Arber Zaimi

Moskokëçarjet për Mitrovicën

In Artikuj on 22 Prill, 2012 at 11:45

Honor Pythagoras, 1964 - Alfred Jensen

Pavëmendja e opinionit publik mbi tragjedinë e pandërprerë të shqiptarëve që jetojnë në veri të lumit Ibër, apo soditja e Mitrovicës nga larg – si një vend i mjerë e i përtejmë ndaj të cilit s’kemi ndonjë detyrim përveçse t’i dedikojmë dy-tre komente të cekëta gjatë kohës që shohim lajmet – përbën një shfaqje interesante të dukurisë politike që në përgjithësi do të mund të quhej “konformizëm”, apo pranim i sundit si realitet objektiv, në një formë të dhënë. Ky (mos)reagim i publikut në fakt përputhet me linjën politike që ndjekin hierarkitë e pushtetit, e ky botëkuptim nuk e ka patur të vështirë të bëhet hegjemonik ndër shqiptarë (edhe pse në dëm të tyre).

“Të mos e vrasësh mendjen për shqiptarët” është paradigma e pushtetit ndërkombëtar që e kthen përmbys dynjanë kur rrihet ndonjë serb – pavarësisht kontekstit, ndërkohë që shfaqet i habitur e i indinjuar kur shqiptarit në mes të qytetit i vendoset tritoli në shtëpi, i merret jeta e i dhunohen fëmijët. Ky standard i dyfishtë shfaqet edhe në qëndrimin “konstruktiv” që u mbajt kur u arrestuan punonjësit e Ministrisë së Brendshme të Serbisë në mes të Kosovës, të cilët shumë shpejt u liruan që të mos mërzitej shefi i tyre Ivica Daçiç, dikur beniamin i Sllobos famëkeq. Ndërsa serbët mbajtën në gjendje arresti (pa arsye, siç u shprehën dhe monitorues të Amnisty Int.) një sindikalist shqiptar për më shumë se një muaj, arrestuan policë të Kosovës e ish-pjesëtarë të UÇK-së pa teklif, organizojnë zgjedhje e mbajnë në këmbë strukturat paralele në Kosovë të cilat veprojnë haptazi edhe pse ilegale, pa u përballur me ndonjë presion a sanksion të mirëqenë.

Bindjen për ekzistencën e dy standarteve e përforcon edhe sjellja e Bashkimit Europian, që ia hapi dyert e kandidimit kujtdo, me përjashtim të shqiptarëve e bosnjakëve. Ndoshta vërtet, këta dy kombe nuk kanë ditur a nuk janë lënë të formojnë shtete funksionale – ama asnjë prej të dy kombeve nuk mund të akuzohet se i ka vënë flakë ballkanit, as qëmoti, as tani vonë. Përkundrazi, shqiptarëve e bosnjakëve u mbetet ende të shërohen nga varrat e luftës e nga dëmtimi material e shpirtëror që zor se kapërcehet pa ndihmë e pa solidaritet prej popujve të tjerë. Mirëpo ja që “vëllezërit” europianë preferojnë Serbinë – që vijon me këmbëngulje punën e vet siç po bën në Mitrovicën veriore, thelbësisht e formalisht njësoj, me të njëjtat metoda.

“Të mos vrarët e mendjes për shqiptarët”, për sa kohë është paradigmë sunduese e pushtetit ndërkombëtar shumë shpejt bëhet edhe mendësi për “pushtetarët e nënshtrimit” të këtushëm, këta individë mjeranë që nuk zotërojnë tjetër gjë përveç pushtetit. Kështu Prishtina zyrtare vetëm 11 ditë pas vrasjes së Selver Haradinajt në lagjen “Tre Rrokaqiejt” e Mitrovicës mbërriti të prodhojë një seancë parlamentare, ku ministrucët e Thaçit u përpoqën të relativizojnë urgjencën e krimit përmes një retorike impotente. Tirana zyrtare ofroi veç heshtje institucionale e ndonjë deklaratë prej “lojtarëve” të rëndë. Si Berisha, ashtu edhe Rama e sodisin Mitrovicën nga larg. Pas tyre, me dylbi edhe më të mjegulluara, qëndron gjithë kasta e pushtetit tiranas, që thellë-thellë mendon se është idiotësi të merresh me Mitrovicën, të diskutosh për të, të mbash seancë parlamentare apo mbledhje qeverie, të kërkosh të mblidhet NATO e OKB, sepse për ta e vetmja zgjuarsi është ajo që sjell para. Aty për aty.

Por s’është vetëm politika e Prishtinës dhe ajo e Tiranës ajo që konformohet, pajtimi me indiferencën ka një bazë ca më të gjerë. Kështu media e opinionbërës, në nivel qëndror e lokal, hezitojnë të analizojnë atë çfarë po ndodh në gravitetin që meriton. Nuk i vihet emri i duhur spastrimit etnik, as dështimit skandaloz për të vendosur rregull e ligj në një territor relativisht të vogël. Ndërsa “shtresa e mesme” (krye)qytetare, intelektualët organikë dhe opinionbërësit e tavolinave trendy dhe të rrjeteve sociale veprojnë në dy shina. Së pari veprojnë me mosveprim absolut fizik e intelektual, apo me atë që italisht quhet menefreghismo, e së dyti, duke etiketuar fare lehtësisht cilindo që mllefoset (për mirë a për keq) kundër gangrenës që ka 11 vjet që përshkallëzon.

Në një tekst të botuar në Express kolumnisti Arben Idrizi për shembull shkruante për frikën e tij nga “breivikët” ballkanas, që sipas tij janë përgjegjës për ngjarjet në Mitrovicë, në Maqedoni etj. Autori linte të kuptohej se diku pranë fshihet, i përgjumur ose jo, një përbindësh nacionalist ekstremist. Rasti përbën tipikisht zhvendosje të fokusit prej një problemi real, te një problem fiktiv – pikërisht për të justifikuar mosveprimin, apo menefregizmin. Të kërkosh vendosjen e ligjit e respektimin e sovranitetit shtetëror, sipas këtij botëkuptimi, na qenka fashizëm.

Por kjo retorikë s’është veç një mish-mash i lindur prej të notuarit në cektësinë e informacionit të blerë me “çmim shumice”.

Menefregizmi ka qenë ideologji e pushtetit fashist në Itali, e të dëgjosh një menefregist të akuzojë dikë për fashizëm është po aq kontradiktore, sa edhe e kuptueshme (e shumëzueshme me zero), sepse është njëjtë si të dëgjosh Breivikun që e quan veten “revolucionar”. Vetë ideja e indiferencës (shpesh e maskuar si impotencë) ndaj mosbarazisë, ndaj spastrimit etnik, ndaj emergjencës që thërret për veprim në emër të lirisë, është konform pushtetit – e pushteti i ka të gjitha gjasat që kur është i shkëputur prej popullit të vet (siç janë qeveritë e Tiranës e Prishtinës, po siç janë dhe pushtetarët ndërkombëtarë të dislokuar në këto dy qytete), të shfaqet si arbitrar e totalitar.

Zgjidhja për Mitrovicën e për komunat që ndodhen në veri të Kosovës duhet të vijë shpejt, përndryshe për disa muaj zonat rrezikojnë të mbeten pa këmbë shqiptari. Ndoshta në këtë atmosferë konfuze merr kuptim edhe thënia e historianit James Pettifer, që disa ditë më parë në promovim të librit të vet tha se “Tirana nuk mund të mbyllë sytë ndaj shqiptarëve të Kosovës…). Ajo që thotë Pettifer është e thjeshtë, shqiptarët nuk mund të jenë indiferentë ndaj vetvetes. Minimumi i mundshëm është të rreken me çdo kusht të jenë të barabartë me “tjetrin”. Edhe në Mitrovicë.

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: