Arber Zaimi

Eksportojmë trupa, importojmë tru

In Artikuj on 27 Shkurt, 2012 at 02:33

Qëllon shpesh që shqiptarët e rinj, shumica e atyre që po jetojnë dekadën e dytë a të tretë të jetës së tyre e gjejnë veten para një dileme shumë të madhe: Të shkojnë jashtë shtetit që të zhvillojnë potencialin e tyre fizik e shpirtëror, që të ndjekin talentet e vokacionet e tyre e që të mbërrijnë një mirëqenie ekonomike; apo të rrinë në atdhe, pranë njerëzve që duan, pranë familjes së tyre, pranë qytetit, apo shoqërisë. Dilemë e dhimbshme kjo, për të ardhmen individuale të sakrifikosh të ardhmen shoqërore. Dilemë që jo rrallë rezulton në vendimin për të braktisur qytetarinë si një projekt i përbashkët, e të shkosh në emigracion për t’u përballur me procese të integrimit individual, apo siç do të quhej në gjuhë sociologjike, procese të tëhuajësimit.

Shumë prej të rinjve, thuajse të gjithë ata që e kanë mundësinë financiare a familjare – kanë zgjedhur të ndjekin pikërisht ndërtimin e të ardhmes individuale jashtë vendit, duke sakrifikuar të ardhmen e përbashkët këtu.

“Liria për t’u larguar nga vendi fizikisht edhe si trup sot paraqitet në fakt si kusht i domosdoshëm për sukses individual, për t’u shquar” shkruan Hysamedin Feraj te libri i tij “E pafilozofuara”. I njëjti autor rrëfen një të vërtetë që bie në sy lehtë – për kë ka sy: sukseset e shumicës së shqiptarëve të shquar, me të cilët ne mburremi, janë suksese të këtij lloji, suksese të emigrantëve, suksese trupash të eksportuar prej atdheut të cilët janë zhvilluar diku tjetër, ia kanë shtuar vlerën vetes në struktura shtetërore të vendeve të tjera, në ushtri të huaja, në akademi të huaja, në industri të huaja, në ekipe sportive të huaja apo në skena të huaja të artit. Ne të gjithë e njohim listën me perandorë ilirë a shqiptarë të perandorive romake e bizantine, të gjithë i njohim aftësitë administrative të vezirëve e pashallarëve në perandorinë osmane, të gjithë e njohim aftësinë luftarake të shqiptarëve mercenarë në ushtritë e perëndimit e të lindjes, ashtu siç njohim sot me dhjetëra shkencëtarë, sportistë, artistë, apo individë të shquar në fusha të ndryshme. Thuajse të gjithë janë shquar gjetiu, e jo në atdheun e tyre që i ka “eksportuar” – nëse mund ta bëjmë këtë metaforë – i ka eksportuar si trupa, në vlerën e tyre minimale, i ka eksportuar si potencial të pazhvilluar, duke i detyruar të ikin që të zhvillohen diku tjetër.

Sot Shqipëria e Kosova kanë qindra mijëra (ndoshta mbi një milion) shtetas të tyre (jo ish-shtetas, se numri rritet edhe më shumë) që jetojnë në diasporë, apo në emigracion. Jo të gjithë janë individë të shquar, shumica dërrmuese e tyre janë eksportuar si krah pune. Punëtorë ndërtimi, punëtorë transporti, punëtorë teknikë, nëpër fabrika, nëpër supermarkete të perëndimit. Gjithë kjo energji që është duke kontribuar në ndërtimin e mirëqenies së tyre individuale, në të njëjtën kohë, madje më shumë, kontribuon edhe në mirëqenien kolektive të vendeve ku janë. Natyrisht, për eksportimin e këtyre trupave të pazhvilluar, Kosova e merr një çmim, e ato janë remitancat. Për pasurinë më të madhe marrim çmimin më të ulët. Remitancat janë çmimi më i ulët që mund të merrej për një aset kaq të rëndësishëm sa’ç janë njerëzit, “pasuria më e rëndësishme” që kemi, siç thonë politikanët.

Ndërkohë që ne eksportojmë studentë e punëtorë për shkak të pamundësisë strukturore, për shkak të mungesës së sistemeve arsimore, akademike, sportive, kulturore, artistike – struktura të domosdoshme që një organizim shoqëror të quhet shtet – çfarë importojmë?

Importi kryesor i Shqipërisë dhe i Kosovës, çprej imponimit të praktikave neoliberale, pra ç’prej sundimit të shtetit privat dhe bjerrjes së shtetit publik, ka qenë “truri”. Ky është importi kryesor edhe nëse flasim konceptualisht, po edhe nëse shkojmë te shifrat faktike – “truri”, dija e teknikat. Qindra miliona euro – prej buxhetit të Kosovës por edhe prej parave që ndërkombëtarët i konsiderojnë ndihma për këtë vend, shpenzohen për të sjellë në Kosovë grimca të njohurisë administrative, menaxhuese, arsimore e kulturore. Në Shqipëri ku rroga mesatare është 330 euro, një copë “tru” që është drejtori i CEZ paguhej 66000 euro. Pra 200 herë më shumë kushton copa e “trurit” të importit, se sa krahu i punës që po eksportojmë. Këto grimca të trurit të importuar janë të pamjaftueshme, të pakontrolluara (ato më tepër kontrollojnë e dominojnë), e aspak ndihmuese për të zhvilluar një projekt tonin publik, një shtet a një akademi tonën – e gjithsesi kushtojnë tepër shtrenjt.

Në terma njerëzorë ne eksportojmë produktin më të lirë, trupin e papërpunuar, dhe importojmë produktin më të shtrenjtë, mendjen edhe dijen. Natyrisht që të parin e eksportojmë me shumicë, e të dytin s’mund ta blejmë veç me pakicë, e jo të ndonjë cilësie të lartë.

Ju ftoj të shtrojmë së bashku pyetjen, pse ndodh vallë kjo? Pse shqiptarët edhe sot, në shekullin e XXI gjenden përballë detyrimit për të marrë rrugët e kurbetit? Pse para nesh vendoset detyrimi për të bërë një zgjedhje false dhe e padrejtë, të ardhmen individuale diku tjetër, apo atë shoqërore në vendin tonë? E drejtë do të kish qenë që të dyja mundësitë të na i ofronte vendi ku kemi lindur e ku duam të jetojmë, shoqëria në të cilën bëjmë pjesë.

Ka disa përgjigje të mundshme për këtë. Përshembull mund të thuhet se jemi një vend i vogël: mirëpo kjo përgjigje nuk është racionale. Vende më të vogla se ne sot gjenden në situatë shumë më të mirë. Dikush tjetër e sheh problemin tek historia, fakti që ne kemi patur një histori të dhimbshme plot shtypje e okupime, mirëpo dhe kjo përgjigje është e pamjaftueshme. Pse pikërisht ne e kemi patur këtë histori kaq fatkeqe e jo vende të tjera që kanë ndarë kondita të ngjashme me tonat? E gjithsesi ka plot shembuj vendesh e popujsh që gjatë historisë kanë përjetuar situata më të këqija, e prapë ia kanë dalë mbanë që të rimëkëmben e të jenë sot në kushte shumë më të mira se tonat.

Një përgjigje tjetër që më vjen ndërmend është ajo e fushatës së Bill Clinton në fillimvitet e 90, e famshmja “it’s the economy stupid”. Në fakt shumë prej jush mund të thonë se aktualiteti i mjerë që ne përjetojmë është rezultat i mungesës së ekonomisë. Mirëpo kjo përgjigje është sot po aq e pjesshme dhe e pamjaftueshme për situatën tonë, sa ç’ka qenë e pjesshme dhe e pamjaftueshme për situatën në SHBA-në së cilës i fliste presidenti Clinton.

Pse është e pamjaftueshme?

Le të shohim me imtësi kuptimin e ekonomisë, çfarë do të thotë kjo fjalë. Dihet se termi ekonomi vjen prej greqishtes së lashtë, Oikos + Nomia = Rregullat e Shtëpisë. Që të kesh rregulla të shtëpisë, natyrisht që duhet të kesh në fillim një shtëpi, një strukturë që nuk ngrihet nga hiçi. E dimë se që të ngrihet një shtëpi në radhë të parë duhet një plan konkret, prej arkitektëve, e së dyti duhet një angazhim real i inxhinjerëve dhe punëtorëve. Shtëpia është struktura që lejon mbarëvajtjen e jetës së atyre që e banojnë – natyrisht edhe përmes rregullave të brendshme. Dikush mund të thotë se neve nuk na mungojnë shtëpitë. Kjo është e vërtetë, secili nga ne e ka një shtëpi, një shtëpi private, ku jeton me familjen e vet. Shumë prej nesh e kemi edhe një punë private apo një biznes privat. Ajo çfarë na mungon është diçka tjetër. Ne na mungon një shtëpi e përbashkët, na mungon puna e përbashkët e na mungon biznesi i përbashkët.

Puna e përbashkët e biznesi i përbashkët janë pikërisht ato struktura të zhvillimit të shkencës, arsimit, kulturës, sportit, artit dhe akademisë, ato struktura që e lejojnë dhe e nxisin zhvillimin e potencialit shpirtëror dhe fizik të individit këtu, në vendin e tij, pa e detyruar të largohet në emigracion. Shtëpia e përbashkët është shteti. Kjo është ajo që sot na mungon. E duke na munguar kjo shtëpi e përbashkët, natyrisht që na mungojnë edhe rregullat e shtëpisë së përbashkët. Ekonominë private e kemi, po kjo është e pamjaftueshme, e si e tillë ka prodhuar edhe shtetin privat e politikën private, fenomen mbizotërues në historinë tonë. Ajo që na mungon është shteti dhe ekonomia e përbashkët, koncepti dhe konkretësia e saj.

E megjithatë shumë pushtetarë po thonë që kemi shtet. Ata vazhdojnë t’i thurin lavde shtetit të Kosovës e shtetit të Shqipërisë, këtyre projekteve private që kalojnë nga dora në dorë, nga pushtetari në pushtetar, pa e marrë kurrë natyrën publike. Në këtë lloj shteti situata është e mjerë dhe e pashpresë, duke i shtyrë njerëzit drejt emigracionit – siç e shpjeguam më sipër. Fjalët e këtyre pushtetarëve që thonë se ne kemi shtet, kur në fakt këtu nuk funksionon asnjë institucion që e bën shtetin-shtet të të gjithëve, të kujtojnë fjalët e poetit disident rus, Osip Mandelshtam “Gjithçka baltë, prapë sa bukur kur brohorit – Oh Rusi, Lethe, Lorelei”. Mandelstami flet për bash për ata pushtetarë patetikë që gojën e kanë plot elozhe për shtetësi. Ata lëvdojnë shtetin e tyre personal, po nuk e vëne re baltën që mbulon rrugët tona, shkollat tona, akademitë tona, ekonominë tonë dhe shtetin e përbashkët.

Ne, siç thamë eksportojmë trupa dhe importojmë tru, situatë më të përbaltur e më të mjerë nuk mundet të ketë për një komb-politik. Megjithatë mjerimi, le të mos harrojmë, është premisë e rëndësishme për çdo ndryshim që pritet. Do të doja të citoja fjalët e një tjetër poeti, italianit Fabrizio de Andre që shkruan “Prej baltës çelin trëndafilat”. E citoj këtë poet që i këndonte varfërisë individuale dhe mjerimit të përbashkët, sepse edhe unë besoj që prej mjerimit tonë ka për të çelur një e ardhme ndryshe. Por jo me patetizmin e atyre që flasin për shtetin – duke shkatërruar shtetin, flasin për drejtësinë – duke dhunuar, flasin për ekonominë – duke vjedhur.

Si bëhet shteti?

Përgjigjja është e lehtë për ata që kanë studiuar pak filozofi politike. Shteti ndërtohet prej një filozofie konkrete, një plani arkitektonik le të themi, që merr parasysh të përbashkëtën. Mirëpo, për t’u thirrur në fjalët e një filozofi të rëndësishëm perëndimor, Herbert Marcuses, “nuk ka filozofi konkrete pas së cilës nuk qëndron akti publik”. Pra nuk mjafton plani arkitektonik për të ndërtuar shtëpinë e përbashkët, shtetin e institucionet e tij. Që kjo shtëpi të jetë funksionale e të mos i detyrojë banorët të shkojnë në kurbet, është e nevojshme që të angazhohen të gjithë, punëtorë e banorë. Akti publik pas kësaj filozofie konkrete është pikërisht angazhimi popullor, angazhimi qytetar i cili është në bazë të çdo shtetformimi të suksesshëm modern, në bazë të çdo institucioni funksional.

Ata që flasin për shtetin e për ekonominë, por janë kundër angazhimit masiv publik, qytetar e shoqëror, gënjejnë e bëjnë demagogji. Ata janë përfituesit e ekuacionit tonë të sotëm, ata na detyrojnë të eksportojmë trupa e të importojmë tru.

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: