Arber Zaimi

Standardet e dënimit – punëtorë dhe ministra

In Artikuj on 4 Prill, 2012 at 19:06

Djalë i varfër (Poor Boy) - Ilir Pojani

Ca kohë më parë, teksa gjerbja kafenë në verandën e një bari të vogël e të lezetshëm qendërtiranas, mbushur me ornamente interesante amerikanojugore e dëgjoja pa shumë vëmendje një mikeshën time që i përket shtresës së të rinjve profesionistë e të mirëarsimuar – të përkëdhelur të politikës e të pushtetit – avitet pranë tavolinës një vocërrak imcak. Me baluket e verdha prerë drejt në ballë, model tas, me sytë e gjelbër që nuk gjenin prehje e i veshur në arna, ky djalë më ngjau si një ringjallje anakronike e ndonjë imazhi debatikas prej filmave propagandistikë të regjimit diferencues e shtypës që thuhet se lamë pas që prej 18 vjetësh.

Ai kërkoi pa drojë monedha, ndërkohë që mbante një lloj distance sigurie. I mësuar siç jam me fëmijët lypësa, këtë fenomen që na lajmëron westernizimin dhe demokratizimin e vazhdueshëm, të padiskutueshëm e të suksesshëm të demokracisë sonë kapitaliste e të shtetit tonë modern, në fillim i ktheva kurrizin lypësit, dhe bëra me dorë një gjest që nënkupton bezdi dhe urdhër për t’u larguar në të njëjtën kohë. Por interesi kurioz dhe impenjimi politikosocial i mikeshës time eksperte, e thirri fëmijën më pranë. Ajo e pyeti se pse lypte. Ai u përgjigj që duhet të lypte pse s’kishin pare. E pyeti për moshën. Nëntë vjeç. Pastaj e pyeti se përse nuk shkon në shkollë. Ai i tha që në fakt shkonte, përditë. Ajo nuk e besoi, dhe duke i ndenjur besnike një fushate sensibilizuese për lypësat (nga shoqëria civile), i tha të largohej. Se mikesha ime, bashkë me shoqërinë civile, besojnë që t’i japësh para lypësave të vegjël do të thotë të stimulosh skllavërimin e tyre, sepse kështu të rriturit do të vijonin t’i shihnin të vegjlit si burime fitimi të lehtë. Por meqenëse mua i gjithë ky arsyetim më rri ngushtë, më duket i cekët e pa baza logjike duke qenë se nuk denjon të shohë në sy shkakun primar të fenomenit, varfërinë e papunësinë, vendosa të ndërhyj.

Fëmija më tregoi se përditë duhet të grumbullonte pesëqind lekë (katër euro) së bashku me vëllain e tij dy vjet më të vogël, edhe ai një bjond mistrec, që vinte vërdallë tavolinave të barit duke lypur. Ata jetonin me të ëmën në kombinat, dhe ajo punonte nga mëngjesi në mbrëmje si shërbyese e pastruese nëpër shtëpi të ndryshme të Tiranës. Dy djemtë paraditeve shkonin në shkollë, dhe tre herë në javë frekuentonin kursin e anglishtes. Të gjitha këto po i merrja vesh nga përgjigjet korrekte dhe të shkurtra të djalit të vogël. Në një moment bisedën e pret ndërhyrja e mikeshës sime që me skepticizmin e saj cinik, karakteristikë e postnjeriut modern vendos ta testojë anglishten e djalit të vockël me ca pyetje quiz. Voci ruajti të njëjtin ritëm përgjigjjesh dhe në gjuhën angleze, pra përgjigjje të thata, të shkurtra, si të cdo djaloshi që mezi pret të shkojë e të luajë top, apo të kacaviret në ndonjë pemë të “kombinatit” të vet aq larg barit posh në zemër të metropolit.

Vazhdova ta pyes për familjen e vet. Dukej goxha inteligjent dhe i ndërgjegjshëm për situatën ekonomike të familjes së tij. Më tregoi pa ndonjë emocion të veçantë që të atin e kishte në burg, për vrasje. I ati kish punuar si murator në një nga firmat e ndërtimit, arkitekte të Shqipërisë së re që po lulëzon dita-ditës. Në muajt e fundit pronari i firmës së ndërtimit paskësh vonuar pagesat, dhe kryefamiljari ishte gjendur në vështirësi për të mbajtur me ushqim familjen e tij. Kishte shkuar disa herë për t’i kërkuar pronarit rrogat e vonuara, derisa një ditë pronari qe bezdisur aq shumë sa e kishte përzënë me sharje dhe kish vënë dy trima ta shtynin. Po atë ditë babai i bjondit vrau pronarin e firmës, dhe përfundoi në burg. Shumë shpejt erdhi dënimi, me 25 vjet burg, të cilat për efekt rrethanash u zbritën në 22. Kaq ishte historia e familjes së lypësit, që edhe sot e kësaj dite vazhdon të më përshëndesë kur më sheh në rrugën pranë barit modern që servir kafe kolumbiane.

Drejtësia u tregua shumë efikase me të atin e lypësit. Shteti e neutralizoi keqbërësin brenda ditës, dhe i dha dënimin e duhur në gjykatë, sipas afateve që përcakton ligji. Unë personalisht qëndroj për ligjin, dhe për respektimin e institucioneve, që do të ishin e vetmja garanci kundrejt kaosit. Në një debat mes drejtësisë institucionale dhe vetëgjyqësisë, afërmendsh unë do të zgjidhja të parën. Nuk kam për qëllim në këtë shkrim të denoncoj punët pa kontrata që i garantojnë pronarëve lirinë mbi abuzimin, nuk kam ndërmend të thërras në mendjet e njerëzve mëshirën për të varfrin, apo të kritikoj dështimin e shtetit që ka për detyrë të kujdeset për familjet në vështirësi ekonomike, apo për minorët që detyrohen të lypin. Asnjë nga këto.

Dënimi për ministrat

Katër vjet më parë një grup burrash të biznesit e të politikës, “intelektualë” me kostume të përzgjedhura me kujdes, zotërues të sa e sa jetëve njerëzore ishin duke fituar para në një mënyrë të paligjshme, duke mashtruar një seri institucionesh shtetërore, me ndihmë nga lart. Por jo gjithçka shkoi mirë. Për arsye të neglizhencës nuk ishin garantuar kushtet e sigurisë të ambientit ku zhvillohej “biznesi” i zotërinjve të ndershëm, dhe nga një aksident njerëzor u hodh në erë jeta e 26 njerëzve, e bashkë me to shpërtheu përgjithmonë stabiliteti i brishtë i shumë familjeve, u njollos me të kuqen e gjakut e me të zezën e zisë jeta e shumë familjarëve që tash gdhihen e ngrysen me zemrat gjymtuar prej humbjes së fëmijëve apo prindërve të tyre. Koha kaloi, dhe pak kohë më parë grupi i burrave të biznesit e politikës u ballafaqua me dënimin. Dënim shumë më i ulët se sa ai që u dha për babanë e lypësit. Ca prej tyre s’u dënuan kurrë, ca vijojnë punën me profil të lartë publik. Natyrisht që s’ka krahasim, vrasja e barktharëve që detyroheshin të punonin në kioskën prej llamarine ku demontoheshin armë ndoshta nuk është po aq krim për drejtësinë tonë sa vrasja e një biznesmeni që nuk u jepte rrogat punëtorëve të varfër. Ndoshta gabohem, por më duket se institucionet po bëjnë një zgjidhje preferenciale, po aplikojnë standarde të shumëfishta…? Apo ndoshta analogjia mes dy ngjarjeve nuk qëndron, kushtet ndryshojnë, konteksti po ashtu? Mos vallë nuk është njësoj përgjegjësia? Mos vallë me kalimin e kohës ne, opinioni publik, e kemi harruar Gërdecin dhe personat që humbën jetën aty, dhe na i pështjellon zorrët përdorimi politik i kësaj ngjarje? Nuk kam përgjigjje për këto pyetje. Por kam një pyetje tjetër në vend të përgjigjjes. Çfarë do të ndodhte nëse ndonjëri prej atyre që kanë humbur të dashurit në shpërthimin e 15 marsit 2008 do të vendoste që për hakmarrje t’i këpuste një plumb pas qafe ndonjërit prej atyre burrave me kostum firmato? Vallë do ta bënin ministër?

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: