Arber Zaimi

Totalitarizëm Reloaded

In Artikuj, Ese on 1 Maj, 2012 at 20:20

Green Coca-Cola bottles, 1962 - Andy Warhol

Kur flitet për totalitarizëm në skenat mediatike, shpeshherë llomotitet në mjegull, pa patur parasysh atë çka në të vërtetë e bën një shtet totalitar, madje pa patur parasysh as karakteristikat që e dallojnë shtetin totalitar nga shteti demokratik. Po t’i referohemi teoricienëve të filozofisë politike, e sidomos Walter Benjamin-it dhe Herbert Marcuse-s që janë marrë gjerësisht e në detaj me analizimin e marrëdhënieve të dominimit në shtetet totalitare, sistemet total-autoritare karakterizohen kryesisht prej mbështetjes në një botëvështrim të vetëm (ndalimit të të tjerëve), dhe prej kontrollit të çdo sfere shoqërore dhe individuale, duke filluar nga familja, marrëdhëniet e punës, jeta qytetare, e deri tek krijimtaria artistike apo shkencore – gjithçka në një shtet totalitar duhet të jetë konform ideologjisë, duhet të realizohet brenda koncepteve të saj dhe duhet t’i shërbejë asaj. Por nuk kam ndërmend të trajtoj skolastikisht totalitarizmin në këtë shkrim, se kam përshtypjen që memorjet e shqiptarëve janë ende të freskëta: mbahet mend shtypja e mendimit ndryshe (sado i zbehtë dhe i mefshët të ishte ky mendim); mbahet mend varfëria që propagandohej si vlerë heroike në shërbim të kombit; mbahet mend mirë arti apo media që u kthye në një mjet trushpëlarës në dorë të ideologjisë; mbahet mend dënimi i diversantit, i disidentit e i kulakut; mbahet mend edhe ndarja e kastës së sipërme të nomenklaturës prej realitetit popullor, një ndarje fyese për dinjitetin e shumëkujt që kish luftuar e kish punuar për një jetë dinjitoze e për një shoqëri të drejtë. Mbi të gjitha mbahet mend ideologjia dogmatike, e padiskutueshme, e cila ishte prezente në çdo aspekt të jetës, si në pamje ashtu edhe në thelb, ajo ishte aty edhe kur nuk flitej për të, një ideologji që nuk pranonte diskutim e që i shtypte kundërshtarët e vet.

Në këtë artikull në fakt synoj të merrem, tepër shkurt, me sistemin që kemi mbërritur të ndërtojmë deri më sot, njëzet vjet pas rënies së enverizmit. Kemi një regjim që natyrisht është krejt i ndryshëm në formë e në kontekst prej atij që kaluam, por shpeshherë ndryshimet janë vetëm formale e jo thelbësore. Nuk do të zgjatem me denoncimin e pakuptimësisë së etiketave cliche që përdorim për këtë regjim, se vërtet e quajmë demokraci kur në fakt s’është, por kjo s’është ndonjë gjë e re, meqë dhe të shkuarin e quanim komunizëm, kur në fakt nuk ishte.

Interesante, në fakt, do të ishte të shqyrtohet se deri ku ka mbërritur dinamika e tranzicionit, që në terma më të qartë do të kategorizohej si proces i dekomunistizimit dhe i demokratizimit (duke mbajtur gjithnjë parasysh falsitetin dhe hipokrizinë tek përdorimi i këtyre dy emërtimeve). Një vend i varfër, dalë prej një izolimi dhe prej një shtypjeje të gjatë, i vuajtur gjer në palcë natyrisht që do ta kish të vështirë të adaptohej me një realitet të ri. Sidomos nëse marrim parasysh faktin që me shqiptarët ishte aplikuar për një kohë të gjatë praktika e prodhimit të njeriut të ri, nëpërmjet represionit institucional sistemik të individit nga çerdhja e deri në azil të pleqve. Mirëpo që me rënien e regjimit vëzhguesit do të habiteshin, sa shpejt u zhvesh shqiptari nga këto vlera që ia kishin ushqyer me zor për 45 vjet, sa shpejt i harroi mësimet e marra dhe veshi teshat e një demokracie që nuk e kish njohur kurrë, në mënyrë të menjëhershme. Përqafim i menjëhershëm i religjioneve dhe bestytnive, ulja e rëndësisë së intelektualit apo shkencëtarit në shoqëri, shkatërrimi i pronës publike, mosbesimi cinik ndaj institucioneve dhe ndaj shtetit, gëzimi naiv që sjell mundësia për t’u pasuruar, qoftë dhe në mënyrë jo krejt të pastër… Dukej sikur këta individë kishin studiuar gjithë jetën Friedmanin, e jo tezat e ekonomistëve të famshëm të IML-së (të cilët edhe ata dolën menjëherë liberalë, siç u shpreh së fundmi në një intervistë më i zëshmi prej tyre, F.Nano).

Dikush mund ta shpjegojë këtë duke thënë se shqiptarët nuk i përvetësuan kurrë vlerat dhe teoritë komuniste, këto ishin të huaja për ta, se shqiptarët nuk kanë patur kurrë një klasë të vërtetë proletare, dhe thellë-thellë kanë ruajtur psikologjinë e kulturën e fshatarit konservativ. Kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë, pasi në 45 vjet stalinizëm industrial proletariati u krijua edhe kur nuk ishte, dhe regjimi totalitar nuk të linte t’i shpëtoje edukimit politik që të vinte nga të gjitha krahët, nga media, nga familja, nga miqtë, nga kolegët, nga të panjohurit, madje edhe nga sendet e pajetë, siç ishin muret e pallateve apo faqet e maleve të mbushura me slloganë. Arsyeja kryesore se pse shqiptarët me kaq dëshirë hodhën poshtë gjithçka që iu kujtonte sistemin stalinist nuk qe kjo, por vuajtja, varfëria materiale e morale, bjerrja e dinjitetit që mbërriti ekstremin e nuk mund të duronte më. Në këto kushte është njerëzore të reagosh – dhe shqiptarët reaguan – kush duke ikur prej atdheut (nuk kish rëndësi se ku, nuk kish rëndësi se për çfarë, po rëndësi kish ikja), kush duke shkatërruar gjithçka që i kujtonte atë sistem, deri dhe duke djegur bibliotekat apo pemët e pafajshme nëpër brezaret e ngritura me djersë. Vuajtja ishte ekstreme, për pasojë reagimi pas lirimit ishte ekstrem, një reagim që nisi t’i çonte shqiptarët dalëngadalë drejt të kundërtës të asaj që jetuan ato 45 vjet. Kjo është ajo çka po jetojmë sot, një sistem i ndërtuar mbi mohimin dhe mbi antipodin e të shkuarës, sepse vetëm kështu do të mund të shlyhej kompleksi i krijuar në atë makth gjysëmshekullor. Por nuk duhet harruar që zhbërja totale e një sistemi totalitar, çon shpeshherë në një sistem tjetër totalitar, duke ndryshuar vetëm formën, por jo karakterin e tij në raportin që mban me individin e me shoqërinë. Në një arsyetim pastërtisht hegelian, të kundërtat janë puqur.

Le t’i analizojmë disa aspekte e disa vlera të kësaj të kundërte të totalitarizmit enverist që po ndërtojmë sot, dhe le të shohim se si mund ta kategorizojmë sistemin politik e social të sotëm.

Pluralizmi dhe Depolitizimi

Për shumicën e shqiptarëve pluralizmi është përcjellë gabimisht si një term që nënkupton ekzistencën e shumë partive ndërsa monizmi ekzistencën e një partie të vetme. Në fakt nuk është kështu, monizmi duhet të nënkuptonte ekzistencën e një ideologjie të vetme e të pakundërshtueshme, ndërsa pluralizmi duhet të nënkuptojë lejimin e shumë ideologjive dhe pranimin e diskutimit apo kritikës mes tyre, në raport me interesat e shtresave apo teorive që ato përfaqësojnë. Vetë ideologjia si term popullor ka marrë një kuptim negativ, dhe njerëzit e shohin si fjalë thuajse-tabu, pa qenë të ndërgjegjshëm që në fakt jetojnë e veprojnë brenda një të tille, dhe nuk mund të bëjnë ndryshe, pasi çdo forcë qeverisëse aplikon ideologjinë e vet, nëpërmjet të cilës rregullon marrëdhëniet sociale e ekonomike dhe i normon ato. Monizmi totalitar e meritonte emrin që mbante, lejonte vetëm një ideologji – stalinizmin, dhe me forcë i shtypte të tjerat, sa herë që ato tentonin të lindnin. Sot, në sistemin pluralist demokratik ka shumë parti, por në rast se konsiderojmë alternativat politike që ato sjellin, do të ngelnim të zhgënjyer. Në një masë të madhe partitë e sotme janë thelbësisht njësoj, ato qëndrojnë për të njëjtën bashkësi vlerash politike, kryesisht liberale sa i përket ekonomisë (privatizim, investim në infrastrukturë, zvogëlim i pranisë së shtetit, dobësim i lëvizjeve sindikale dhe konsumatore, favorizim i biznesit, integrimi, hapja e tregut, etj.) dhe kryesisht pragmatiste për sa i përket politikave sociale, arsimore, kulturore apo artistike (plani i vetëm për to është kryerja e veprimit që sjell më shumë vota, ose i asaj që kërkohet nga jashtë). Nuk mund të tregosh ndonjë diferencë të vërtetë mes politikave të shprehura të partive shqiptare, dhe realisht cilido prej eksponentëve kryesorë të tyre, deri dhe Edi Rama me Sali Berishën, do të mund të ndërronin partitë me njëri-tjetrin e sërish të vazhdonin të përdornin të njëjtën retorikë, duke rezultuar po aq të suksesshëm. Ekzistenca e një alternative të vetme politike bën që edhe pse formalisht jetojmë në një regjim që lejon pluralitetin, faktikisht kemi të bëjmë me monizëm. Po njëlloj si në monizëm, ideologjia është e padiskutueshme, vetëm se emri i saj ka ndryshuar, dikur quhej stalinizëm, sot quhet neo-liberalizëm i llangosur në servilizëm ndaj ndërhyrjeve nga jashtë. Ndryshimi duket si radikal, prej një partie të vetme sot kemi mbi 60, mirëpo fatkeqësisht, ndryshimi është thjesht formal.

Aspekti tjetër që ka të bëjë me ideologjinë është procesi i depolitizimit. Siç thamë një prej aspekteve kryesorë të regjimit totalitar ishte politizimi i skajshëm, sjellja e ideologjisë kudo, me të gjitha format, dhe përdorimi i metodave aspak dinjitoze të propagandës agresive dhe subversive. Gjithçka duhej të qe politike, emancipuese, në përputhje me vijën e partisë dhe me udhëzimet e udhëheqësit. Pas ndryshimit të regjimeve, siç thamë, lëvizëm në të kundërtën. Alfa dhe Omega u bë depolitizimi. Politikës iu mvesh një imazh negativ, ndërsa gjithçka e depolitizuar vlerësohej, nxitej, madje shpeshherë bëhej e detyrueshme. Depolitizimi u shndërrua në mantra-n e pop-kulturës, u nxit nga mediat dhe nga vetë politika, dhe si vlerë zëvendësuese e politikës u parashtrua konsumi (siç e kërkon dhe ideologjia e re për të cilën folëm më lart). Propaganda e dikurshme ndërroi subjekt, por në intensitet e në formë mbeti e njëjta, madje dhe u rrit bashkë me teknologjinë, vetëm se në vend që të imponojë politikë, imponon konsum. Sloganet nëpër mure e nëpër kodra janë zëvendësuar me city-lights të mëdhenj, dhe pllakatet e paradave janë zëvendësuar me banderola e me autobuzë të veshur me letër promocionale. Gjithçka të nxit të konsumosh, sepse konsumi është mënyra me të cilën individi i sotëm merr pjesë në sistem, ashtu si dikur, kur indoktrinimi dhe puna vullnetare (e detyruar) të bënin pjesë të totales. Dikur totalitarizmi kërkonte që gjithçka të ishte krejtësisht politike, ndërsa sot “demokracia” kërkon që gjithçka të jetë thellësisht apolitike, duke i mveshur angazhimit politik një sërë vlerash stigmatizuese, dhe duke vlerësuar njeriun që heq dorë vullnetarisht nga politika. Pedagogëve iu kërkohet të jenë të depolitizuar, studentëve gjithashtu. Gazetarëve, opinionistëve, intelektualëve, shkencëtarëve, nëpunësve, sindikalistëve, shoqërisë civile (pra gjithë pjesës emancipuese të shoqërisë) i kërkohet të jetë tërësisht e depolitizuar, ose apolitike, ose e paanshme. Anshmëria trajtohet si faj… A nuk është edhe kjo një ndërhyrje totale në jetën e shoqërisë? Nuk duhet të harrojmë që politika mbetet pjesë e çdo shoqërie të shëndetshme njerëzore, pasi është momenti kur individi shqetësohet për veten dhe për komunitetin ku jeton, shqetësohet për qeverisjen dhe merr pjesë tek kjo qeverisje. Natyrisht që nuk mund të jetë gjithçka politike, ama dhe depolitizimi i gjithçkaje është po aq ekstrem dhe total si ndërhyrje.

Shtypja e popullit nga nomenklatura

Jo rrallë periudha totalitare akuzohet si një moment politik që prodhoi diferencim të madh të popullit që detyrohej të jetonte në kushte mizerabël, dhe nomenklaturës që edhe pse nuk gëzonte kapital, ishte poseduese e pushtetit burokratik (që nuk është shumë ndryshe prej kapitalit). Siç dihej që asokohe, udhëheqësit dhe familjet e tyre gëzonin lukse të paimagjinuara në një vend kaq të varfër, si ky yni. Këto lukse buronin prej grumbullimit të të mirave që krijoheshin nga puna e miliona shqiptarëve që ndërkohë u lanë në varfëri. Ideologjia staliniste, në një mënyrë aspak të përshtatshme me vlerat politike marksiste, kërkonte prej popullit që ta konsideronin varfërinë vlerë, që të jetonin një jetë spartane, që të shmangeshin prej shpenzimeve të tepërta etj. E gjithë kjo kërkohej në emër të një sakrifice superiore: për të shpëtuar atdheun nga një pushtim i mundshëm i huaj, dhe për “t’ia dalë me forcat tona”. Sot situata paraqitet ndryshe. Nuk është më nomenklatura burokratike, por një klasë e mirëfilltë të pasurish (që shpeshherë është e lidhur me nomenklaturën e dikurshme me fije të ndryshme haptazi ose jo), që jeton e qeveris në kushte luksi, ndërsa pjesa më e madhe e popullsisë vijon të jetë e varfër. Është e vërtetë që të varfërit e sotëm jetojnë më mirë se të varfërit e atëhershëm, por diferenca ekonomike me shtresën e sipërme është duke u rritur.

Në këto kushte “udhëheqësit e sotëm” gjenden para të njëjtit problem me ata të djeshmit, dhe u duhet të justifikojnë varfërinë e popullit, 20 vjet pasi i premtuan parajsën. Mënyra që përdoret për të justifikuar varfërinë është e njëjta, një ekzaltim i vlerave shpirtërore dhe modestisë së varfërisë, ndërkohë që paradigma ndryshon formalisht: në vend të “shpëtimit nga armiku i jashtëm” sot paradigma është integrimi, “pushtimi i armikut të jashtëm”. Thuhet se jemi të varfër – por edhe për pak kohë, sa të përfundojë tranzicioni, sa të sjellim në binarë arsimin që e degjeneruam me konsensus, sa të rregullojmë rrugët që prishëm vetë dhe të rimbjellim pemët që dogjëm në entuziazëm e sipër në ’91. Integrimi paraqitet si një stad final, si një domethënës (signifiant) i ekzistencës sonë demokratike, po ashtu siç paraqitej dikur ndërtimi i njeriut të ri, të vetëmjaftueshëm e përjetë të lumtur. Varfëria e sotshme, ashtu si varfëria e atëhershme, siç shprehet B.Kajsiu, vijon të përbëjë një mjet për realizimin e interesave politike të elitës, vijon të përbëjë një barrierë për ndërtimin e një shoqërie të vërtetë civile dhe një pengesë për stabilizimin e një kulture kritike qytetare që do të mund të garantonte zhvillimin dialektik të vendit tonë. Është e vërtetë, situata shtresore ka ndryshuar katërcipërisht, por vetëm në emërtimin e shtresave…

Disidenca

Dikush mund të thotë se të krahasuarit e totalitarizmit të dikurshëm me regjimin e tanishëm për sa i përket disidencës do të qe i tepruar, pasi të gjithë e dinë që atëherë disidenca dënohej me vdekje, burgim, a internim familjar, ndërsa sot kushdo mund të flasë. Dhe në fakt flasin të gjithë, si t’u vijë për mbarë, rastet e censurës janë shumë të pakta, përjashto ndonjë “afarist” injorant me origjine rurale që i kompleksuar siç është, nuk arrin të gëlltisë sharjet dhe rreh gazetarët. Përveç këtyre rasteve ekstreme dhe të rralla, sot të gjithë mund të shajnë këdo, përfshi edhe vetë udhëheqësit e shtetit apo të partive ku bëjnë pjesë, dhe s’i gjen asgjë.

Ky është realitet i pakundërshtueshëm, megjithatë në krahasimin e sistemit të djeshëm totalitar me këtë të sotmin demokratik, gjithnjë duhet marrë parasysh konteksti dhe potenciali real që të ofrohet. Shkrimtari italian Italo Calvino në librin e tij Palomar e bën shumë bukur dallimin kontekstual mes lirisë së shprehjes që ofrojnë sisteme të ndryshme: “Në kohë të heshtjes masive, të heshtësh si gjithë të tjerët është faj, qartësisht. Por në kohërat kur të gjithë flasin shumë nuk mjafton të thuash fjalën e duhur, se gjithsesi do të humbte në mes të përmbytjes së llafeve. E rëndësishme është ta thuash duke u nisur nga premisat e duke implikuar pasojat që do t’i jepnin shprehjes vlerën maksimale”. Pikërisht këtu ndodh shtypja e disidentëve të sotëm, tek heqja e çdo premise që fjalët e tyre të zënë vend, që kritikat e tyre të diskutohen, madje tek heqja e mundësisë së diskutimit. Dje disidenti dënohej me heshtje të përjetshme, sot disidenti dënohet me indiferencë dhe me qesharakëzim të pamerituar, siç analizon F.Lubonja që ka patur fatin e keq t’i provojë të dyja momentet. Dikur nuk e shprehje dot kritikën, sot e shpreh por je i sigurt që nuk ka për të zënë asnjë vend, nuk ka për të nisur asnjë debat real politik apo social, me përjashtim të debatit spektakolar superficial që ofrojnë disa talk-shows. Disidenti i dikurshëm ishte i përbuzur nga shoqëria pa ia dëgjuar argumentat, vetëm sepse kundërshtonte stalinizmin, ndërsa disidenti i sotëm është i përbuzur nga shoqëria, sërish pa ia dëgjuar argumentat, vetëm pse kundërshton pushtetin aktual, ideologjinë e tij moniste, korrupsionin e tij, pafytyrësinë, dhe përsëritjen në një formë tjetër të të njëjtave gabime si dikur… Fakt është se ne kemi ndërtuar një sistem që qëndron në të kundërtën formale të totalitarizmit, por po të shohësh më thellë në disa prej dimensioneve të tij zbulon që esenca mbetet tepër e ngjashme.

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: