Arber Zaimi

Këngë lamtumire për gjumin

In Vjersha on 26 Prill, 2012 at 17:13

Benefits Supervisor Sleeping, 1995 - Lucian Freud

Gjumi lazdrohet mes shtriqjesh

Ka zbritur prej syve e në gjymtyrë

Është shpërndarë.

Harruar prej kohësh pushimi…

Muskujt dhembin acidi laktik,

Neuronet lëshojnë xixa,

Mendimi

Rrugën e trurit e ther si me thikë.

 

Mëngjeset paraqiten dritëpasjella.

Ajri

Rrëshket i lyrshëm

Mes shtrojash të krevatit që mbështjell

Edhe më të fundmin çast nga pasioni i djeshëm.

Hëna dhe thërrmijat e tjera kozmike

Janë duke iu dorëzuar diellit

 

Sipër barrikadave të murrme që ngrenë retë

Për të izoluar dritën

Mes vjershash – se luftë të tillë përjetojnë.

Hap dritaren, një shkulm ere

Përplaset në fytyrë, dhe depërton

Në mëngët e gjera të peignoir-it

 

Të ftohtët sjell drithmën

Bashkë me kujtimet prej një tjetër nëntori

Kur krejt foshnje u nis në kërkim të imagjinatës

Nën të njëjtin shi peshkonte buzë një lumi të hirtë,

Më të turbullt se qielli i sotëm

Zemra të sinqerta fëmijësh

Fshatarë

 

Aromë e dëllinjave e mareve, lepuj të egër

Një lojë e kurrkohshme vrapimesh

Që rreket të të mbajë, ndërsa alarmi

Cingërin një melodi jazz prej aparatit celular

Duke e sjellë në vete, sëbashku me erën

Tash dita hyn nga dera e tejetej

Fryn korridoret e apartamentit

Në një këngë të fundit të lamtumirës për gjumin

 

Dita shtrohet – e dashur, si çdo gjë që fillon qerpikmbyllur

Merr formën e rrugës, hapave të parë, zërave të pëllumbave

Dhe këngëve të fëmijëve romë

Formën monumentale e njerëzve të përhimtë që rrinë në këmbë

Nën çadra të zeza

Orëve duarsh që tiktoken mes ankthit të vonesës

Bashkë me shiun e ngeshëm

E të imët

ndan flokun nga fija tjetër e flokut

zbut gulçimën veshtullore

Të jetës në qytet

Formën e yjeve metalikë mbërthyer në thile dhe të shallit përmbi jakën e ngritur të palltos

 

Formën e përmallimit të pashmangshëm për shtratin që tash duket aq larg

Të listës së gjatë të manierave vetëshkatërruese

Të rënkimit, të vetmisë së makinave, autobusëve

E miliona thneglave të tjera që popullojnë mëngjeset

Pas një nate të pagjumë

Të paëndërrt

Pa ty.

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: