Arber Zaimi

njollë balte

In Vjersha on 9 Mars, 2012 at 19:14

O homem de sete cores, 1915 - Anita Catarina Malfatti

e pakuptueshme është sëmundja jote

a thua të ka mallkuar ajo që sëmurej aq kollaj – harrove?

e harrove shiun në mesnatë, këngët dhe shtretërit e dergjjes në kohë ethesh

ndoshta prandaj je sëmurë, mallkim që kurrë të mos harrosh

helmim

po jo ndonjë kiamet

 

njerëzit që pinë e njohin njëri-tjetrin

dhe dehen aq sa ta shndërrojnë parisin

në vend ku mund të shkosh thjesht për të vjellë, kokëposhtë ndaj një lumi

e më pas të rrihesh nëpër rrugë me parizienë pa ngjyrë

në tre të natës

është qejf të jesh i varur kokëposhtë mbi senë

e dikush të të mbajë për këmbësh

të vjellësh

e të shohësh drita që bien mbi valë

ndërsa koka përplaset bordurash

 

xhunga

si simbol i kujtesës

aletheia si xhungë

ndërsa vjell përmbi lethe

të kujtohet ajo, kur fut gishtat në grykë

trupi që fillon e i dridhet

bën ato kurbaturat, goditjet e spazmat

sëmuret me pahir ndër histori idiote

(le të themi që vashat kanë lehtësi në kësilloj punësh

pa hyrë në gender theories)

 

ajo të pyet për xhezven, i teket të të bëjë një kafe

ndërsa ti i kërkon të të shkelë ngadalë mbi kurriz

siç ke shkelur ti tët’ atë kur ke qenë fëmijë

pse s’i ndjen prekjet e lehta, s’i ndjen gudulimat

e as shkeljet s’i ndjen kur janë shumë të kujdesshme

manipulime lëkurore që ajo i ka kaq shumë qejf

se ajo i dashuron torturat e tua

fizike e jo

 

jo sot, duhet përqëndrim që ta torturosh

ndërsa ajo do të të shohë ndër sy atë mllefin

që ti s’ia tregon dot kujtdo

arsyen e trishttë pse ajo nuk zbret kurrë

ndër njerëz

je i sëmurë, dukesh kaq i pafaj dhe i verdhë

ka dëshirë t’i shohë në ftyrë ata që torturon

aty e merr gjithë qejfin, t’u lexojë sytë, mendjet

pulsin e qafës

 

skuqjen në fytyrë nga mungesa e frymës

gjersa ti e shtyn e i jep një pëllëmbë

që vendos tjerë kufij rrotull nesh

se ne diskutojmë teori këtu, jo njerëz apo rrethana

ajo pyet, e ti nuk përgjigjesh

le të jetë kjo torturëza për ditën e sotme

 

e ndërsa ajo vjen në orgazma të grunjta korrikësh

ti ndjek lumin tënd

të thellë e të gjerë

që të çon gjetiu, nëpër errësirat e pasdrekeve të përgjumëta

lumi bie erë tokë

erë dhe i lagur prej shirash verorë

kur është aq ngrohtë sa pluhuri të ngjit në lëkurë

merr frymë thellë

pse mendon se na i dhanë këto ndjesi të mallkuara?

 

cilat? pyet ti

këto, që ndjej tani

cilat?

 

ti e di, tufën me përskuqje të dhunshme që pëshpëriten në vesh

e gjithçka tjetër që ti e do a s’e do, s’e di mirë

e tmerrshme, e sheh, s’duhet të kishit biseduar

ju të dy

 

a ia di limitet vetes?

a po ia kërkon limitet vetes ndërkohë?

apo thjesht dëshiron që të të shtypë kurrizin e të ecë përmbi ty

e zhveshur, të të shtrydhë portokaj, sa herë që sëmuresh

pastaj të vijë e të shtrihet përmbys pranë teje

me krelat shpërhapur mbi shpinën e bardhë

ndërsa ti e kqyr shumë seriozisht

duke u habitur

për gjëra pa lidhje

fytyrën e saj, si të një fëmije

që dëshiron të bëjë pyetje, mirëpo s’i lejohet

rrudh buzët e lëngëzon sytë

se ti s’i ke blerë akullore në mëngjes

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: