Arber Zaimi

Serbia heq makiazhin

In Artikuj on 21 Maj, 2012 at 16:14

Serbia heq makiazhin

The Mask with the Little Flag, 1925 – Paul Klee

Të vetmit që u habitën për fitoren e Tomisllav Nikoliçit në zgjedhjet presidenciale të Serbisë ishin europianistët paternalizues të Brukselit, këta babaxhanë që kujdesen kaq shumë për mbarëvajtjen e marrëdhënieve mes popujve të Ballkanit. Në sytë e tyre ballkanasit janë ende fëmijë, e fëmijët janë të paditur, të paformuar, me një subjektivitet të mangët.

Mirëpo habia e baballarëve europianë me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale serbe nuk zgjati shumë. Në fund të fundit ata kanë vendosur t’ia njohin Serbisë statusin e fëmijës të preferuar, atij fëmije që edhe kur e bën “llum”, shpëton vetëm me ndonjë heqje veshi e pas ca orësh veç ia rinisin me lazdrime, karamele e çokollata.

Nuk janë kaq të dashur të gjithë fëmijët ballkanas ama. Bosnja, Shqipëria e Kosova, për arsye të cilat nuk bën t’i përmendim (se tingëllojnë jokorrekte, megjithëse evidente), janë Hirushet e Ballkanit, të cilave edhe pse u njihen vuajtjet (izolimi i egër Shqipërisë për disa dekada, dhe diskriminimi e masakrimi i Bosnjes e Kosovës nën dhunën serbe), iu kërkohet vazhdimisht të sakrifikojnë, të negociojnë, të tolerojnë, të bëjnë kompromise e akrobacira në emër të stabilitetit (që nënkupton heshtje të padrejtësive që ende s’gjejnë shpagim).

Shembulli më i freskët është deklarata e djeshme e zyrës së presidentes së Kosovës, Ahtifete Jahjagës. Kabineti i zonjës të zgjedhur me ndërhyrjen flagrante të ndërkombëtarëve pasi ka konfirmuar se zgjedhja e Nikoliçit është vullnet i popullit serb, ka vijuar duke thënë se kjo është “zgjedhje e një shteti fqinj, me të cilin Kosova mëton të ndërtojë marrëdhënie korrekte fqinjësore”. Më pas zyrtarët e presidentes nuk përtojnë të kërkojnë bashkëpunim prej Nikoliçit (ish-nënkryetar i partisë së Sheshelit që po gjykohet për krime lufte). T’i kërkosh këtij politikani që bash në 1998, në kohën e spastrimeve e masakrave hyri në koalicion me Millosheviçin, që “të gjejë guximin të ndërmarrë hapa për të vendosur marrëdhënie të mira dhe paqësore me Kosovën” tingëllon absurde.

Afërmendsh, zyra e presidentes e di këtë punë. Në letrën e saj dallohet diktimi i mbikqyrësve të saj, të cilët pasi e kanë kaluar habinë, kanë vendosur t’i rikthehen avazit të “bisedimeve” dhe negociatave në të cilat Serbia kërkon dhe Kosova jep. Nga ana tjetër Nikoliçi, që si partner kryesor e si kryeministër ka për të patur ish-zëdhënësin e Millosheviçit, Ivica Daçiçin (që fitoi vota pikërisht duke arrestuar shqiptarë, qofshin këta policë, udhëtarë, apo banorë të Luginës së Preshevës), nuk kujdeset që të moderohet. Ai deklaroi se fitoren e tij “ia fali perëndia”, dhe se që sot e tutje do të mbrojë “popullin e tij” në Kosovë.

Serbia është një shtet që ka vendosur të  ruajë të njëjtën formë, e mbi të gjitha një  shtet që nuk pranon të ballafaqohet me të shkuarën e vet karshi shqiptarëve. Të njëjtat fjalë për Kosovën i ka thënë më parë dhe Tadiçi, por ai ka shërbyer si një “maskë liberale”, një vitrinë e moderuar për të njëjtat sjellje aggressive të Serbisë. Tanimë  Serbia ka vendosur ta heqë maskën e të shprehet shlirë.  Strukturat ilegale serbe në Kosovë tani marrin energji e gjallërim, meqenëse në zgjedhjet e paligjshme për të cilat u kujdes OSBE-ja votuan pikërisht Nikoliçin. Ndërsa Kosova e Shqipëria, nën patronazhin e Brukselit, do të vijojnë praktikat e moderimit duke hezituar të thonë e të kërkojnë drejtësi e standard të barabartë. Dhe dihet që ata që kanë frikë të kërkojnë drejtësi, ia rezervojnë vetes destinin e viktimës.

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: