant’s Daughter II, 2003 – Gary Slipper

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Shtojcë

A. Historicizmi ndihet i kënaqur kur vendos një lidhje shkakësie mes momenteve të ndryshme të historisë. Mirëpo asnjë realitet faktik nuk shndërrohet – thjesht pse gëzon cilësitë e shkakut – në fakt historik. Fakti bëhet historik vetëm pasi ka vdekur, nën veprimin e ndodhive që mund të jenë të ndara me mijëvjeçarë të tërë nga vetë fakti. Historiani që niset prej këtij konstatimi nuk i lejon më rrjedhat e ngjarjeve t’i kalojnë nëpër gishtërinj si rruzarë (tespihe). Ai kap konstelacionin që formon epoka e vet teksa përziehet me një aksh epokë të së shkuarës. Kështu, ai themelon një koncept të së tashmes si koha e “bash-tashit” [Jetztzeit], stërpikur me grimca prej kohe mesianike.

B. Natyrisht që falltarët, të cilët e pyesnin kohën duke u rrekur të mësonin se çfarë fshihte në gji, nuk e perceptonin atë si kohë homogjene e boshe. Ai që e mban parasysh këtë shembull, ndoshta mund ta krijojë një ide për mënyrën se si perceptohet koha e shkuar si përkujtim: bash në këtë mënyrë. Ne e dimë që hebrenjve u ishte ndaluar të parashihnin të ardhmen. Torahu dhe lutjet, si kundërpeshë, u mësuan atyre përkujtimin. Kjo i çliroi ata prej magjepsjes nga e ardhmja, pre e së cilës bien gjithë ata që marrin këshilla prej falltarëve. Por e ardhmja nuk ishte aspak një kohë homogjene dhe boshe në sytë e hebrejve. Sepse te e ardhmja, në secilin çast, gjendet ajo porta e ngushtë prej nga mund të hyjë Mesia.

Përktheu Arbër Zaimi

Teza XVIII: E pesta e sekondës

In Ese, Përkthime, Prozë on 7 Qershor, 2012 at 03:48

Tre luftëtarë, rreth 12000 pes. – Piktorë Magdalenianë

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza XVIII

“Pesëdhjetë mijëvjeçarët e shkretë të homo sapiensit” – shkruan një biolog modern – “përballë historisë së jetës organike në tokë qëndrojnë në raport diçka si dy sekondat në fund të një dite prej njëzet e katër orësh. Në këtë shkallë, gjithë historia e qytetërimit njerëzor do të mbushte vetëm një të pestën e sekondës së fundit në orën e fundit”. Koha e bash-tashit, që si model i kohës mesianike rimerr në një përmbledhje madhështore historinë e krejt njerëzimit, koincidon saktësisht me pjesën që zë në univers historia e njerëzimit.

Përktheu Arbër Zaimi

Teza XVII – Ngurosja e çastit

In Ese, Përkthime, Prozë on 3 Qershor, 2012 at 20:26

Josué arrêtant le soleil, 1742-43 – Joseph-Marie Vien

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza XVII

Po të ecë drejt historicizmi kulmon në histori universale [Universalgeschichte]. E prej kësaj dallon ndoshta më qartësisht se prej çdo gjëje tjetër historiografia materialiste, sa i përket metodës. Historisë universale i mungon armatura teorike. Ajo zhvillohet përmes grumbullimit: mbledh një masë faktesh që të mbushë kohën homogjene e të zbrazët. Historiografia materialiste, në anë të kundërt, themelohet mbi një princip konstruktiv. Mendimi nuk zhvillohet veç si lëvizje e ideve, po edhe si ngrirje, si ngurosje e tyre [Stillstellung]. Aty ku mendimi ngrin i beftë, brenda një konstelacioni stërmbushur me tensione, këtij të fundit i jep një goditje që e kristalizon në monadë. Historiani materialist nuk i avitet objektit historik për sa kohë ky ende nuk i është paraqitur si një monadë. Në këtë strukturë ai njehson shenjën e ngurosjes mesianike të gjithë ndodhive, e thënë ndryshe, shenjën e një mundësie revolucionare në luftën për të shkuarën e shtypur. E kap këtë shans në mënyrë që të shkëpusë një epokë të caktuar prej tragës homogjene të historisë; e nxjerr një jetë të përveçme prej një epoke; e nxjerr një akt të përveçëm prej veprës së një jete. Rezultati i kësaj procedure është se në aktin e përveçëm ruhet e përnaltësohet [aufgehoben] vepra e një jete, në jetën e përveçme ruhet e përnaltësohet epoka, e në epokë ruhet e përnaltësohet gjithë traga e historisë. Fruti ushqyes i konceptimit historik përmban në thelbin e vet kohën, si një farë të çmuar por pa shije e pa aromë.

Përktheu Arbër Zaimi

Teza XVI: Në bordellon e historicizmit

In Ese, Përkthime, Prozë on 2 Qershor, 2012 at 15:27

Les Demoiselles d’Avignon, 1909 – Pablo Picasso

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza XVI

Prej konceptit të së tashmes që s’është çast kalimtar, po një kohë e ndalur dhe e bllokuar, materialisti historik nuk bën të heqë dorë. Sepse një koncept i tillë e përkufizon drejt atë të tashme në të cilën, për hesap të vet, ai shkruan historinë. Historicizmi kompozon një imazh “të përjetshëm” të së shkuarës ndërsa materializmi historik skicon eksperiencën unike të takimit me të. I lë të tjerët të shpërdorojnë forcat me kurvën e quajtur “na ishte një herë” në bordellon e historicizmit. Dhe mbetet zot i fuqive të veta: mjaftueshëm burrëror për ta shpërthyer tragën e vijueshmërisë të historisë.

Përktheu Arbër Zaimi

Teza XV: Plumba mbi sahat

In Artikuj, Ese, Përkthime on 1 Qershor, 2012 at 16:33

The persistence of memory, 1939 – Salvador Dali

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza XV

Në momentet e aksionit, vetëdijësimi për ta shpërthyer tragën e vijueshmërisë historike i përket klasave revolucionare. Revolucioni i Madh solli një kalendar të ri. Dita kur përurohet një kalendar i ri funksionon si përshpejtues i historisë. E në fund të fundit kjo është e njëjta ditë që kthehet e rikthehet pandalim nën formën e ditëve festive, që janë ditë përkujtimore. Pra kalendarët nuk e masin kohën ashtu siç bëjnë orët. Ato janë monumente të një vetëdije historike, së cilës duket se i kanë humbur gjithë gjurmët në Evropë që prej 100 vjetësh, vetëdije që u shfaq edhe një herë në një episod të Revolucionit të Korrikut. Kur ra mbrëmja e parë gjatë betejave – në shumë vende të Parisit, njëkohësisht por pa koordinim paraprak – njerëzit qitën plumba në orët nëpër kulla. Një dëshmitar okular, që ndoshta ia detyron përjetësimin e vet rimës shkruajti:

“Qui le croirait! On dit

qu’irrités contre l’heure,

De nouveaux Josués,

au pied de chaque tour.

Tiraient sur les cadrans

pour arrêter le jour.”

 

“E kush do ta besonte

Se në mëri me orën

Ca Jozue të rinj

Në kulla, me inat

Për ta ndaluar ditën

Qitën përmbi sahat”

Përktheu Arbër Zaimi

Teza XIV: Hop revolucionar në të shkuarën

In Ese, Përkthime, Prozë on 31 Maj, 2012 at 14:24

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza XIV

Origjina është synimi

Ursprung ist das Ziel

Karl Kraus Worte in Wersen I (Fjalë në Vargje)

Nunc Stans, 1965 – Jean Dubuffet

Historia është objekt i një konstruksioni që nuk shtrihet në kohën e zbrazët e homogjene, por në kohën e përplotë të “bash-tashit” [Jetztzeit]. Kështu, për Robespierre-in, Roma e lashtë qe një e shkuar e mbarsur me “bash-tash”, të cilën ai e shkulte prej tragës së vazhdueshme [continuum] të historisë. Revolucioni francez e mendonte vetveten si një Romë e kohës së tashme. E citonte Romën e lashtë njësoj si moda që risjell në jetë ndonjë kostum të së shkuarës. Moda ka një nuhatje për aktualen, kudo që ajo gjëllon në bjeshkët e së shkuarës.  Moda është një brofje prej tigri përmbi të shkuarën. Vetëm se kjo ndodh në një arenë të kontrolluar nga klasat sunduese. I njëjti hop, por në qiellin e çelur të historisë, është hopi dialektik, ashtu si e kish konceptuar revolucionin Marksi.

Përktheu Arbër Zaimi

Teza XIII: Determinizmi socialdemokrat

In Ese, Përkthime, Prozë on 29 Maj, 2012 at 14:48

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza XIII

Çdo ditë e më shumë çështja jonë qartësohet

çdo ditë e më shumë populli po bëhet i mençur

Joseph Dietzgen, Filozofia Socialdemokratike

Man at the Crossroads, 1933 – Diego Rivera

Në teorinë, po sidomos në praktikën e saj, socialdemokracia është udhëhequr prej një koncepti të progresit që nuk përputhej me realitetin, por që kishte pretendime dogmatike. Progresi, siç përvijohej në mendjet e socialdemokratëve, na paskësh qenë një përparim i vetë njerëzimit (jo veç përparim i aftësive dhe dijeve të tij). Së dyti, progresi na qenka diçka që nuk mbaron kurrë (diçka që i korrespondon përmirësueshmërisë të pafundme të njerëzimit). Së treti, progresi njehsohet si diçka në thelb e pandalshme (si diçka që vetëvepron, dhe ndjek një tragë të drejtë apo spirale). Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Teza XII: Imazhi i gjyshërve dhe ideali për nipërit

In Ese, Përkthime, Prozë on 28 Maj, 2012 at 16:47

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza XII

Chicago – after work on the blue line train, 2009 – Marlena Yurukova

Ne kemi nevojë për historinë, por nevoja jonë është e ndryshme nga ajo e bjerrakohësve që lazdrohen në kopshtijen e dijes.

Nietzsche, Mbi Dobinë dhe Dëmin e Historisë ndaj Jetës

Subjekti i njohjes historike është vetë klasa e shtypur që lufton. Te Marksi ajo shfaqet si e fundmja klasë e skllavëruar, që dëshiron të hakmerret edhe ta çojë deri në fund punën emancipuese, në emër të gjithë brezave të nënshtruar. Kjo ndërgjegje – që u bë e ndjeshme gjatë një periudhe të shkurtër tek “Lidhja e Spartakut” [grupi spartacist që u bë pararendës i Partisë Komuniste Gjermane] – e kundërshtonte  socialdemokracinë që prej momentit nistor. Brenda tre dekadave ajo mbërriti ta shuante thuajse tërësisht emrin e Blanqui-së, sokëllimat [Erzklang] e të cilit e kishin bërë të dridhej gjithë shekullin pararendës. Spartacistët u kënaqën duke i dhënë klasës punëtore rolin e shpëtimtarit të brezave të ardhshme. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 4 703 ndjekësve të tjerë