Arber Zaimi

Një mijë arsye ka për të demonstruar. Të njëmijat janë Republika

In Artikuj on 27 Shkurt, 2012 at 01:58

Si qe e mundur që lufta, përpjekjet e pandërprera, demonstratat, jetët e humbura e dekadat e burgimit, shpresa e aspiratat për liri të reduktoheshin të gjitha në një opinion jodetyrues, edhe ky në “footnote”, në një shënimth që do të shpjegojë asteriskun që tash e tutje do t’i ngjitet pas Kosovës, një bisht që duket sikur do të vërtetojë një tezë të vjetër mbi anatominë e njeriut shqiptar si jo tërësisht modern. Si mund të vihet në dyshim pas gjithë historisë, vetë historia, si mundet të lëvizet në shekullin XXI në drejtim të kundërt me antikolonializmin?

Ç’është vallë Kosova? – kjo është pyetja më e dhimbshme që mund të bëjë cilido që është i ndërgjegjshëm për gjakun e derdhur, jo prej viktimave, po prej dëshmorëve. Ç’është Kosova pra, a është vallë një territor, emërtim gjeografik, krahinë, vend i pushtuar, a është vend i lirë? A ekziston një popull që jeton aty, a vetëm një masë njerëzish e minoritetesh, një sërë grupesh lokaliste e klanesh të biznesit, një shtrat cinikësh e oportunistësh për të cilët çështje imediate dhe e përhershme na qenka vetëm mbijetesa, vetëm kafshata e bukës dhe “siguria” e jetës individuale…?

Sot e tutje, zyrtarisht do të jetë e vështirë t’i kthehet përgjigje pyetjes së mësipërme mbi se ç’është Kosova. Një proces që quhet “negociatë” në gjuhën e perandorisë së sotme e që quhej “pazar” në gjuhën e perandorisë së pardjeshme solli si përgjigje një sqarim shtatshkurtër, që e definon Kosovën në përputhje me rezolutën 1244 dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Deklaratën e Pavarësisë. Ky është kompromisi mbi një vend të çliruar, kompromentimi i çlirimit.

Pra, a është e pavarur? Rezoluta thotë qartësisht se Kosova mbetet pjesë e Serbisë, ndërsa opinioni pro pavarësisë, mbetet opinion – nga një organ këshillimor e jo detyrues – dikush e pranon, dikush jo. Rezoluta thotë jo!, opinioni thotë ndoshta.

Ky me sa duket është përfundimi i kuturisjes diplomatike të një kryeministri që mburret për vlerat e luftës (vetë mburrja mbi sakrificën është tregues i bjerrjes së vlerës), ky është përfundimi i bindjes kokëulur ndaj përpjekjes papra të ndërkombëtarëve për desubjektivim të shqiptarëve, në emër të paqes. Ky është rezultati i shndërrimit të shqiptarëve në “faktor stabiliteti” në rajon e më gjerë, rezultati i stabilitetit varfërues, prapambetës, mjerues, zhveshës e mbi të gjitha, dallues i shqiptarëve, që na qenkan ata që duhet të sakrifikojnë vetveten si Rozafa, të murosen poshtë urave e rrugëve ku kalojnë të tjerët, për hir të stabilitetit.

Që prej luftës së 1998-9 e këtej përfaqësuesit e shqiptarëve sillen si borxhlinj ndaj ndërkombëtarëve, e këta të fundit si borxhlinj ndaj serbëve. Cili borxh, borxhi i masakrimit, i vrasjes, i dhunimit të dhjetra mijërave prej një ushtrie të rregullt të një shteti që ende ekziston dhe ende ka pretendime territoriale? Apo është borxhi i rrënimit ekonomik të një populli që nuk po lejohet të rrijë drejt as sot, në vend të vet? Në pastë kush borxhe për të larë në këtë vend, ajo është Serbia, e në pastë dikush që duhet falënderuar, janë ata që dhanë jetën me ndërgjegje të plotë në luftë për liri. Nga katedrat e Europës dikush mund të mendojë se shqiptarët tashmë kanë marrë më shumë se ç’meritojnë, mirëpo shqiptarët meritojnë jo më pak se barazinë, jo më pak se republikën, jo më pak se mëvetësinë, jo më pak se lirinë e pavarësinë. Çdo kundërshtim i tyre është racizëm banal – jo realpolitikë.

Po, ndërkombëtarët ndihmuan në luftë, po kjo nuk ua garanton asnjërit prej tyre dekorimin e ambasadorit me gjeth t’larit, as ngritjen n’altar si perëndi të këtij vendi. Nuk janë ndërkombëtarët agjensi lirie, që të ta japin e të ta marrin lirinë kur të duan, sipas opinionit të tyre. Në besofshin tek parimet që predikojnë, le të ndihmojnë miqësisht në luftën e këtij populli të vogël për të qenë i barabartë me popujt e tjerë, se përndryshe Kosova nuk është ndonjë ishull tropikal i sapozbuluar, me popullsi që ende s’ka dalë prej primitivizmi.

Do thotë ndokush që fajin e kanë shqiptarët që negociojnë sa herë që munden. Po, servilat gjenden edhe këtu, ata që thërrasin në pragmatizëm e në fakt nënkuptojnë vetëm përfitimin vetjak më banal, ashtu siç gjendet edhe turma e hutuar, ndoshta më shumë se gjetiu për shkak të varfërisë e mjerimit material e shpirtëror, ama këtu gjendet edhe populli politik që e sakrifikon veten për publiken, që nuk do t’i shtrijë duart kurrë para zinxhirëve, të cilësdo formë qofshin këto. E duke shtyrë përdhuni vendin drejt një territori të dyshimtë e relativ, drejt një lirie të pamenduar po të opinionuar, pra drejt një lirie inekzistente e fiktive, ata që s’janë miq të pavarësisë bashkë me servilët e tyre veç po e përshpejtojnë takimin e nevojshëm me atë popull që nuk fle. Vendi i takimit dihet, është aty ku populli ngre institucionin e lirisë. Në shesh! Një mijë arsye ka për të demonstruar. Të njëmijat janë Republika!

Arbër Zaimi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: