Arber Zaimi

Skizo-Tirana, një qytet konfliktual

In Artikuj on 8 Mars, 2012 at 12:16

Sem Título, 1957 - Carlos Botelho

Ekziston Tirana, e njëkohësisht ekziston tirana, dy qytete krejtësisht të ndryshme, që gjeografikisht ngrihen saktësisht mbi të njëjtin vend. Banorët e njërit qytet janë trajnuar e indoktrinuar që të mos i shohin dot kurrë banorët e tjetrit, e anasjelltas. Thyerja e këtij rregulli, ndodh shumë rrallë, e në u zbuloftë, ndëshkohet.

Metafora është e huazuar nga një libër të China Mieville-it, i lexuar më herët, por të cilin ma solli ndërmend ky pasazh në një tekst të Mustafa Nanos: [K]a dy botë në Shqipërinë e sotme; ka dy botë, të cilat, jo vetëm nuk komunikojnë, por edhe janë shumë larg njëra-tjetrës. (Është një hendek i frikshëm mes palëve)

Në fakt është e vërtetë, ka dy realitete njëherazi ekzistente që konfirmohen haptazi ndër ne, të cilëve u ndalohet haptazi njohja e njëri-tjetrit, të ndara prej një hendeku aq të gjerë sa që pengohet gjer edhe shikimi i njëri-tjetrit, sepse po të ndodhte kjo njohje apo ky ballafaqim, do të niste konflikti.

Por këto dy realitete që bashkekzistojnë të pavetëdijshme nuk janë ato që përshkruan M. Nano (e të tjerë këso kohe). Gjithnjë ka patur dy Shqipëri, vërtet, po nuk kanë qenë Shqipëria Blu e ajo Rozë, nuk kanë qenë Shqipëria Gegë e ajo Toskë, nuk ka qenë konflikt midis partikulariteteve të tilla. Konflikti është më i thellë se kaq, mbi të ndërtohet krejt aktualiteti e përditshmëria, strukturat gjigande të pushtetit dhe procedurat minimaliste të arratisjes, e bash për këtë arsye ky konflikt është kaq i vështirë për t’u vënë re.

Ka një Tiranë dhe një tiranë, brenda të njëjtit topos, po me banorë të ndryshëm. Them banorë, e jo qytetarë apo subjekte, sepse në të dyja qytetet nuk ka as qytetarë e as subjekte, se mungon esenca pozitive si premisë për dy kategoritë në fjalë. Tirana ndryshon shumë nga tirana, nëse distancohesh prej të dyjave aq sa t’i vësh re ndryshimet.

Ndryshon në arkitekturë fjala vjen, Tirana ka ndërtime madhështore, prej materialesh të shtrenjta, prej arkitektësh të famshëm, ndërsa tirana ka ndërtime spontane, prej muratorësh anonimë, ku betoni e tulla mbizotëruese ende nuk ia ka marrë frymën qerpiçit shekullor.

Në Tiranë ka lounges në kate të larta prej nga shihen dritat kozmopolite, ka boutiques ku blihet art, ka salla luksoze ku mbahen konferenca e takime, ka sallone private ku luhet poker me qindra mijëra euro në natë, ka lofts ku banojnë çifte të reja e ambicioze metroseksualësh të të gjitha gjinive, ka lagje ekskluzive, ku mbretëron qetësia, rendi, e ajri i pastër, ku raportet arkitekturore respektojnë natyrën, e ku ngjyrat harmonizohen me dëshirat.

Në tiranë, nga ana tjetër, ka pijetore e qebaptore në katet përdhese, dritaret e së cilave janë veshur me zgjyrë e tej tyre shihet një realitet i verdhë. Ka dyqane ku shitet çdo rrobë 1900 lekë, ka tezga, ka tregje romësh dhe fshatarë që shesin perime importi. Ka zgëqe bixhozi në çdo 50 metra ku burrat lënë paret me të cilat do të mbanin gjallë frymën fëmijët e gratë e tyre, ka apartamente të vockla e gri brenda pallateve që mbajnë ngjyra ylberi në kujtim të një fenomeni që i përket së shkuarës. Ka ndërtesa të reja e të vjetra që ngjeshen pranë njëra-tjetrës për t’i zënë frymën dritës e për ta bërë gjithëprezent pluhurin që ngrihet prej xhadeve të ngushta ku tash nuk ka më trotuare.

Tirana ka një kulturë tjetër, tirana ka një tjetër. E para shkollohet nëpër kopshte e shkolla private, më pas përcjell akademi të njohura ndërkombëtarisht, prej nga kthehet me grada e me zakone të nxëna gjetiu. Tirana ka galeri private arti ku ekspozohen artistë e bizhu, ku këndojnë muzikë të përzgjedhur, shoqëruar nga instrumentistë virtuozë. Ndiqet moda, ekziston larmia në paraqitje e në veshje, gjithçka është e papritur në paraqitjet e Tiranës, ku femrat agresive në emancipimin e tyre të përditshëm flirtojnë me meshkuj gjithnjë e më të shpërqendruar e zëhollë.

Ndërsa tirana është monotone, midis bilardove e birrarive, që së fundmi të gjithë i quajnë pub-e. Vajzat aty ende dalin në dritare për të dëgjuar fërshëllimat e djemve, e burra të sapokthyer nga kurbeti parkojnë makinat pranë oborrit të shkollës, për të gjetur ndonjë mendjelehtë që t’u sjellë sado pak gaz dite. Fëmijët shkojnë nëpër kopshte e shkolla publike, ku takojnë mësues të keqpaguar, e ku nxënë mbi libra të keqpërdorur e të keqshkruar. Më pas rriten dhe blejnë ndonjë diplomë në kinkaleritë ku shiten diploma për masat. Muret e pallateve janë të mbushura me grafitti e grafema, me sharje e shprehje dashurish të pamundura, ndërkohë që arti më i lartë është ai që del prej parukerive.

Qytetet nuk ndajnë institucione të njëjta, edhe pse shtrihen në të njëjtin vend. Në Tiranë ligji bëhet, ndërsa në tiranë, ligji imponohet. Tirana është e ndërgjegjshme për rëndësinë e rregullit, për ruajtjen e institucionit, për respektimin e ligjit, pagesën e taksave etj. Sepse këto i kanë bërë vetë banorët e Tiranës, për të mbrojtur vetveten.

Në tiranë, të gjithë përpiqen t’i shpëtojnë nga pak ligjit. Ca ngaqë nuk e kuptojnë, ca ngaqë nuk ia kanë parë hajrin, ca ngaqë iu do trapi.

Në Tiranë njerëzit pyeten përditë. Në tiranë, njerëzit i pyesin një herë në katër vjet.

Në Tiranë banorët e kanë lirinë të jenë nacionalistë, liberalë, konservatorë, komunistë, rebelë, antikonformistë, rockstarë, socialdemokratë, fashistë, intelektualistë, profesorë, autoritete të dijes a të zanatit, kritikë, artistë, edhe kur s’janë asgjë. Në tiranë, edhe në qoftë ndokush diçka, presupozohet me të drejtë, që nuk është asgjë, përndryshe do qe transferuar në Tiranë.

Në Tiranë njerëzit buzëqeshin, sepse kanë gjetur mënyra më fisnike për ta vënë poshtë tjetrin. Në tiranë njerëzit buzëqeshin sepse janë poshtë. E për të vënë dikë më poshtë iu duhet të përveshin mëngët e të rrihen, rrugëve apo në dhomë të gjumit.

Në Tiranë fatkëqinjtë stresohen, hanë shumë apo bëjnë shoping. Në rastin më të keq bëhen melankolikë e jepen pas Lethe-s e pas nervozizmit poetik. Në tiranë fatkëqinjtë vrasin mendjen për fundin e muajit, për pagesën e kredisë, për të mos i prishur qejfin shefit, për të mos zhgënjyer fëmijët apo bashkëshortin. E në qofshin me tërë mend fatkeqë, flenë poshtë ndonjë ballkoni a ndonjë shkalle, e jepen përgjithësisht pas nepenthe-së e lypjes.

Këto dy realitete ekzistojnë krejt të ndara, edhe pse gjeografikisht përdorin të njëjtin qytet, të njëjtat rrugë. Nëse je brenda njërës, nuk e shikon dot tjetrën, qoftë dhe një cm. larg teje. Mund ta sodisësh, mund të të duket bukur a shëmtuar, mund të ndjesh zili apo mëshirë, po nuk e shikon dot. Sepse për ta shikuar tiranën duhet të mos jesh pjesë e Tiranës, e anasjelltas. Do të thotë, duhet të shkëputesh prej të dyjave, që të shikosh realitetin e qytetit që nuk është i joti. Dhe kjo ngjet shumë rrallë, pasi një ideologji e tërë edukon këdo të shohë punën e vet, e jo të tjetrit. Në rastet kur ngjet e kur diktohet, dënohet – etiketohet me lloj-lloj etiketash që sugjerojnë nuanca të ndryshme të marrëzisë.

Dy realitetet, në u lejofshin të vëzhgohen prej njëra tjetrës, do të konfliktohen pashmangshmërisht. Në e pafshin njëra-tjetrën, ato do të kapen për fyti, sepse nuk mbërrijnë dot të komunikojnë. Sepse ato flasin dy gjuhë të ndryshme, edhe pse po shqip, edhe pse me të njëjtat fjalë. Përshembull vetë fjalët bazë të shqipes: jetë, bukë, libër, armë, dhunë, vuajtje, zhvillim, kënaqësi, vdekje, nesër, dje, tani, lëvizje, shtëpi, familje, dashuri, urrejtje, unë, ti, ne, ju, kam, jam, bëj, punoj, shes, luftoj, ruaj, flas, vras, lexoj – e shumë fjalë të tjera bashkë me to, kanë kuptime të papërputhshme e konfliktuale në këto gjuhë të ndryshme të dy qyteteve në fjalë. Edhe gjestet nënkuptojnë të tjera gjëra.

Do të qe detyrim i çdo personi që mbërrin ta shohë dallimin, ta përshpejtojë ciklin e konfliktit mes këtyre dy qyteteve – që prej tyre të lindë një qytet që është një, që nuk është më asnjë prej këtyre dy qyteteve, por një aufhebung i tyre. Konfliktet nuk duhen vuajtur të pashpërthyera, të paplasura, siç po i vuajmë ne, banorët e qytetit që nuk është një. Por si do të qe rezultati i këtij konflikti, nëse do të shpërthente tani.

Nëse konflikti midis Tiranës dhe tiranës do të shpërthente sot, rezultat nuk do të qe përnaltësimi, dalja përtej kësaj situate përmes emancipimit. Përkundrazi, do të qe një riprodhim i të tashmes, një përsëritje, ndoshta e ndryshme në formë, po jo në thelb, e të njëjtës dasi midis qyteteve. Ndoshta ca banorë të tiranës do të shkonin në Tiranë, e ca të tjerë do të bënin rrugën e kundërt. Por asgjë s’do të ndryshonte – jo pse janë forcat e barabarta midis pjesëve në konflikt, po pikërisht se forcat janë të pabarabarta e janë në favor – jo ata që dëshirojnë kohezionin, por ata të cilëve u intereson fraksionizimi, bash kështu si është tash. Pra ata që janë përgjithësisht rehat, banorët e Tiranës, edhe pse janë të paktë në numër, e kanë të garantuar fitoren, nëse në fushën e shahut gurët vendosen ashtu siç janë tani. Sepse, diferenca kryesore midis Tiranës dhe tiranës nuk qëndron tek ato që përmenda më sipër, por te fakti që banorët e Tiranës janë në gjendje të shprehin interesa të përbashkëta, janë të njësuar rreth tyre, ndërsa banorët e tiranës sot për sot dinë të shprehin vetëm interesa individuale. Sado shumë që të jenë, banorët e tiranës janë “stan me lepuj”, individë që thyhen lehtë prej sundimit.

Në një tekst të paradokohshëm Ardian Vehbiu më përgjigjej duke e kundërshtuar përkufizimin mbi politikën si “art i shtrimit të konfliktit”, apo si art i plasjes së flluskës së qelbit, në pastë një art të tillë. Sipas tij [p]olitika nuk mund të jetë veçse art i kompromisit, dhe në [n]jë sistem demokratik e nënkupton pluralizmin, ose pjesëmarrjen në politikë të palëve me interesa dhe synime të ndryshme. E vetmja mënyrë si mund të bëhet politikë brenda një shoqërie pluraliste është duke i ulur palët në tryeza dhe duke arritur kompromise, pajtime, marrëveshje.(Statusi i Politikës)

Mirëpo, a po nënkuptohet pluralizmi e demokracia? A po nënkuptohet pjesëmarrja? Historia jep mësim se as shoqëria, as dijet, nuk do të mund të përparonin pa nxitur shtrimin e problemit (problemi s’është vecse një mënyrë e shfaqjes së një konflikti). Një shkencë mund të shpallet e vdekur në momentin hipotetik kur nuk mund të shtrojë më probleme. Një shoqëri bie në stagnacion, e nuk përparon më, në momentin kur e pamundëson konfliktin.

Në sistemet e dikurshme perandorake territori interpretohej vetëm si ajo çka shfaqej si e banueshme, domethënë si sipërfaqje tokësore ku gjallonin banorë. E për të kontrolluar këtë sipërfaqje, perandoritë përdornin ndër të tjera edhe ideologjinë që përcjell formula divide et impera.

Ideologjia e ndarjes (dividere) nuk ka qenë e kufizuar veç në kohë të Romës klasike. Ajo e ka përcjellë gjithnjë sistemin e dominimit të të paktëve kundër shumësive. Sot nuk ka perandori në sensin klasik të fjalës, ama ekzistojnë entitete të përkufizueshme në linjat e perandorive të dikurshme, nëse territorin e interpretojmë disi ndryshe (siç ka bërë H.Marcuse në vitet ’30, apo D.Harvey sot fjala vjen), meqenëse aktualisht nuk banojmë vetëm sipërfaqje, po banojmë dhe gjuhë, banojmë vlera, banojmë histori, banojmë kulturë, banojmë ekonomi etj. Këto perandori të reja që synojnë të sundojnë territore të reja, nën dinamizmin e fluiditetin që u garanton zhvillimi i teknologjisë, përdorin sërish të njëjtën metodë për të justifikuar përqendrimin e pushtetit në fare pak duar. Ideologjia e ndarjes është ajo që bën të pamundur një të vërtetë të palës së dominuar, përmes fraksionizimit të saj gjer te individi (i pandashmi). Palës tjetër nuk i lejohet të jetë popull, masë, komb, shtresë, klasë, apo çfarëdo lloj grupi që tenton njësimin (bashkimin). Ndërkohë, në vetvete dominuesit e gjejnë të lehtë të bashkohen, pasi të vërtetat e tyre janë pak e të lexueshme lehtësisht – pushteti, kontrolli e institucionet që e garantojnë atë.

Në kushtet e ndarjes së njërës palë, dhe përbashkimit të palës tjetër, është e kotë të supozosh që një ballafaqim i mundshëm mund të sillte ndryshim. Përkundrazi, do të riprodhonte aktualen.

Emancipimi politik nënkupton punën politike në dy shina, për të ndërhyrë në këtë realitet. Së pari nënkupton përpjekjen për të stabilizuar qendra të përbashkimit në anën e atyre që janë shumë por që janë vetëm, e së dyti, përpjekja për të destabilizuar e për të krijuar përçarje në anën e dominuesve – që gjer më tash, për të mirën e vet e kanë krijuar një farë komunizmi të kufizuar (oksimoron ky, se komunizmi si ide universale nuk mund të jetë përjashtuese, parciale, shtresore apo partikulare).

Për të përdorur gjuhën e publicistëve, në rast se PS e PD janë dy të këqija që po konfliktohen, duhet bërë çmos që këto dy të këqija të mos e shuajnë njëra-tjetrën, së paku jo tani, kur ende nuk është shfaqur në skenën politike ndonjë lëvizje progresiste, si fjala vjen “Vetëvendosja”, në Kosovë. Për sa kohë që të dominuarit janë në gjendjen politike më minimale, janë në gjendjen e individit, së paku të bëhet çmos që të mos marrë dominimi gjendjen maksimale, atë të totales e të përbashkimit. E kjo nënkupton mbështetjen, në një mënyrë ose në një tjetër, të së keqes më disfunksionale, asaj që duket se po humbet e po shuhet. Në pak fjalë, jo vetëm që nuk duhet lejuar që një e keqe të mposhtë të tjerat e të mbledhë rreth vetes gjithë pushtetin e dominimit, por duhet bërë çmos që e keqja të fraksionohet në dy, tre apo sa më shumë të këqija. Divide et impera – duhet kthyer mbrapsh, përkundër dominimit e duhet përdorur si armë çlirimtare. Nuk duhet lejuar fitorja totale e gjysmës të së keqes mbi gjysmën tjetër, kjo do ta njësonte atë, do ta bënte totale e të pamposhtshme. Kjo është premisa për të lënë gjallë potencialitetin për krijimin e një qyteti të ri, e një qyteti të përbashkët.

A.Zaimi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: