Arber Zaimi

Terma të zbrazët

In Artikuj on 24 Prill, 2012 at 17:03

Trompe l'Oeil of Newspapers, Letters and Writing Implements
on a Wooden Board, 1699 - Edward Collier

Mes fjalorit politik përveç banaliteteve, kërcënimeve odontojatrike (t’i thyej dhëmbët unë e m’i thyen dhëmbët ti), metaforave futbollistike (topin ia kaluan ndërkombëtarëve, topi në fushën e opozitës, mbrojtja më e mirë – sulmi, duhet lojë ekipore, etj.), poezive e bejteve, shpalljeve pasionale të dashurive e të urrejtjeve jetëgjata sa “flutura e majit” gjenden të shpërndara tek-tuk, si tip stolie që përdoret kur do “me u duk” ekspert dhe ca koncepte politike, ekonomike e sociale, të cilat po të përdoreshin me vend do të lejonin një analizim të asaj çka thuhet sot dhe një parashikim të asaj çka do të jetë nesër.

Bëhet fjalë për nocione e norma principale të politikës, siç mund të jenë “demokracia”, “komunizmi”, “liria e fjalës”, “shkollimi për të gjithë”, “mbështetja e artit”, “pavarësia e universiteteve”, “hapja e dosjeve”, “reforma në drejtësi”, “interesi kombëtar”, “transparenca”, “zgjedhjet e lira e të ndershme” e shumë klishe të tjera që përdoren për të bombarduar emocionalisht dëgjuesin sipas qëllimeve të përdoruesit, për ta zbutur, zbythur a hedhur në revoltë. Natyrisht që pakkush prej politikanëve që i përdorin këto klishe po të pyetet më gjatë mbi kuptimin e tyre e ka ndonjë shpjegim më të thellë, pasi termat kryesisht paraqiten si koncepte të mirënjohura e të pranuara (mbi të cilat ngrihet mirëqenia dhe begatia që karakterizon këto njëzet vjet në Shqipëri!). Ca prej këtyre shprehjeve qëllimkëqija shfaqen rrallë, ca të tjera shfaqen më shpesh. Në këtë shkrim synoj të analizoj shkurt (dhe disi përciptazi) katër prej klisheve më të përdorura nga të gjitha palët në këto 20 vjet “demokraci”, klishe që do të meritonin një ekspozim më të gjatë e më ngulmues, për të treguar se sa të pasinqertë, se sa shpirtvegjël e mbi të gjitha sa të trashë janë ata që vijojnë t’i përdorin.

Dekomunistizimi
Një nga kuajt e betejës më të përdorur nga politikanët shqiptarë nga ’91 e këtej ka qenë dekomunistizimi, i shpallur si gur themeli për ngrehinën politike që ata kanë premtuar të ngrenë. Kështu politikanë “të djathtë”, “të majtë”, “centristë” e “të përtejshëm” kanë premtuar dekomunistizim me çdo kusht, dhe kanë vjelë duartrokitje për njëzet vjet rresht vetëm me këtë premtim, duke deklaruar sistemin prej nga po largoheshim (që e dinim të gjithë), por duke mos treguar kurrë se për ku ishim drejtuar.
Përdorimi i kësaj klisheje e ka origjinën tek vitet e para pas ndërrimit të sistemit, vite kur për arsye të ndryshme “komunizmi” u barazua me konceptin e “së keqes”. Nën ndikimin e Doktrinës së Shokut u vendos të shkatërrohej gjithçka në emër të ndërtimit nga e para në kondita demokratike. Kështu, në emër të dekomunistizimit u shkatërruan pronat publike, madje edhe ato që duhet t’u ktheheshin privatëve. U prenë pyje, u shkatërruan uzina e fabrika, rrugë e hekurudha, u rrënuan magazina e ndërtesa të fermave, teatre e kinema, qendra kulturore, madje u ndërtuan pallate sipër mozaikëve dhe tempujve antikë. Gjithçka në emër të shkëputjes nga “komunistizimi” që flinte si gjarpër në gurë e në drurë. Natyrisht që jo gjithçka u rindërtua më pas, kryesisht janë rindërtuar vetëm ato projekte që garantonin fitim të shpejtë e të bollshëm, apartamente, super-markete e minimarkete, bar-restorante, pika karburanti, si dhe shumë pak fabrika ku prodhohen mallra të një cilësie të dyshimtë.
Mirëpo a ka ndodhur vërtet “dekomunistizimi” (pa le pastaj që pyetja në kontekst do të duhej të qe- a ka ndodhur vërtet komunistizimi)? Këtë e demonstron më së miri klasa aktuale politike shqiptare, një klasë e përbërë në shumicën dërrmuese jo prej ish-anëtarëve të zakonshëm të PPSH-së, por prej ajkës së saj, prej atyre që inkuizicionin jo rrallë e kanë patur pasion e profesion. Për dekomunistizimin flet qartë edhe gjendja aspak dinjitoze ku janë braktisur ish-pronarët, apo ish-të persekutuarit, apo ish-disidentë, madje dhe pjesa më e madhe e ish-studentëve të dhjetorit. Braktisja dhe indiferenca ndaj armiqve të sistemit të shkuar e tregon fare zhveshur se sa na kanë larguar prej totalitarizmit këto 20 vjet “dekomunistizim”. Ruajtja e klaneve të pushtetit të dikurshëm, që sot janë “transformuar” në banda politiko-ekonomiko-mediatike (duke ruajtur prejardhjen) dëshmon se dekomunistizimi nuk është gjë tjetër veçse një shprehje boshe, një klishe, një mashtrim mbi të cilin, për fatin e keq të votuesve, janë ndërtuar sa e sa programe elektorale. Aq absurde është kjo klishe e përdorur rëndom nga politikanët tanë, sa që sot habitesh tek e dëgjon të propagandohet pikërisht nga ish-shefat e partisë e të sigurimit, që vazhdojnë të jenë sërish shefa, kush në qeveri, kush në opozitë, kush në parlament, kush në gjykatë, kush në biznes, kush në media, kush në art, kush në kulturë, kush në arsim, madje dhe në institucione fetare.
Përtej mashtrimit, “dekomunistizimi” shqiptar ka rezultuar në konservim të strukturave të pushtetit, në zgjerim të hendekut mes individit dhe shoqërisë, në forcim të strukturës burokratike dhe të kulturës së rryshfetit, si dhe ka kontribuar në varfërimin e shqiptarëve, duke shkatërruar materialisht atë çka qe arritur, dhe duke e rindërtuar makinën që gjeneron para e pushtet në funksion ekskluziv të interesave ekonomike të pushtetarëve.
Kompromisi dhe Toleranca
Me ardhjen e pluralizmit, nga “perëndimi” bashkë me kanaçet e coca-cola-s mbërriti si import i imponuar dyshja Kompromis-Tolerancë, si një paradigmë etike demokratike. Kjo u përthith nga në mënyrë sui-generis nga politikanët ballkanas që e kanë psikologjinë e pazarit të rrënjosur në kulturë. Që të kuptohet klisheja që qëndron në aplikimin shqiptar të “Kompromisit dhe Tolerancës”, le të marrim një shembull thjeshtëzues, një palë politike hyn në llogore si kampione e të drejtave të punëtorëve, pala tjetër zgjedh të bëhet mbrojtëse e të drejtave të punësuesve. Pas një lufte disa ditore, kryesisht mediatike, të dyja këto palë lëvizin prej pozicioneve të tyre, dhe afrohen me njëra tjetrën në emër të tolerancës dhe të kompromisit (në fakt në emër të përfitimeve ekonomike apo atyre të pushtetit). Fluiditeti principial krijon në fakt një atmosferë aspak përfaqësuese, të dyja grupet mbeten të pambështetura në parimet e tyre, ndërsa grupi politik rezultant është veshtullor, i paqëndrueshëm, dhe tashmë i papërshtatshëm për t’u besuar.
Kompromisi dhe Toleranca, këto dy vlera që predikohen vazhdimisht nga klasa politike nuk janë gjë tjetër veçse klishe, po të analizosh situatën ekzistuese dhe sjelljet e aktorëve të saj. Kompromisi tashmë është demaskuar si matrapazllëk i thjeshtë e i përbuzshëm dhe nuk ka patur deri më sot ndonjë bashkërendim politikanësh shqiptarë që të mos jetë bërë mbi marrëveshje të ndarjes së pushtetit (në sensin më banal, ndarje e liçensave, tokave, investimeve dhe buxhetit). Ndërsa Toleranca kryesisht konsiston në indiferencë. Kështu politika është tolerante ndaj atyre që janë ndryshe apo që mendojnë ndryshe thjesht duke mos i vënë re hiç ose duke mos i dëgjuar. Pseudo-toleranca, siç vë re ironikisht dhe Slavoj Zizek në leksionin e tij “Realiteti i Virtuales”, ka momentet e veta energjike, sidomos kur ridikulizohet mendimi kritik ndaj abuzimeve (të politikës e të biznesit), apo kur kërcënohen e rrihen (nga bodyguards të politikës e biznesit) ata që mendojnë në mënyrë të papëlqyeshme.
Integrimi
Integrimi është një tjetër klishe e turpshme, një mbështjellje shumënjgjyrëshe për një dhuratë të shëmtuar, që përdoret nga politikanët shqiptarë të cilitdo krah. Në të gjitha fushatat e njëzet vjetëve të fundit Shqipërisë i është premtuar se do të bëhej si Europa, dhe se do të “shkonte” në Europë. Por si? Shqiptarëve vazhdimisht u shpjegohet se si politika integruese, marrëveshjet e tregtisë së lirë, hapja e tregut ekonomik etj. shpien në një të ardhme më të mirë, edhe pse bujqit e shohin se nuk po mund të mbijetojnë të konkuruar nga produkti i huaj, ndërsa ajo pak industri e lehtë që ekziston e di fare mirë që s’ka të ardhme në rast të hapjes së kufijve. Propagandohet që ekonominë shqiptare në një Europë të integruar do ta mbajë gjallë turizmi dhe shërbimet, po asnjë analizë nuk bëhet mbi potencialin ekonomik të këtyre sektorëve, si dhe rrallë analizohet kualifikimi i krahut të punës. “Integrimi” ndërkohë është shndërruar në paradigmë politike, madje qeveria e sotme është formuar në emër të tij edhe pse paradoksalisht valëvitet bashkë me flamurin integrues edhe flamuri i kombëtarizmit-thuajse-nietzchean (pra hapjen e kufijve e shkrin me mbrojtjen e asaj që ndodhet brenda!).
Integrimi ka kostot e veta, që po ndihen përditë në jetët e shqiptarëve, qofshin konsumatorë a prodhues, në një treg që është i përmbytur prej importeve. Këto kosto nuk mund të balancohen thjesht me premtime për një të ardhme parajsore në Europë. Megjithatë politikanët nuk duket se kanë ndërmend të flasin logjikisht e në mënyrë racionale mbi integrimin, apo të fillojnë të bëjnë të qarta përfitimet e kostot në strategjinë e tyre “madhore”.
Bashkë me integrimin u mirëprit “Heqja e Vizave”, ky sukses i propaganduar edhe pse sukses pa brumë. Liria për t’u arratisur nga ky vend duket se është thelbi i premtimit politik për integrim, i kësaj klisheje të pështirë, që ka njëzet vjet që mbulon me zhurmë çdo kritikë ndaj stanjacionit ose regresit ekonomik, dhe çdo krizë që shkaktohet prej mungesës së vullnetit politik për zhvillim.
Tranzicioni
Tranzicioni është një tjetër fjalë që haset rëndom në shumë artikuj shkencorë a publicistikë mainstream, si dhe në shumë fjalime politike kur flitet për Shqipërinë. Kryesisht tranzicioni paraqitet si proçesi që na shkëput prej komunizmit (nëpërmjet dekomunistizimit) dhe na çon në parajsën e tolerancës dhe kompromisit, në demokracinë shqiptare të integruar në Europë. Shfaqet si një nga premtimet e radhës për votuesin, një karrotë që tundet në horizonte mediatike para një publiku lepujsh. Por çfarë ndodh me tranzicionin?
Sipas FMN dhe BERZH, dy prej institucioneve me linjë politike-ekonomike liberale të cilave u kemi dhuruar sovranitetin e vendimmarrjes në lidhje me ekonominë, tranzicioni ekonomik është kalimi prej ekonomive të planifikuara e të centralizuara tek ekonomitë e tregut të lirë nëpërmjet proçeseve të liberalizimit, privatizimit, reformimit të të gjitha dimensioneve politike, shoqërore e kulturore, të gjitha këto në favor të krijimit të një tregu sa më mikpritës ndaj zhvillimit të iniciativës private. Për arritjen e këtij qëllimi politik është kërkuar kufizimi i pushtetit ndërhyrës të shtetit (edhe pse ky i fundit shpeshherë do të qe i domosdoshëm në ndalimin e ekseseve).
Nga politikanët tanë ama kurrë nuk është thënë qartë se cilat janë pasojat e reformave tranzicionale, nuk është thënë kurrë që ato do të rezultonin në papunësi, në varfëri të disa shtresave të gjera popullore, në ulje të ndihmës sociale, në shtrenjtim të shërbimeve e produkteve që shiten etj. Po të ishte thënë kjo e vërtetë nga politikanët, zor se do të kishte fituar kush vota nëpërmjet spektaklit “tranzicional”.
Ajo që është më shqetësuese kur flitet për “tranzicionin” është përdorimi i vazhdueshëm i këtij nocioni në përkufizimin e politikës dhe shoqërisë shqiptare edhe njëzet vjet pas ndryshimit të sistemeve. Ndërkohë njerëzve nuk u thuhet e vërteta, nuk u thuhet se tranzicioni në fakt ka disa vjet që ka përfunduar. Shqipëria tashmë është stabilizuar si një vend me demokraci “Putiniane”, një vend ku mbizotërojnë kasta oligarkësh në politikë e në ekonomi, kasta që po vijojnë të forcojnë pushtetin e tyre të brendshëm, si dhe po blejnë lobbying në rajon e më gjerë. Këto kasta zor se do të lejojnë fleksibilitet dhe evoluim të strukturave sociale, politike e ekonomike, përkundrazi, do të përpiqen të ruajnë raportin aktual të pushtetit, duke u shndërruar në një forcë konservative.
Tranzicion konservativ s’ka, kështu që është e kotë të përmendet “Tranzicioni” si një tunel ku u gjendka sot Shqipëria, e në fund të të cilit paska dritë. Jo, Shqipëria i ka dalë përfundi atij tuneli, dhe se ç’dritë e ndritur qe ajo që po na priste, po e shohim të gjithë.
Si përfundim, ajo që është e rëndësishme është që ndaj të gjithë kësaj retorike të mbingopur me fjalë bosh të kundërvihet mendimi kritik dhe skepticizmi si e vetmja metodë konstruktive e të ndërtuarit të një qytetarie politike. Ngritja e një diskutimi mbi koncepte që përmbajnë kuptim është shumë më e rëndësishme se sa pasiviteti intelektual i tifozerisë që brohoret parrullat e sloganet e liderëve politikë, të cilat prej kohësh jsanë zvetënuar në thelbin e tyre duke u shndërruar në klishe që devijojnë vëmendjen dhe interesin e individit prej problemeve vërtet shqetësuese, duke i bërë një shërbim aspak të mirë zhvillimit.
Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: