Arber Zaimi

We, the jokers

In Artikuj, Ese on 2 Prill, 2012 at 00:03

Circo equestre, 1927 - Antonio Donghi

Është epika e pinjollit të një familjeje krenare e plot vlera, të një familjeje aristokratike të sërës së lartë. Është epika e pinjollit më të vogël të kësaj familjeje me histori të rëndësishme, miti i një foshnje që lind në një qytet ku jeta s’është e lehtë. Mes kaosit, ankthit, stresit, dekadencës urbane dhe errësirës frenetike ky djalë, që i vogël pëson një goditje në shpirt, aty ku dhemb zemra. Legjendë moderne, qytetare, fëmija i vogël që sheh me sytë e tij se si ca kriminelë ordinerë i vrasin pa mëshirë prindërit. Prindërit që i do aq shumë, sidomos të atin doktor, të pasur, të pushtetshëm e të respektuar, të cilin gjithmonë do ta marrë si model në jetën e në bëmat e tij. Bëma që, falë përshtatjes me vlerat e përgjithshme, shumë shpejt do ta shndërrojnë në një nga pop-simbolet më të rëndësishëm të kohës së sotme. Historia shkon paralelisht me ndërtimin e ciklit të bëmave epike, vetëm se në këtë poemë moderne që zhvillohet në faqet e librave me vizatime, apo nëpër ekrane kinemash sistemi tipik binar i “të mirës dhe i të keqes” nuk përfaqësohet nga perënditë, por nga personazhet.

Ambienti ku zhvillohet karakteri heroik i së mirës është i ndryshëm në cdo kulturë, dhe ashtu si Herakliu rritet si bari, mes natyrës e punëve të rëndomta, duke u bërë njeri më i pranueshëm për helenët e lashtë, heroi ynë rritet mes gjithë të mirave, si trashëgimtar i një perandorie gjigande financiare, që të bëhet më i venerueshëm sipas vlerave e frymës që imponon shoqëria aktuale. Por sikleti në zemër nuk e lë të qetë këtë hero, ai ka një motiv, ka hak për të marrë ndaj padrejtësisë kriminale që bënë disa njerëz të këqinj. Bruce Wayne vendos të kthejë drejtësinë. Në një qytet plot padrejtësi e korrupsion, në një qytet ku institucionet jo gjithnjë funksionojnë si duhet ky djali i ri me fizik të skalitur, fytyrë të pashme e fisnike, sjellje e qëndrim prej soji, zgjuarsi për t’u admiruar, ky playboy i famshëm, i pasur jashtë mase, i dëshiruar nga çdo femër, vendos të vërë mbi fytyrë maskën e seriozitetit gri, maskën e drejtësisë absolute, asaj që del mbi korrupsionin qytetar, mbi dekadencën, për të vënë ligjin, e për të marrë hak ndaj shkelësve të rendit. Krijohet Batman.

Ndryshe shumë heronj që prej Herakliut e këndej, Batmani nuk ka asnjë superfuqi. Ai mbështetet tek forca e tij intelektuale, tek kalitja fizike, tek intuita prej detektivi, tek oratoria imponuese. S’është vetëm kaq, sepse ndryshe nga shumë heronj të mëparshëm, ky hero, prodhim i ndërgjegjjes së shekullit XX zotëron pasurinë. Pas tij vjen një projekt i tërë, një industri. Ai zotëron prona, tunele e kështjella, batmobiles, batplanes, batboats, e një sërë shpikjesh që prodhohen në një laborator sekret, e në industritë po aq sekrete që i vihen në dispozicion këtij projekti kaq fisnik të jetimit Bruce Wayne. Nuk mungon as mbështetja njerëzore, ajo e majordomit Alfred Pennyworth, dhe ajo e pazhit minoren Robin. Projektet e mëdha kërkojnë mbështetje të mëdha dhe sakrifica të mëdha, në fakt mythosi do që Bruce Wayne të heqë dorë nga sa e sa celebrime mondane, nga sa e sa kënaqësi femërore, apo detaje të tjera të vockla, të bukura dhe bosh, nga ato që i japin formën aristokratike jetës. Në fund fare, mantra e tij është mantra e një sistemi të tërë ekonomik, social e kulturor siç e shqipton dhe vetë heroi i ciklit epik nën maskën e brejtësit fluturak Asgjë s’është me rëndësi, pos qëllimit”(3).

Nga ana tjetër qëndron antiheroi, kryekrimineli i kohërave një burrë thatim, flokëgjelbër, me buzë ngjyrëshegë e me gojë të çapëlyer që i vë në pah dhëmbët e verdhë si sharrë. E shkuara e tij është krejt tjetër. I lindur në një lagje të varfër të po të njëjtit Gotham ku kaosi i dritave artificiale nuk ia mbërrin kurrë të shuajë zymtësinë persistente të errësirës, antiheroi nuk ka një emër të vetin. Ai është anonim. Si të gjithë ata që i përkasin sërës së tij, në të gjitha kohërat, anonimi nuk ka ndonjë të shkuar për të cilën të jetë krenar, e për këtë arsye ky kriminel beson se ka patur një pafundësi të kaluarash dhe preferon të zgjedhë gjithnjë një të kaluar të ndryshme kur flet për veten e vet. Të gjithë e njohin, ai është The Joker, një lolo me pamje qesharake, një kriminel që vret e pret ç’të gjejë përpara, e gjithsesi drithmat më të forta t’i kall me atë çka thotë. Historia që pranohet gjerësisht për origjinën e këtij antisimboli është e ngjashme në formë me historinë e armikut të tij kryesor, Bruce Wayne-it, e gjithsesi ndryshon thelbësisht prej saj.

Anonimi që shumë vjet më vonë do të shndërrohet në tmerrin e rrugëve të Gothamit të zymtë, në armikun numër një të rendit e të drejtësisë, madje dhe të ethosit Batman që qëndron mbi rendin, sipas asaj ç’mund të kuptohet nga historitë që tregon dikur ka qenë thjesht një inxhinier i varfër që punonte në një industri kimike dhe jetonte në një lagje aspak tërheqëse, tamam si ato getot reale që meritojnë shtresat masive popullore, që duhet të djersisin për bukën e gojës. I lodhur nga kjo jetë aspak frymëzuese, anonimi vendos të ndjekë pasionin dhe talentin e tij, ai e lë punën në uzinë, dhe shkon e bëhet aktor humori nëpër kabare të vogla. Kënaqësia është e madhe, por fitimet janë shumë pak. Me sa duket të gjithë e kanë të drejtën morale të ndjekin pasionet e talentet në demokracinë fiktive të qytetit amerikan Gotham, por situata materiale dikton krejt të tjera zgjidhje. Shumë shpejt anonimi kupton se nuk po ia del mbanë të ushqejë gruan e tij shtatzanë, dhe gjendet në një nevojë urgjente për para. Një grup hajdutësh të vegjël që vishen me pelerina të kuqe e rekrutojnë menjëherë ish-inxhinjerin për të filluar një seri vjedhjesh në uzinën ku ky punonte më parë. Policia shpejt bie në dijeni, fillon ndjekja, dhe bash në ditën kur gruaja e tij do të lindte, anonimi përjeton tragjeditë më të mëdha të jetës së tij. Prej një neglizhence në shërbimin mjekësor, që nuk është për të tërë, po vetëm për ata që kanë, anonimi humbet gruan e fëmijën e sapolindur. Nuk mjafton kaq pak tmerr për të krijuar epikë. Në ndjekje e sipër të policisë ai rrëzohet në një kazan toksik, prej nga e nxjerrin dhe e çojnë në çmendinën e famshme “Arkhan Asylum”. Në momentin e parë që shikon vetveten në pasqyrë, anonimi kupton që jeta e tij nuk është më e njëjta. Buzëqeshja tashmë nuk mund t’i shqitet nga fytyra. Është shndërruar në një Joker.

Fatkeqësi për fatkeqësi, heronjtë janë thelbësisht të ngjashëm, ata në fakt ndryshojnë vetëm nga gjendja financiare, dhe nga shtresa shoqërore nga e cila vijnë, njëri i pasur, tjetri i varfër. Të parit, bardët bujarë që shkruajnë eposin, i garantojnë bukurinë, virtytin, zgjuarsinë, moralin si dhe të drejtën për të dalë sipër ligjit dhe rendit keqfunksionues, ndërsa të dytin e mallkojnë me shëmti të përhershme, gjymti, çmenduri, latencë, hije, anonimitet, amoralitet, dhe ndalimin absolut të çdo veprimi të tij, nëpërmjet ligjit e jo vetëm. E megjithatë, heronjtë e gjejnë mundësinë të përballen, njëri duke dalë majë mjetit të tij luksoz nga kështjella imponente, e tjetri duke u arratisur si mi gjirizesh nga çmendina makabre e qytetit depresiv modern.

Të dy vendosin të dalin përmbi ligjin dhe marrëveshjen publike, për të vënë drejtësinë subjektive, për të thënë të vërtetën e tyre, edhe pse duket që autorët e veprës janë të ndërgjegjshëm që çdo lexues ka për t’i trajtuar me standarte të dyfishta veprimet e tyre… bash ashtu sic duhet.

Paragjykimi është i dukshëm, dallohet preferenca për thyerësin e ligjit Batman, i cili është ai që del mbi rregullin për të vënë rregull, për të marrë hak, për një drejtësi morale superiore, në fakt është pjesë e një elite pushtetarësh, që gjithsesi janë fajtorë për krijimin e qytetit panperëndimor Gotham City, por edhe për mbarëvajtjen e demokracisë diskriminative, paragjykuese e aspak egalitariste që aplikohet aty. Familja Wayne bashkë me të ngjashmit e tyre janë ata që ushqejnë korrupsionin, e tolerojnë atë se përfitojnë prej tij dhe janë në themel të dekadencës që rrjedh vetëm nga pabarazia dhe nga pamundësia e të varfërve për të pasur një jetë dinjitoze. E megjithatë, të gjithë kanë simpati për Batmanin, që i prekur në ndjenjat e veta personale, vendos të luftojë dekadencën duke dalë mbi ligjet që i ka vënë vetë ai dhe shtresa e vet. Të gjithë kanë simpati për luftën e tij të përsëmbraptë. Në fund fare kjo është dhe logjika e kësaj vepre propagandistike të “realizmit liberal”, të pasurit vënë ligje, dhe po ata i thyejnë ato, duke mbetur po aq simpatikë, po aq tërheqës, po aq modele të së mirës e të së drejtës. Në kundërshti me këtë, Jokeri, ky personazh i detyruar të hyjë në botën e krimit prej varfërisë së skajshme, e cila nuk e lejon të ndjekë prirjet personale, madje nuk e lejon as të ushqejë familjen e vet, ky person fatkeq, në fund fare shndërrohet në një lolo, në një klloun që mvishet me cilësitë e gjakpirësit, vrasësit, llumit të llumit prej propagandës. Ashtu si të gjithë armiqtë e heroit Batman, Jokeri e ka kaluar një pjesë të jetës së vet në çmendinën Arkhan Asylum (kjo simbolizon qartë atë çka ndodh me armiqtë e pushtetit popullor në demokraci, në vijim të një gjykimi Foucaultian). Arkhan Asylum nuk është veçse gulag-u kapitalist, vendi ku përfundojnë disidentët e këtij sistemi. Trajtimet e padenja në këtë vend simbolik luajnë një rol të madh në moralin psikotik (në dukje) të Jokerit dhe antiheronjve të tjerë. Autorët e kësaj epike moderne (që shpeshherë tregohen po aq të sinqertë sa Homeri kur përshkruante burrërinë e Hektorit, urtësinë e Priamit, apo dhimbjen e Hekubës e Andromakës), vënë në gojën e Jokerit në një nga duelet e tij me Batman fjalë kuptimplota, si këto psh.:

“Dëgjo, nuk më bëhet vonë nëse më kap e më kthen në cmendinë… Gordoni u cmend. Ia arrita qëllimit. Më në fund tregova që s’ka ndryshim mes meje e të tjerëve. Mjafton një ditë e keqe për ta marrosur njerinë më mendjehekurt. Kaq më ndan mua nga bota. Thjesht një ditë e keqe. Edhe ti e ke kaluar ndonjë ditë të keqe, apo jo? E di, e di. Duket. Ke kaluar një ditë të keqe dhe gjithcka ndryshoi. Se përse tjetër do të visheshe si mi fluturues? Ke kaluar një ditë të keqe, dhe je cmendur, si të gjithë… Vetëm se ti nuk e pranon! Ti ke nevojë të shtiresh sikur jeta ka kuptim, sikur ka një kuptim e gjithë kjo përpjekje! O zot ti më bën për të vjellë. S’marr vesh, si e ke hallin? C’të katandisi kështu? Mos ndonjë bandit të ka vrarë dashnoren? Ndonjë gangster të ka therur vëllain? Dicka e ngjashme, vë bast që dicka e ngjashme të ka ndodhur… Dicka e tillë më ka ndodhur dhe mua, a e di? Unë… nuk jam i sigurt se cfarë ishte. Ndonjëherë e mbaj mend kështu, ndonjëherë ashtu… Nëse u dashka të kem një të shkuar, preferoj ta kem me shumë zgjedhje! Ha ha ha! Po c’desha të them… c’desha të them? Unë u cmenda. Kur pashë se c’shaka e zezë e tmerrshme qe kjo botë dola mendsh, u bëra për t’u lidhur. Unë e pranoj! Po ti pse s’e pranon? Dua të them, ti s’je as jointeligjent! Ti duhet ta kuptosh realitetin e situatës. A e di ti sa herë i jemi afruar luftës së tretë botërore vetëm për një tufë me pata që shfaqeshin në radar? E di ti se cfarë e ndezi luftën e dytë botërore? Një sherr se sa shtylla telegrafi borxh i kishte Gjermania kreditorëve të vet! Shtylla telegrafi! Ha ha ha ha HA! Eshtë e gjitha shaka! Gjithcka që është vlerësuar, për të cilën ka luftuar ndokush është thjesht një lojë… një lojë e përbindshme e demente! Po si nuk arrin ta shohësh anën qesharake? Pse nuk je duke qeshur?”

E vërtetë, gjithë çka e ndan një njeri të shtresës së ulët nga Jokeri, është një ditë e keqe. Këta njerëz janë trojanët e sistemit të sotëm perëndimor, këto shtresa popullore janë të pafuqishmit qyteti i të cilëve pushtohet përditë, territori i tyre pëson parmendën e kapitalizmit në mënyrë të pandalshme, për t’u mbjellë në fund me kripën që nuk i lejon plagët të mbyllen. Çdo sistem ka propagandën e vet, ethosin dhe ethnosin e vet, dhe përqasjet epike për të krijuar mite legjitimuese. Sistemi i sotëm krijon mitet e veta tek suksesi i individit të shtresës së lartë, me pushtet e fuqi të pakufizuara, i mbrojtur nga negativiteti. Ndërsa armiqtë e këtij sistemi nuk janë askush tjetër, veçse ata më të pafatët mes nesh. Për ata që e kundërshtojnë, ky sistem propagande ofron dënimin më të rëndë, ridikulizimin, shndërrimin në personazhe qesharake, në gojën e të cilëve të vërtetat tingëllojnë si utopi të frikshme, si jerm marrëzirash. Nejse, ky shkrim u zgjat shumë, dhe meqë s’po gjej një mbyllje të përshtatshme, po huazoj një tjetër perlë të antiheroit të kësaj epike madhështore moderne: “Shih morali i tyre, zakonet… Janë të gjitha shaka të këqija, që braktisen sapo del ndonjë rrezik. Ata janë aq të mirë sa mund t’i lejojë kjo botë. Ta them unë. Kur gjërat shkojnë keq këta…hmm… këta njerëz “të qytetëruar” hanë njëri-tjetrin. Kupton, unë s’jam përbindësh. Jam thjesht ca hapa para”.

Arbër Zaimi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: