Arber Zaimi

Turboshow, mjet i pushtetit

In Artikuj on 29 Shkurt, 2012 at 13:35

Në një artikull të Vukša Velickovic (Qejfet mëkatare të Serbisë – Kush ka frikë nga turbo), botuar prej Institutit të Shkencave Humane – Vienë, më ra në sy një rrëfim anekdotik për një ngjarje që paskësh ndodhur në fillim të viteve 1990 në Beograd, ndërkohë që Jugosllavinë e kishin mbërthyer shkulmet e luftërave dhe pasionet nacionaliste: në një talk show televiziv ishte ftuar ultra-nacionalisti Vojislav Šešelj, ndërkohë që pranë tij qe e ftuar ylli i turbofolkut, Dragana Mirkovic. Emisioni të tillë e kishte formatin, ftonte në të njëjtin log politikanë e vip nga bota e spektaklit duke i bërë të flisnin nga pak për gjithçka me një lloj lehtësie, apo siç i thonë ndryshe, një lloj “sportiviteti” që pritej mirë me sa duket edhe nga publiku. Në atë pjesë të emisionit Seselj tregon një nga ato barsaletat brutale e lapërdhare që tregohen nëpër ballkan, kësaj radhe me mënyrën se si plumbat ia “zbukurojnë” kafkën e një kroati. Një barsaletë e tillë jo vetëm në atë moment tragjik historik po edhe sot nuk do të kapërcehej lehtë, e unë jam i bindjes se një politikan që tregon barsaleta të tilla (i cilitdo vend qoftë) do të meritonte të paktën burgun. Mirëpo menjëherë pas barsaletës, situata e rëndë thyhet prej ndërhyrjes qesharake të këngëtares së turbo-folkut, që me këtë rast shërbeu si lubrifikant për gurmazet e publikut, që e gëlltiti edhe këtë mesazh subliminal e agresiv prej politikanëve.

Rasti është ekstrem, mirëpo na ndihmon të analizojmë një marrëdhënie interesante mes medias dhe politikanëve, e cila ka zënë rrënjë edhe në Shqipëri e Kosovë. Jo rrallë studiot televizive shërbejnë për të krijuar një ambient “lehtësues” për politikanët apo për çështjet delikate të politikës, pikërisht duke e përzier diskutimin mbi tema të rëndësishme si ekonomia a drejtësia, korrupsioni a krimi, zhvillimi a varfëria, me tema krejtësisht të lehta e sipërfaqësore (nëse duam gjer në fund ta shmangim fjalën “idiote” që i përshkruan më së miri), tema që sillen prej analogëve shqiptarë të këngëtares që përmendëm më parë. Ulja e politikanëve në një log të përbashkët me personazhe “pop” në fakt e ndërthur diskutimin politik me elemente të estradës e të spektaklit banal, si në tavolinat e kafeneve apo si në bordurat ku luhet peskatësh a tavëll. Banalizimi i politikës nuk do të duhej të përbënte ndonjë fenomen të dëshirueshëm askund, aq më pak në një vend ku populli është edukuar që të jetë i bezdisur prej përgjegjësisë, hezitues ndaj vendimmarrjes, i pavëmendshëm për nevojat më parësore të një republike, në një vend ku secili është mësuar të shohë si të rëndësishme thjesht punën e vet dhe ku hallin e tjetrit e trajtojnë veç në nivel thashethemi.

Ky fenomen mediatik justifikohet nga redaktorët e menaxherët e mediave përmes argumentit të shitjeve, ata thonë që mediokrja është vulgare, publiku mesatar është mediokër – e kështu që për të shitur produktet e tyre ndaj këtij publiku detyrohen që të sajojnë të tilla emisione. Mirëpo kjo logjikë më duket e mbrapshtë. Ata që e kanë studiuar ndopak kulturën e medias e të komunikimit e dinë që mekanizmi ecën në të rrugën e anasjelltë, në fakt shumëkush mund të vërë re se ç’prej shteteve primitive e gjer më sot banalja e vulgarja kanë qenë mjete të përdorura nga pushtetet për të mbajtur nën fre popujt e tyre. Në këtë sens do të mund të thoshim se ka më tepër vërtetësi në të kundërtën e argumentimit të njerëzve të medias. Unë ekuacionin do ta shtroja kështu: pushtetit politik dhe ekonomik i intereson një nivel i ulët i popullsisë, që të mund të “blejë” produktet politike apo ekonomike të një cilësie të ulët, e ky interes pasqyrohet pastaj në sjelljet editoriale e redaksionale, sipas linjave të politikës ekonomike që gdhend atë mjet pune që quhet mass-media. Një argumentim i tillë evidentohet me goxha qartësi prej shumë studiuesve e teoricienëve multidisiplinarë, ndër të cilët Herman&Chomsky me “Manufacturing Consent”, ama nuk diskutohet shumë në Shqipëri për këto çështje. Ndjekja e një modeli italian apo ballkanik (model më të keq s’kishim ku të gjenim) për zhvillimin e medias, zhdukja e hapësirave të kontrollit publik mbi këtë terren tërësisht të privatizuar (edhe Televizioni Shtetëror mund të konsiderohet si privat për sa kohë vetë shteti nuk është publik, por territor privat i pushtetit), bashkë me mungesën e vëmendjes kanë krijuar një tolerancë për të ligën që e zbusim dhe e tresim me bajatëri e me banalitet dylekësh, si dhe një indiferencë ndaj së mirës e ndaj së duhurës që kërkon impenjim e aktivizëm për t’u bërë. Mesazhe shpeshherë skandaloze, çështje me rëndësi kombëtare apo shoqërore kalojnë si me të qeshur e harrohen shpejt, nisma e dinamika që shtyjnë rreshtimin e përpjekjen për ide pozitive barazohen me hiç ndërkohë që sovrani duartroket vazhdimisht e politikani (shpeshherë edhe dijetari) bën gallatë me biznesmenin e radhës a me ndonjë balerinë. Situata ngjan qesharake dhe e pafajshme… por nuk është!

A. Zaimi

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: