Arber Zaimi

Shoqëri mesjetare me elita postmoderne

In Artikuj on 17 Mars, 2012 at 14:01

Le bal bullier, 1913 - Sonia Delaunay

Është ves i intelektualit që sa herë të hasë gjedhin e ngjashëm në ndonjë tavolinë kafeneje (reale a virtuale) t’ia nisë e të diskutojë për halle të mëdha. Në rendin logjik të konstatimit radhiten njëra pas tjetrës analizat e elitës mençurake, gjithnjë e më shpesh e arsimuar jashtë, e gjithnjë e më pak e lidhur me atë çka ndodh brenda.

Si qëmoti, diskursi mbahet pompoz, i mbushur me pleonazma që rrahin si çekan mbi gozhdët që duhet të ngulen mbi mendjen e tjetrit. Burrat e gratë qesin në tavolinën e tyre argumenta e kundërargumenta e herët a vonë përfundojnë në ngritje të zërit, si për të shtyrë tej çdo hije të vëzhgimit interesant të Leonardos “dove si grida non c’e scienza”.

Nëntëdhjetë përqind e këtyre diskutimeve të zjarrta ndizen mbi gjendjen aktuale të shqiptarëve, mbi dambllanë e tranzicionit, mbi fajet e pushtetarëve, mbi fajet e popullit, mbi prapanikërinë, mbi varfërinë shpirtërore e injorancën, mbi dasitë reale e fiktive, mbi absurdin, mbi gjuhën standarde, mbi gjeopolitikën e mbi mallkime të tjera kësisoj. Dhjetë përqindëshi që mbetet diskuton gjëra edhe më pak interesante, me një gjuhë edhe më pompoze. Në sfond të diskutimeve përgjithësisht ka libra, destini bashkëkohor i të cilëve është dekorimi në mure çajhanesh e kafehanesh, e për ekuivalencë gjeokulturore, edhe në mure loungesh ku zdërhallen oksidentalët tanë.

Në një të tillë ambient para ca ditësh bujti prof. Shenasi Rama, një figurë e respektuar për faktin që ka mbetur jashtë vorbullës me zdral të pushtetit shqiptar në 22 vjetët e fundit, si dhe për ndonjë analizë kritike të guximshme që ka dërguar së jashti. Ai prezantoi librin e vet me një tiradë statistikash mbi mjerimin e shqiptarëve në Shqipëri e në Kosovë, duke analizuar sipas teorive të elitave, se faj për këtë kanë elitat e përzgjedhura dhe funksionimi i tyre në interes të vetvetes. Ndërkohë që dëgjoja e pajtohesha me fotografinë që prof. Sh. Rama i bënte shoqërisë shqiptare në të dyja “shtetet”, (fotografi që tash është aq e qartë sa që s’ka nevojë as për thjerra) u bëra skeptik kur dëgjova rrugëdaljen që ai propozonte, shfaqjen e një elite të ndriçuar që pasi ka parë botë me sy, do të vijë të vendoset në ballë të popullit që do të jetë në gjendje “të fitojë luftën edhe pas 99 betejave të humbura”, një lloj gramscizmi i lexuar mbrapsht, një lloj leksioni për kapitalin – se si duhet të bëhet më i pranueshëm e më i butë në dukje, që të krijojë hegjemoni.

Së pari, elita si superstrukturë e pushtetit (qoftë elitë e kamjes, qoftë e dijes), ashtu si dhe shtresat përposh saj, nuk përcaktohet prej shfaqjes, prej gradave a diplomave, prej nderit a moralit, prej background-it të individëve që e përbëjnë, por prej marrëdhënieve brenda shtresore e ndërshtresore që e ndërtojnë e që i ndërton, prej mënyrës se si zhvillohen e prej përmbajtësisë së këtyre marrëdhënieve. Cilado qoftë elita që vjen në pushtet, në Tiranë apo Prishtinë ardhtë kjo dhe prej Gjermanie në formën e ndonjë Princi modern, ardhtë prej Nju Jorku si mision i OKB-së, makar ardhtë dhe prej hëne, marrëdhëniet rreth saj e me të do të jenë të njëjtat, për sa kohë diçka thelbësore nuk i ndryshon ato marrëdhënie.

Për sa kohë besojmë se teknologjia lot rol përcaktues në shoqëri, e për sa kohë besojmë se struktura ekonomike është një enë që ia transmeton formën përmbajtjes shoqërore, jemi të detyruar të konstatojmë se shqiptarët jetojnë në një periudhë paraindustriale – të mesjetës së vonë. Ata rrezatohen me teknologji e dije prej së jashtmi, natyrisht, mirëpo janë një ishull plot me antikuare të konfirmuara shoqërisht e politikisht. Nuk janë ishulli i vetëm në globin postmodern, po janë një ishull interesant për eksperimentim, gjithsesi.

Jose Ortega y Gasset te libri i tij “El hombre y la gente”, që është një kurs interesant leksionesh mbi se çfarë është shoqëria e se çfarë është shoqërorja, shkruan se një ndër elementet që shquajnë njeriun prej kafshëve është të abstraguarit brenda vetvetes (sp. ensimismarse – të vetvetohesh). Është një proces i bluajtjes brenda mendjes, i meditimit të asaj çka ndodh jashtë ndërkohë që veten e sheh dhe e mbrun si subjekt, si aktor e faktor që pëson atë çka ndodh, po njëherazi planifikon dhe vepron për të ndryshuar ambientin, në favor të vetes, jetës a së ardhmes. Këtë aftësi Ortega y Gasset ia mvesh edhe shoqërisë, që për të qenë e tillë hap sytë e brendshëm e nis të politizohet, nis të mendojë si një subjekt, që të mos jetë objekt i shkulmeve të rastësisë apo vullnetit të së jashtmëve.

E kundërta e kësaj aftësie, që të bëjmë pak tautologji, është paaftësia. E meqë kjo aftësi (për vetvetim) e bëka njeriun – njeri, i bie që paaftësia e ruan kafshën – kafshë. Kështu sociologu spanjoll merr shembull majmunët në kafazin e zooparkut, këto kafshë që na ndjellin për krahasim, meqë janë kaq të ngjashme me ne. Majmunët, thotë Ortega y Gasset, kur nuk janë të zbutur e të mësuar me njerëzit e me parkun, janë gjithë kohës vigjilentë, gjithë kohës të alarmuar, veshët pipëz e sytë zgurdulluar, për të kuptuar se ç’po ndodh jashtë. Reagimet e tyre janë tërësisht të varura prej rrethanave, kryesisht në dy linja, ose tremben ose gëzohen, ose ia mbathin, ose bëhen të dhunshëm, ose qeshin kur i dhurojnë diçka me ngjyra a me shije. Vetvetja e tyre, spekulon autori, gjendet e tëra jashtë vetes. Qenia e tyre është në fakt tjetri, vëzhguesi, vizitori, roja. Ata nuk e kanë mundësinë të vetvetohen, e janë objekte të gjithçkaje që mund t’i ndikojë.

Pa dashur të them që shqiptarët janë majmunë (se kjo tezë nuk është as origjinale e as e dashur), dua të them që si shoqëri, gjithsesi shqiptarët rrëfejnë se e kanë të vështirë vetvetimin. Meqenëse qendra e gravitetit të strukturës ekonomike të kësaj shoqërie bie jashtë saj, meqenëse këtu konsumohet gjithçka e nuk prodhohet asgjë, ndërsa çdo i dyti i aftë për punë e për shkollë bën plane për emigrim, kuptohet që edhe qendra e gravitetit politik të kësaj shoqërie është jashtë, bashkë me qendrat e shumë dimensioneve të tjera. Kjo shoqëri e ka vetveten të jashtëzuar, e si pasojë, njëjtë si majmunët e kopshtit zoologjik, rri e përgjon se ç’ndodh, trembet e gëzohet nga fenomene e procese ndaj të cilave merr rol totalisht pësor – integrime, fusnota, fjalë ambasadorësh, qortime të ngarkuarish me punë… Ajo as që e kupton që “është një” edhe pse “është shumë”, ajo nuk bëhet dot një, prandaj nuk bëhet dot as shumë, nuk subjektivohet e nuk politizohet dot së brendshmi, prandaj i pret elitat nga jashtë.

Kjo shoqëri mesjetare, nëse nuk ia nis të synojë ndërrimin e vetes, nëse nuk ia nis prodhimit e industrializimit, do të vazhdojë të jetë terren lulëzimi për ryshfetin, për tribalizmin, për klanizmin, për plutokracinë, për servilizmin, për mafian – si fenomene karakteristike të një ekonomie feudale të vonë. E nuk është çështje elitash të ardhura prej së jashtmi a prej së brendshmi, është çështje angazhimi masiv popullor. Dyshoj se majmunëve, edhe po t’u kishin shtënë Spinozën brenda në kafaz, nuk do t’u ndryshonte thelbi, as paraqitja. Majmunët, thotë një teori biologjike, ia nisën të ndryshojnë jo prej elitave, por vetëm kur (përdhuni natyrës) nisën të grupohen, të komunikojnë, të punojnë e të planifikojnë. Ndoshta – do të thotë ndonjë liberal kultural – majmunët bënë gabim, pasi shoqërizimi i tyre primar u bazua në mite e në grand-narrativa jo shkencore. Ndoshta majmunët që i hynë rrugës për t’u bërë njerëz nuk e dinin se po prishnin rehatinë, po prodhonin politikë e shtypje – do thotë postmoderni liberist. Dhe e bukura është se kanë të drejtë, po të kishin mbetur asisoj, do ishin shmangur miliarda vdekje nëpër luftëra, miliarda krime, spastrime, mashtrime, përfitime. Mirëpo ja që nuk u pyetën asokohe zotërinjtë në fjalë. Se në u pyetshin tani, siç pyeten, natyrisht që dedikohen ndaj mbajtjes së stagnacionit për një popull ende feudal, natyrisht që e kanë më lehtë të pikturojnë fasada me bojë e me fjalë, kaltër apo rozë. Sepse përparimi nënkupton subjektivizim kolektiv… e kjo nuk është rehatia cinike e interesit të ngushtë.

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: