Arber Zaimi

Pengjet e Ferronikelit

In Artikuj on 25 Mars, 2012 at 13:20

Evocation d'une ille, 1870 - Victor Hugo

Më nj’anë konfuzioni gjeopërfytyrues i krijuar prej rrjeteve shoqërore virtuale, m’anë tjetër paaftësia për të lexuar shkallët e hartave, po sjellja e përgjithshme e njerëzve në Prishtinë të lë të mendosh se pakkush e di që Drenasi e impianti masiv i shkrirjes së xeheve është diku më pak se 20 km. larg. Praktikisht është në derë të shtëpisë të çdo prishtinaliu, e po të mos qe për një farë imponimi të politikave “decentralizuese”, Drenasi do të qe thjesht një prej lagjeve të jashtme të Prishtinës.

Rrallëkujt në Prishtinë i bie ndërmend ta vizitojë qytezën, e cila për më tepër gjendet në një tjetër njësi administrative (komuna e Drenasit), e tradicionalisht është pjesë e një tjetër krahine (Drenicës). Për më tepër, Prishtina është kryeqytet, Drenica është zonë rurale, me gjithë qytezat e veta që ndërtohen rreth një gërshetimi të jetës agrare e asaj industriale apo minerare, kryesisht të zhvilluar në kohë të komunizmit jugosllav. Kryeqytetasit katundari i duket distant, pavarësisht largësisë reale. Kundërvënia dialektike mes kryeqytetasit wannabe metropolitan dhe katundarit që jeton në fisin e familjen feudale shfaq dhe sipërfaqje spektakolare e politike. Prishtinaliu shpesh cinik, ironik, nuk angazhohet fizikisht në politikë, veç voton, sepse ka punët e veta. Prishtinaliu e do dhe e përkrah stabilitetin dhe stagnacionin tradicionalist tipik borgjez. Ndërsa drenicaku voton për PDK-në, se ata luftuan, se ata çliruan. Ai edhe angazhohet fizikisht që PDK të votohet 130%, se ata janë “kushërinjtë” e vet, pa lidhjen romantike me të cilët, ai s’është ashtu siç është mësuar të jetë. Si çdo bastion, Drenica e dy komunat e saj janë të varfra e të injoruara në ekstrem nga pushteti. Mirëpo edhe Prishtina është e varfër, jo pse e injoruar, por se nuk mund të mos jesh i varfër kur mjerimin e sodit nga kaq pranë. Është një prej vetive hakmarrëse të varfërisë, transferohet tek ty sapo ti e sodit.

Por, gjeografia imagjinare është superstrukturë dhe fenomen i shfaqjes. Përplasja e urbanit me ruralin dëshmohet më shpesh e pavërtetë se sa e vërtetë nëse kthehemi në gjeografi reale. Përshembull, një gjë që i bashkon prishtinalij e drenicakë është kultura thelbësisht individuale që kanë, dritëshkurtësia që nuk i lejon të shohin të përbashkëtën. Nuk i lejon sidomos kur kjo është projekt pozitiv, po çuditërisht nuk i lejon as kur e përbashkëta shfaqet si angazhim negativ, kundër një të keqeje të dukshme që ta bën fizikisht të pamundur mosballafaqimin. Një e tillë e keqe është reja e ndotur që rrethon impiantin industrial të Ferronikelit, skenë ku luhet e desublimuar, shpejt e shpejt, por e pavëzhgueshme gjithë tragjedia me pak akte e shqiptarit të Kosovës.

Ferronikeli ka mbërritur të marrë hapësirë në mediat ndërkombëtare e kombëtare sa i përket procedurës së privatizimit të këtij impianti, që ka qenë ndoshta privatizimi më i rëndësishëm që është bërë në Kosovën e pasluftës. Turboprivatizimi nisi në mënyrë qesharake e banale, rregulla e donte që të kish së paku tre ofrues, por kjo ish-ndërmarrje publike me interes për ekonominë kombëtare u privatizua dhe pse u paraqitën vetëm dy oferta. Për të qeshur pak më shumë me brutalitetin e kriminalitetit, le të bëjmë me dije dhe faktin që Ferronikeli iu shit ofruesit më të ulët, Alferonit “britanik” që ofroi 15 milion euro më pak se sa një firmë me kapital shqiptar.

Ky batak institucional e ky terr mbi atë çka ndodh nuk iu davaritën kurrë Ferronikelit tashmë privat. Veç privatizimit, që qartësisht është një rast i vjedhjes së pronës publike në emër të pasurimit të padrejtë të pushtetarëve e korporatave të huaja – nën vellon e mantrës neoliberale, Ferronikeli ka dhe dimensione të tjera tragjike. Dy prej tyre janë më shqetësueset, e ato janë kushtet e punës dhe ndotja. Për të dyja nuk ka statistika e studime të besueshme. Xhanëm, në kushtet që është katandisur shkenca e akademia në Kosovë, në kushte të militantizmit të skajshëm, statistikat ekzistente dihet që rrëfejnë historinë e paracaktuar, ose prej Thaçit, prej ndërkombëtarëve, prej korporatave a prej donatorëve që shtyjnë fort për implementimin e politikave jo gjithnjë në përputhje me interesin vendas. Një pjesë e mirë e njerëzisë janë bindur që meqë s’ka statistika, s’ka në fakt probleme, a thua se problemet lindin prej statistikës, apo a thua se njeriu sëmuret pasi shkon te mjeku…

Sa i përket ndotjes, studime shteruese s’ka, mirëpo mjafton të nuhasësh ajrin e Drenasit për të kuptuar se diçka s’shkon. Nëse ekspozon në ambient të hapur një pecetë të bardhë të lagur, pas një farë kohe do të kesh mundësi të shohësh edhe me sy se ç’thithin mushkëritë. Bimësia e qytetit si edhe e disa fshatrave afër ka një ngjyrë si të murrme në të kuqërremtë, ndërsa banorët tregojnë se kur therin bagëtitë, mushkëritë kanë njolla të zeza. Natyrisht që banorët s’janë as veterinerë e as mjekë specialistë, po kanceri i lëkurës e i aparatit frymëmarrës ia ka nisur të rastisë më shpesh se zakonisht këto vitet e fundit. E ndërkohë që media e opinioni publik pret që të flasin kimistët, fizikanët, biologët e mjekët, banorët nuk mund të rrinë pa folur. Ata tregojnë që Ferronikeli i privatizuar po punon me thuajse dyfishin e kapacitetit maksimal të mëparshëm, edhe sipas raportimeve të menaxherit privat. Ky dyfishim i kapacitetit maksimal, rrëfejnë banorët e Drenasit, nuk ka ardhur prej investimit në zgjerim të kapaciteteve prodhuese të reja, apo rinovimit të atyre ekzistente. Jo, dyfishimi i prodhimit vjen për shkak të punës së pandërprerë, me tre turne në 24 orë, si dhe me disa “kompromise” në emër të rritjes së efiçiencës. Këto kompromise, qarkullon thashethemi, kanë të bëjnë edhe me çaktivizimin e filtrave gjatë natës, meqenëse i vetmi monitorim që detyron mbajtjen e filtrave në oxhakët e shkritoreve, ndodh gjatë ditës. Natën zhurma rritet, kutërbimi i gazrave të ndotur mprehet, ndërsa sytë e shtetit që do duhet të garantonin respektimin e ambientit dhe shëndetit të njerëzve, flenë.

Pjesë e ndotjes janë edhe shpërthimet, si ai i 5 marsit të 2012, që edhe pse ndodhin brenda në uzinë, shkaktojnë jashtë tronditje që thyejnë xhama e çajnë mure të banorëve që jetojnë pranë. Banorët protestuan e u organizuan – jashtë linjave partiake meqenëse kanceri dhe tërmeti nuk është vërtetuar ende që prek vetëm opozitën, por para u shfaq policia, që në rastin e fundit përdori pepper spray (siç duket policia përdorka lotsjellës edhe ndaj drenicakut…) si dhe dhunë brutale, fizike e verbale duke sulmuar qytetarët të cilët ua paguajnë rrogat policëve për të qenë të mbrojtur, e jo të sulmuar.

Jo të gjithë në qytezë e pranojnë që ka kaq shumë ndotje. Ndër ata që e kundërshtojnë ndotjen, janë disa prej sindikalistëve drejtues që operojnë brenda në uzinë. Ata, edhe pse u premton që nuk ke për t’ua nxjerrë emrin kurrkund, mbrojnë tezën që qyteti nuk është i ndotur aq sa ç’është perceptimi i banorëve. Po pse sindikalistët e punëtorët, që njëkohësisht janë edhe banorë e konsumatorë të ndotjes, rreshtohen nga ana e atyre që mbrojnë kompaninë? Mos vallë prej kushteve të mira të punës e prej mirëqenies në familjet e tyre?

Përgjigjja është krejt tjetër. As rrogat nuk janë dinjitoze, as kushtet e punës nuk janë të mira – e nën zë ka punëtorë që të tregojnë se nuk kanë as rroba mbrojtëse të reja, ndërsa shkritoret kanë kohë që nuk janë riparuar, e paraqesin ekspozim të madh ndaj rreziqeve. Nuk kanë qenë pak punëtorët e gjymtuar, madje së fundmi morëm vesh edhe se paradokohësh një punëtor kish humbur jetën – po kjo s’është bërë publike (ashtu siç nuk bëhen publike statistikat e vërteta në këtë shtet të sunduar prej gërshetës pushtet klanor – pushtet korporativ). Pse s’flasin punëtorët publikisht e pse nuk organizohen ata për kushte më të mira pra – mund të pyetet nga larg. Nga afër, po të rrish pak me ta në qytet, kupton se s’ka kuptim as vetë pyetja. Një pjesë dërrmuese e trupës punëtore të Ferronikelit rezulton që paska marrë kredi individuale e familjare në një bankë të famshme austriake. Kreditë janë të vogla 5 deri në 10 mijë euro, po aq mjaftojnë sa për të shtuar pasigurinë e këtyre njerëzve që rrojnë me ankthin e së nesërmes vetjake e familjare. Në u ndërpreftë rroga e tyre e vogël, ata humbasin edhe shtëpinë apo ndonjë pasuri tjetër që mund ta kenë lënë peng në bankë. Duket si konspiracion (ata që kanë qejf teoritë konspirative tashmë e dinë që kompania që zotëron Ferronikelin i përket do hebrejve ruso-britanikë e menaxhimi është hebreo-grek). Po unë nuk besoj te konspiracionet. Fakt është se punëtorët, bashkë me kolateralin kanë lënë peng në bankë edhe vetveten. Tregojnë që edhe kur dëmtohen fizikisht, hezitojnë të marrin raport mjekësor, dhe kurohen vetëm nga mjekët e brendshëm të uzinës, pasi u duhet të lënë sa më pak prova për çka ndodh aty brenda.

Aty brenda shkojnë hera-herës pushtetarë komunalë e qendrorë, shkojnë media e shoqëri civile, të bindura për nevojën për ndërhyrje në mbrojtje të qytetarëve e të rajonit. Por, rrëfejnë punëtorët, kush del nga zyr’e drejtorit del disi më i urtë, i zbutur.

Kjo është situata në Drenas, në këtë qytezë të marrë peng mes mjerimit e sëmundjes. Situatë për të cilën nuk janë fajtorë vetëm ata, që janë aty. Më së shumti janë fajtorë prishtinalijtë, që edhe mjerimin, edhe ndotjen e Drenasit e kanë te pragu i derës e megjithatë sillen sikur t’jetojnë në një tjetër kontinent e u duket New Yorku më afër meqë e vizitojnë më shpesh… Çinteresimi e cinizmi i tyre, apo shqetësimet e vogla me të cilat mbulojnë dhe maskojnë plagën e stërmadhe, natyrisht që i leverdisin pushtetit që dëshiron vetëm të vijojë të shkrijë kapacitete njerëzore e natyrore në emër të përfitimit personal. Uzina, që dikur qe kompleks industrial përpunues e nxjerrës, sot është shndërruar në një mekanizëm shkrirjesh të mineraleve që vijnë nga kudo, nga Shqipëria, nga Mali i Zi, nga Bullgaria, nga Greqia, por më së shumti nga India e Indonezia. Mos vallë nuk bëhet dot shkrirja në Indonezi? Bëhet, por Kosova zemërgjerë ka bërë marrëveshje tepër interesante me privatizuesin e uzinës, duke ia shitur energjinë me çmim sa gjysma e kostos së prodhimit nga Korporata Energjetike e Kosovës. Kjo e bën të leverdishme këtë lloj biznesi të shkrirjes, vjen mineral e shkon metal, ndërsa këtu mbeten vetëm mëditjet e vogla, ndotja e rryshfeti. Një lloj fasonerie industriale, shpikja më e re e shfrytëzuesve grabitqarë, që po shtrydhin çdo mundësi të fundit për t’ia lënë Kosovës vetëm skeletin. Edhe atë të dëmtuar.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: