Arber Zaimi

Industria e Zbrazëtisë (Individualizimi i Arsimit të Lartë)

In Artikuj, Ese on 28 Shkurt, 2012 at 18:27

Në një letër të hapur drejtuar redaktorëve të gazetave franceze në vitin 1979 intelektuali francez Pierre Vidal-Naquet shpreh shqetësimin e tij për lavdet që i thuren veprës Le Testament de Dieu që sapo kish botuar filozofi Bernard Henri-Lévy. Sipas Vidal-Naquet libri i Henri-Lévy përbënte “një inflacionim të kulturës së mendimit kritik, plot me gabime trashanike, amulli konceptesh e kontekstesh, citimesh të rreme apo pohimesh jo-logjike”. Konkluzioni i natyrshëm është që mbështetja institucionale, akademike e mediatike që i jepej kësaj vepre apo veprave të ngjashme (që sipas Vidal-Naquet shfaqnin një injorancë të thellë në temat të cilat trajtonin, qoftë kjo histori antike greke, histori biblike apo histori bashkëkohore) do të bënte që diskursi intelektual ta humbte integritetin e vet e të kthehej në një fenomen pop. Kjo letër u botua në gazetën Nouvel Observateur asokohe, dhe titulli i saj qe “L’industrie du vide”, ose Industria e Zbrazëtisë.

Në një kontekst krejt tjetër, por në një frymë të ngjashme ia vlen të diskutohet sot për njërën nga industritë emergjente, për një lëmë të re e deri dje të paeksploruar që po i besohet “dorës së padukshme të tregut”. Bëhet fjalë për Arsimin që shumë shpejt rrezikon të degjenerojë, në mos po ka përfunduar në një Industri të Zbrazëtisë.

Nuk ka asnjë arsye pse të trajtohet privatizimi dhe neoliberalizimi i Arsimit si një çështje komplotesh apo interesash gjysëm-mistikë kur në fakt gjithçka po ndodh me këtë dimension të rëndësishëm shoqëror është e vëzhgueshme, e analizueshme dhe e shpjegueshme lehtë. Që pas 1991 Shqipëria ka hyrë në një garë me veten e vet për të shkatërruar çdo koncept të publikes, çdo përjetim të saj, në mënyrë që të krijohet hapësira për Ekonominë e Tregut të Lirë, që nuk mund të ekzistojë pa tregje funksionale që ekspandohen vazhdimisht. Mirëpo tregjet siç dihet ezaurohen dhe nuk mbërrijnë të ruajnë ritmin e qerthullit vetë-riprodhues të kapitalit, kështu që sipas dogmës neoliberale, bash në këtë moment duhet të ndërhyjë shteti për të hapur tregje të reja aty ku më parë nuk ka patur treg, përshembull në fushën e sigurimeve shoqërore, në fushën e shëndetësisë apo në fushën e arsimit. Përndryshe ka krizë (dhe ky kërcënim sot tingëllon realist e i mundshëm. Është me rëndësi të vihet re se ky është një ndër të paktat momente kur neoliberalët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit, sepse shteti për ta hyn në punë vetëm për të garantuar stabilitetin e monedhës, për të garantuar kthyeshmërinë e borxhit, hapjen e tregjeve të reja dhe krijimin e infrastrukturës dhe sigurisë për shfrytëzimin e këtyre tregjeve nga ana e interesave private. Kritika teorike e këtij këndvështrimi të cekët që e vë njeriun në funksion të ekonomisë është bërë në mënyrë ezauruese prej shumë filozofëve, ekonomistëve e studiuesve të tjerë, e ndoshta këtu nuk është vendi për t’u zgjatur.

Po si preket realiteti shqiptar nga neoliberalizmi, ku qëndron problemi? Kjo pyetje meriton një përgjigje të gjatë, që natyrisht nuk do të mund ta jap në një artikull të shkurtër. Gjithsesi është një pyetje e domosdoshme për t’u shtruar, në shpresën që të thyhen barrierat e këtij denkverbot-i monist që e ka kthyer politikën shqiptare në një moçal ku lëvrijnë vetëm ujërat e ndenjura të politikanëve, ekspertëve dhe opinionistëve cliché, tash e 20 vjet. Në këtë shkrim synoj të merrem sado përciptazi me atë që po ndodh me arsimin, më saktësisht me arsimin e lartë, meqenëse ky është institucioni më i rrezikuar që po rrëmbehet prej publikut për t’iu dorëzuar idiosinkracisë së afaristit privat, qoftë ky pronar, qoftë rektor, qoftë profesor, qoftë student (se edhe këta të fundit mund të quhen afaristë teksa rendin pas dëshmive e titujve të zbrazëta, që garantojnë pushtet a mbijetesë, por jo dije).

Pas krizës globale u vu re që edhe në Shqipëri tregjet ekzistente që mbanin gjallë ciklin e konsumit po lodheshin e po ezauroheshin. Shifrat që vijnë nga industria e ndërtuesve, nga ajo e façonëve, nga turizmi e nga shërbime të tjera tregojnë se rënia e rritjes (ndonjëherë vetë rënia) jo vetëm që është reale dhe e ndjeshme, po ka rrezik të jetë e pakthyeshme në nivelet e mëparshme. Ndërsa këto tregje ngushtohen për arsye të kuptueshme, kapitali kërkon hapësirë ku të mund të zgjerohet dhe për këtë arsye lobbying-u i biznesit ka bërë presion të fortë në kanale publike e jopublike, mediatike e politike që të hapen tregje të reja, sidomos ai i arsimit të lartë. Që prej dhënies së mbi 25 liçencave për hapjen e universiteteve nga ministri Pollo, akreditimi i tyre nga ministri Beja, e deri te ditët e sotme të ministrit Tafaj, kur po diskutohet ndryshimi i mënyrës së shpenzimit të buxhetit publik në mënyrë që të alokohet në këto kompani private duket sikur i jemi futur me nxitim të madh një rruge që as është diskutuar publikisht e politikisht, as është kritikuar, as është llogaritur se ç’kosto oportune  e se ç’eksternalitete ka. Mjaft të shihet mënyra se si miratohen në kuvend projektligje “për ndryshime dhe shtesa në ligjin për arsimin e lartë” pa asnjë debat thelbësor, qoftë publik qoftë politik (me përjashtim të akuzave të zakonshme për korrupsion nga të dyja anët). E pra, ky ligj i ri, i paraqitur si një hap më tej për njësimin e sistemit universitar shqiptar me atë europian nëpërmjet Proçesit të Bolonjës, i përmban disa probleme.

Problemi i parë, ai më i rëndësishmi qëndron i shpallur në vetë Kartën e Bolonjës, ku efektivisht arsimi i lartë sanksionohet si një mjet i riprodhimit ideologjik. Edhe pse ideologjizimi i arsimit në vendet totalitare është një nga aspektet më të kritikuara të diktaturave, 29 ministrat e mbledhur në vitin 1999 në Bolonjë nuk hezituan që të vendosnin një perëndi të ri mbi arsimin universitar, një perëndi të quajtur “Treg i Lirë”. E gjithë kjo farsë ndodhi pikërisht aty ku në 1088 u krijua i pari universitet europian që u shkëput prej kishës e prej religjionit për t’iu dedikuar dijes. Sipas kartës së firmosur shpejt e shpejt nga ministrat e Këshillit të Europës, Procesi i Bolonjës do të ndihmonte modernizimin e arsimit të lartë europian, do të krijonte një arenë të përbashkët të arsimit të lartë duke njësuar programet e diplomat, në mënyrë që rezultati i studimeve të ishte më i përshtatshëm për tregun e punës,duke rritur punësimin e të diplomuarve dhe duke shkurtuar gjatësinë e studimeve. Pikërisht këtu hidhen bazat e Industrisë së Zbrazëtisë. Universiteti, që sipas përkufizimit duhej të qe bashkësi e studiuesve dhe e studentëve, vendoset në funksion të tregut dhe kthehet në bashkësi të sipërmarrësve (pronarët privatë apo shteti), menaxherëve doktrinarë (pedagogët) dhe klientëve (studentët).

Të gjithë e dimë (të paktën që prej pedagogjisë së Walter Benjamin) se nuk ekziston “dija për hir të vetvetes”, e megjithatë duhet parë se cili vendos për funksionin e dijes që merret në këto universitete, në dëm të kujt dhe në favor të kujt është kjo dije. Përderisa shprehimisht thuhet se synohet që të përgatiten të diplomuar sa më të përshtatshëm për kërkesat e tregut, atëherë i bie që dija të mos jetë në funksion të shoqërisë, por të idiosinkracisë së studentit dhe të subjektit (kryesisht privat) ku ai do të punësohet. Universitetet nuk do të prodhojnë më intelektualë apo studiues, por teknikë, zejtarë të studimit, çirakë apo mjeshtra (etimologjia e titujve flet qartë). E gjithsesi, edhe po të mos e bëjmë këtë kritikë, e po të themi se universiteti na qenka vendi më i përshtatshëm për të përgatitur ustallarë për punishtet e korporatave, nuk duhet harruar fakti se tregjet kanë dinamikat e tyre të cilat nuk do të mund të reflektohen kurrë aty për aty në përgatitjen individuale, kështu që në çdo ndryshim të tregut do të krijohet një armatë të papunësh që do të duhet të bëjnë edhe një master tjetër për t’u përshtatur me risitë…

Problemi i dytë është mentaliteti i kontrollit që mbizotëron gjithë Procesin e Bolonjës. Është e vetëkuptueshme që heqja dorë prej lirisë akademike që kish prodhuar pikën më të fortë të akademisë europiane, pra larminë, do të prodhonte një të tillë mentalitet të nënshtruar tek studiuesit e tek studentët. Hapat të cilët individi duhet të ndjekë për t’u formuar akademikisht tashmë janë të vendosur nga tjetërkush, ndërkohë që vetë universiteti, programet bachelor (fjalë që ka të njëjtën rrënjë me huazimin tonë nga persishtja beqar), apo programet master janë shndërruar në fenomene “pop” (që mund të kritikohen në terma të ngjashme me ato që përdor Vidal-Naquet, si prodhues të sipërfaqësisë, bjerrjes së vlerave, përcipshmërisë së njohjes e së logjikës, etj.). Është e çuditshme se si programi neoliberal, kaq shumë i fokusuar tek liria, në emër të lirisë së tregut për t’u zhvilluar vendosi të shkelë lirinë e individit për të qenë i veçantë në formimin e vet akademik, madje edhe lirinë e akademisë për të zgjedhur mënyrën e vet të vënies në funksion të dijes – liri kjo që kish ekzistuar me sukses për të paktën nëntë shekuj në Europë…

Problemi i tretë është rrudhja e konceptit të politikës publike, të mirëqenies sociale apo të përkujdesjes shtetërore. Në relacionin e Këshillit të Ministrave që shoqëron “Ligjin e Arsimit të Lartë” që u miratua në korrik të 2010 thuhet se:

“Qeveria është shprehur qartë se mbështet një arsim të lartë masiv në nivelin Bachelor, të cilin shteti do ta mbështesë me përparësi. Ndërsa cikli i dytë dhe i tretë do të mbeten relativisht të liberalizuar, por të mbështetur gjithnjë e më shumë edhe në investimin e vetë studentëve në formën e tarifës së studimeve duke respektuar përcaktimin e ligjit sipas të cilit tarifa e shkollimit nuk mund të jetë më e lartë se kosto e studimeve. MASH-i ka aktualizuar të dhënat e kostos reale të studimeve në IAL-të publike të cilat do të përbëjnë bazën e tarifave të reja që do t’i propozohen Këshillit të Ministrave në vitin akademik 2010-2011.”

Shikoni ç’ndodh, qeveria shprehet qartë se do të financojë vetëm programin tre-vjeçar ndërsa pjesa tjetër do të mbetet në dorë të individit për t’u paguar. Kjo në radhë të parë bie në kontradiktë me qëllimin që ka ky proces për të përgatitur njerëz për tregun e punës, sepse tregu i punës kërkon më shumë kualifikim se sa programi bachelor. Në radhë të dytë në mënyrë flagrante duket se shteti zvogëlon periudhën e kujdesit për qytetarët, tashmë paguan vetëm 3 vjet arsim të lartë për secilin. Pra, nën mbulesën e një politike mirëbërëse, po i jep publikut një shërbim më të shkurtër, të pamjaftueshëm dhe me sa duket më pak cilësor, ndërkohë që e detyron të paguajë vetë specializimin, apo Masterin.

Pakkush proteston në Shqipëri në lidhje me mënyrën se si po aplikohet Bolonja, lëre më për vetë procesin. Ndërsa në Europën ku po duam të integrohemi nuk është kështu, mjaft të kujtojmë Gjermaninë ku gjatë 2009 edhe ministrja e arsimit Annette Schavan edhe presidenti Horst Köhler pranuan se procesi i Bolonjës ka probleme e mangësi të mëdha, dhe ka shkaktuar dëme në shoqërinë e në ekonominë gjermane. Kuptohet se dy figurat e larta politike u detyruan t’i bënin këto deklarata prej grevave të vazhdueshme të studentëve e pedagogëve, që duhet thënë se vazhdojnë sot e kësaj dite nëpër vendet Europiane ku karta e 29 ministrave nuk përbën justifikim të mjaftueshëm për monizëm doktrinar, apo për diktat ideologjik.

Përtej kësaj ka dhe një problem të katërt, i lidhur ngushtësisht me arsimin e lartë privat. Nëpër mediat publike po diskutohet gjithnjë e më shumë mundësia e aplikimit të sistemit të kuponave, ku çdo studenti do t’i përcaktohet një shumë që ai përfiton nga taksat publike. Studenti më pas vendos se ku do ta shpenzojë këtë kupon, në universitetet private apo në ato shtetërore. Kjo politikë në dukje naïve dhe e drejtë propozohet prej lobbyistëve të universiteteve private, është i ashtuquajturi sistem kilen i financimit, që bën në mënyrë të tërthortë të mundur financimin e entiteteve fitimprurëse prej buxhetit publik. I marrë drejtpërsëdrejti prej metodave brutale të fashistit Pinochet që favorizoi kapitalin në dëm të qindra mijëra viktimave të sistemit të tij, ligji i kuponave paraqet tendenca shumë të rrezikshme. Së pari, vendos mbi shpatullat e një 18-vjeçari barrën e shpenzimit të parave publike. Së dyti masivizon mundësinë e hyrjes në arsimin e lartë, kushdo mund të hyje, sepse ka vend për çdo klient që paguan. Së treti, individi zgjedh të arsimohet në fushën që pëlqen, në emër të lirisë individuale.

Mirëpo le të marrim një shembull të famshëm prej filozofisë ekonomike. Imagjinoni nëse banorët e një lagjeje në mëngjes do të kishin dy opsione për të shkuar në punë, transportin publik (autobusin) dhe makinën private. Racionaliteti privat i gjithsecilit mund të vendosë të përdorë makinën private, sepse është udhëtim më i rehatshëm, zgjat më pak dhe e zgjedh vetë rrugën. Mirëpo nëse të gjithë marrin makinën e tyre private, në mëngjes trafiku do të jetë i bllokuar, dhe rruga do të zgjasë shumë më tepër se ç’pritej. Ky është rasti tipik kur shoqëria duhet të marrë masa që të kufizojë trafikun privat, përndryshe racionaliteti individual shpesh prodhon iracionalitet kolektiv.

Ky është rasti i individualizimit të racionalitetit që prodhon sistemi i financimit me kupona. Nëse individët do të zgjidhnin se ku do ta blinin diplomën e tyre dhe çfarë diplome do të blinin, rezultati do të qe katastrofik. Do të kishim mijëra juristë dhe ekonomistë (kryesisht të paaftë për fleksibilitet profesional), që do të mbeteshin pa punë, sepse racionaliteti individual i kujtdo mbërrin të kuptojë se sot këto janë profesionet më të mirëpaguara e më tërheqëse në Shqipëri. Neoliberalët natyrisht do të thoshin se kjo është zgjidhja që rrjedh prej konkurencës, secili merr përsipër pasojat e zgjedhjeve të veta, mirëpo në rastet e plagëve sociale, të vendosur përballë dhunës që mund të gjenerojnë deformime të tilla të shoqërisë vlen të përsëriten fjalët e ekonomistit antiliberal, nobelistit Stiglitz: “Askush nuk e vë më në diskutim se publikja doemos duhet të ndërhyjë tek individualja që një ekonomi të funksionojë”. Në këtë rast si individ duhet konsideruar ai që aspiron të arsimohet, ndërsa si publik (jo shtetëror, as privat, por i përbashkët) duhet konsideruar universiteti. Nëse arrijmë të konceptojmë një oksimoron si “universiteti privat” sapo kemi krijuar një tjetër Industri të Zbrazëtisë, një piramidë gjigande që do të prodhojë mendje të shabllonizuara, të paafta për mendim kritik, të pazonja për të emancipuar veten e shoqërinë, pra për të kryer detyrën primare të intelektualit. Në shembullin e kafesë pa kafeinë apo ëmbëlsirës pa sheqer, po krijojmë një shoqëri pa intelektualë.

Arbër Zaimi

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: