Arber Zaimi

Kundër trashëgimisë totalitare

In Artikuj on 5 Mars, 2012 at 13:47

(Mbi ato piramida që duhet të shemben)

Kohët e fundit vëmendja e publikut është tërhequr prej spektaklit që po prodhohet rreth “Piramidës”, një ndërtesë e ngritur në fund të viteve ’80 në krah të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Çështja e ka ndarë publikun në dy parti, pro-prishjes janë ata që pretendojnë se shohin te kjo ndërtesë një simbol të diktaturës e të vuajtjeve të mëdha që ky popull ka hequr nën atë regjim, ndërsa pro-ruajtjes janë ata që thonë se vlerat arkitektonike mund të ndërtohen edhe prej regjimeve gjakësore, madje tiranitë janë shquar për të tilla vepra, dhe pretendojnë se duhet ruajtur “memorja historike”. E vërteta e të dyja palëve është aq e pjesshme sa që nuk ia vlen as të diskutohet mbi të, e në fakt i gjithë diskutimi, me gjithë angazhimin e sinqertë të aktivistëve të njërës palë apo të tjetrës ka qenë ireal (por jo metafizik, jo ndonjë farë abstragimi…), ka qenë thjesht irracional e i ideologjizuar thelbësisht. Në fakt, jam i mendimit që ky konflikt sipërfaqësor do të qe krejt i evitueshëm po të mos kishim të bënim për të kudogjindurën e të kurrëpërfunduarën garë për pushtet midis dy klientelave (edhe këto të sinqerta, të angazhuara e naive) që kanë gdhendur politikën e këtij vendi në njëzet vitet e fundit.

Gabimi që dakordon palët – formalizmi përkundër shtypjes reale

Partitë klanore që zotërojnë pushtet pikërisht mes zagarísë, bien publikisht dakord në fjalë që diktatura qe e keqe, e dënueshme, e që i duhet shkatërruar forma e verbi, e i duhen prishur simbolet. Këtë paradigmë e mbrojnë “të lexuarit” e të dyja palëve, që nuk janë pak (nuk ka patur kurrë ankesa për sasinë e tyre), por që janë tejet të keqformuar si shërbëtorë të pushteteve e si njerëz të 99 flamujve. E mbrojnë përmes një qëndrimi “dekonstruktivist” që në fakt është qëndrim thjesht destruktiv – fashist, sipas së cilit diktatura qenka ngritur e qëndroka në simbolet e veta, në kornizë, në shfaqje, në gjuhën “e drunjtë”, në mitet që formoi etj.

Mirëpo ia kanë huqur krejt. Simbolet e kornizat, gjuha dhe spektakli janë vetëm produkt, e jo nisje e diktaturës. Në fakt gjuha, semiotika, bashkë me semantikën, sintaktikën e pragmatikën e gjithë simboleve diktatoriale (apo jo) nuk është shtëpia e qenies së individit e as të sistemit, as në diktaturë, as sot. Qenia e tejkalon gjuhën, simbolet i rrinë ngushtë asaj.

Se në fakt diktatura, si regjim shtypës e totalitar, (dhe këtë e kupton çdo njeri që ka filluar të vetëdijësohet për të qenët qenie sociale), burimin e ka tek marrëdhënie shoqërore të natyrës ekonomike, që janë marrëdhënie të shtypjes, marrëdhënie të shfrytëzimit, marrëdhënie të pushtetit e marrëdhënie të pronësisë.

Shqiptarët në 1991 u ngritën kundër një shteti ku shumica sfilitej në punë ndershmërisht, e pak, fare pak gëzonin privilegje prej sërës e pozitës (pushtetit). Ata u revoltuan kundër një shteti që përdorte biopolitikën (biografinë, burgun, moralin “puritan-religjioz”) për të marrë peng lirinë e tjetrit dhe të qytetit. Kundër një regjimi anti-popullor që ngrihej mbi shfrytëzimin dhe vjeljen e punës dhe vuajtjeve të mijërave, të cilin shpresonin se nuk do ta gjenin në Europë, në atë Europën e bukur që transmetohej përmes reklamave të RAI-t. Të papolitizuar e të varfëruar moralisht po mbi të gjitha materialisht, siç ishin, shqiptarët e revoltuar në 1991 menduan se shpëtimin do ta gjenin te konsumi e të shkëlqimi i zotërimit (të sendit a të njeriut). Kjo gjendje e bëri reagimin e tyre të manovrueshëm lehtësisht, duke i nxjerrë masivisht jashtë vendi, e duke i paraqitur atyre që mbetën lirinë për të konsumuar gjithçka, sende, banesa, partnerë, seks, vetvete, shoqëri e atdhe. Me një fjalë i dhanë problemit të diktaturës një zgjidhje brenda kufijve të asaj çka mund ta quajmë “lifestyle”, me gjuhën “e zhdërvjellët dhe aspak të drunjtë” të konsumerizmit.

Për njëzet vjet rresht populli është ushqyer me këtë lloj “zgjidhjesh”, pa e trajtuar kurrë locus-in e diktaturës, që siç thamë më sipër pati një natyrë të pushtetit dhe shfrytëzimit ekonomik. U ndryshua gjithçka, me kusht që gjithçka në thelb të mbetej e njëjtë, që milionat të shfrytëzoheshin e të shtypeshin e që fare pak të vijonin të ishin “bllokmenë” modernë, të cilët zotërojnë politikën dhe ekonominë. E vërtetë, “blloku” sot është kthyer në një lloj “vatre të kulturës” së regjimit të sotëm popullor (konsumerizmit), mirëpo “bllokmenët” kanë ngritur “blloqe” të reja ku të mund të jetojnë, nëpër vilat luksoze në “gated neighborhoods” në rrethina të Tiranës. Të pushtetshmit janë sërish të paarritshëm, ata sërish vrasin nëse tenton t’ua kapërcesh gjerdhet, dhe jetojnë në atë luks e bollëk që shumica e shqiptarëve që punojnë as nuk do t’i ëndërrojnë sa të jenë gjallë.

Po aq prezent është ndëshkimi, që sot nuk është më burgu po është harresa, imponimi ideologjistik e propagandistik i mosvëmendjes për individë e komunitete të tëra që, edhe pse “të lirë” jetojnë nëpër burgje mbytëse – kulturalisht, ekonomikisht, komunitarisht e intelektualisht. Të tilla burgje e kampe përqëndrimi janë të shpeshta jashtë unazës së Tiranës, kuptohet jo pranë bregdetit apo pranë zonave “me perspektivë turistike” se ato si në këtë kohë, si në atë kohë, shërbenin që të shplodhej gjithë vitin paria, e një herë në vit tulla që mbante muret e regjimit. Sot tullës i vjen radha pak më rrallë, gjithsesi.

Blloqe të tilla e burgje të tilla do të ishin ato që duhet të shemben, po të qe se me të vërtetë na dhemb prania e diktaturës në të tashmen tonë. Pra le të shemben komunitetet e gardhuara të pasanikëve dhe enturazhit të tyre në Kodrat e Tiranës, në Petrelë, në Lundër, në Linzë, në Mullet, në Gji të Lalzit. Të shemben daçat e 0,5% që sundon, garazhet ku parkohen makina e motorçikleta që kushtojnë vetëm njëra aq sa kushton gjithë jeta e shkollimi i 100 fëmijëve që shesin cigare në vend se të shkojnë në shkollë, të shemben molet ku ankorohen jahtet që nuk i prek moratoriumi. Natyrisht të shemben dhe muret e kampeve të përqendrimit, ato ku njerëzit punojnë në kushte çnjerëzore për të prodhuar pasuri masive e për të mbetur të varfër, si në Bulqizë a në Ballsh. Po të shemben edhe burgjet rreth qyteteve ku janë dyndur fshatarët e shpronësuar që tash rriten të keqformuar në një shoqëri indiferente, lagjet periferike ku lulëzon pesimizmi e ku ëndrrat e të rinjve gjithnjë e më shumë i ngjyros veç droga apo të tjera varësi patologjike. Absolutisht që duhet të shemben qelitë e varfërisë ekstreme të ish-të përndjekurve, të pensionistëve, të ish-ushtarakëve, të grave e burrave që punojnë në industri a në fasonë, që qepin këpucë e këmisha, që mbyllin konservat e peshkut a të vajit e që punojnë 14 orë për 200 dollarë. Të shemben kazinotë e pijetoret e kthyera në “dopolavoro”, të shemben universitetet ku çmësohet e ku zhbëhet kultura (interesant është që sistemi arsimor “i hapur” po i jep brezit të ri shansin të përjetojnë dëshirën për t’u arratisur nga ky vend, bash siç ua jepte kultura e mbyllur prindërve të tyre), të shemben çmendinat fluide ku janë mbyllur endacakët, të pastrehët, romët, të droguarit, lypsarët, kurvat, bythqirët. Mbi ta, pra mbi të shtypurit e mbi të përjashtuarit është ngritur diktatura. Jo mbi ndërtesat imponente të piramidave apo të komplekseve parlamentare. Këto të fundit janë thjesht konfirmim i arrogancës së pushtetit, sa për të thënë që “këtu jam zot unë, e për ty s’më kërcet!!!”.

Mirëpo pse duan ta prishin?

Hallin e kam se bash ata që këlthasin për prishjen e piramidës nuk duan të zhbëjnë diktaturën, përkundrazi. Duke prishur simbolet e duke çrrënjosur memorjen kolektive, ata thjesht duan t’i shpëtojnë krahasimit të tyre me diktaturën. Ata duan që populli ta harrojë që dikur Shqipëria ka patur një diktaturë aq të egër e aq shtypëse sa që bëri popullin të merrte në dorë fatin e vet e ta hidhte poshtë. Duan që populli ta harrojë të kaluarën e vet të mjerë, që të mos ketë me çfarë ta krahasojë të tashmen e vet po ashtu të mjerë. Duan që të harrohet arsyeja pse nisën kryengritjet, që të harrohet edhe fakti që ato kryengritje kurrë nuk shkuan deri në fund… por u mbyllën me përdorim masiv të sedativëve.

Në vend që të jetë shkatërrim i mitit të diktaturës, prishja e ndërtesave është ngritje e një miti, ngritja e mitit se ne shpëtuam prej regjimit totalitar e prej shtypjes.

Po të qe se këta pushtetarë do të kishin vërtet si synim luftën kundër diktaturës, ata do të dinin nga ta fillonin. Do ta fillonin nga populli, nga komunitetet, nga njerëzit, nga ata që diktatura kurrë nuk i mori parasysh. Para disa ditësh në Tiranë vdiq një ish-i përndjekur. Vdiq në burg, prej një sëmundje të pakuruar të zemrës. Ishte arrestuar për shitje droge. Burri 60 e ca vjeç, 17 prej të cilave i kishte kaluar në burg se shante regjimin, ishte katandisur në endacak, mblidhte kanaçe e shiste hashash. Rasti i tij denoncon qëndrimin e pushtetit ndaj diktaturës. Pushteti vijon të mos kujdeset për askënd që del jashtë klientelës së tij. Ndokush mund të thotë, me keqperceptimin e përgjithshëm, që ish-të përndjekurit janë klientelë e PD-së, sepse votojnë përgjithësisht djathtas. Mirëpo këtu qëndron një gabim – ryshfeti apo konkiunktura klienteliste si sistem është i dështuar, ai nuk shpërndan dot të ardhura. Duke menduar se njëra forcë do të mbështesë për efekt reciprociteti njërën shtresë, janë gënjyer të përndjekurit, shumë prej të cilëve kanë vdekur tashmë në varfëri, pa e parë ndihmën e shtetit as kur ka qenë në pushtet partia “e tyre”. Të njëjtën gjë mund të themi për ish-ushtarakët, fjala vjen, që konsiderojnë si “të tyren” partinë tjetër. Edhe ata nuk ia kanë parë haírin pushtetit të partisë “së tyre”.

Të mbështeturit e këtyre partive, në këtë formë që paraqiten, është e gabuar jo vetëm në sensin e një morali shoqëror që nuk është gati t’i japë çdo gjëje një vlerë këmbimi e ta nxjerrë në treg, por është gabim edhe në një perspektivë pragmatike, këto parti janë parti të pakicës që kurrë nuk do të mund të kënaqin ekonomikish e materialisht përveçse ajkën e klientelës së tyre. Personalisht mendoj që asgjë nuk i pengon këto parti të reformohen e të ndryshojnë, mirëpo nuk jam optimist për sa kohë ende nuk e kam dëgjuar një mendim reformator të artikulohet prej së brendmi tyre. Për këtë arsye shpresoj më shumë tek një politikë që lind për së jashtmi. Jo se kjo është e lehtë. Do të duhej të trazoheshin ujërat pa të shihnim se ç’del… E gjithsesi pavarësisht organizimeve partiake, mbetem i mendimit se shpëtimi vjen vetëm nëse populli, kësaj radhe i organizuar e i politizuar të çojë në fund atë që nisi në 1991. Të shkatërrojë piramidën që nuk shkatërroi dot atëherë, piramidën e shtypjes, piramidën e mospjesëmarrjes që ka mbajtur në fron lloj-lloj palaçosh për një kohëzgjatje rekord.

A.Zaimi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: