Arber Zaimi

Teza VII: Thesaret e kulturës

In Ese, Përkthime, Prozë on 23 Maj, 2012 at 01:19

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza VII

Dhunimi i Kasandrës, 480 p.e.s.

Mendoni terrin dhe të madhen ngricë

Të k’saj lugine ku jehon mjerimi

Brecht, Opera për tre pare

Historianit që dëshiron ta jetësojë rishtaz një epokë të së shkuarës Fustel de Coulanges i rekomandon që ta fshijë prej mendjes gjithçka që ai di mbi zhvillimin e mëpastajmë të historisë. S’ka mënyrë më të mirë për ta përshkruar metodën prej së cilës materializmi historik është distancuar e është shkëputur. Është një proces empatik, që rrjedh prej plogështisë së zemrës, acedisë, që dëshiron ta kapë e ta mbërthejë imazhin e mirëfilltë historik, teksa ky shfaqet vetëtimthi. Teologët mesjetarë e shihnin acedia-n si shkakun që i rri në rrënjë trishtimit. Flaubert-i, që e njihte mirë këtë ndjenjë, shkruante: “Peu de gens devineront combien il a fallu être triste pour ressusciter Carthage”*. Natyra e këtij trishtimi del në pah më qartë nëse shtrohet pyetja se cilën anë mban empatia e atyre që përkrahin historicizmin. Përgjigjja është e pashmangshme: anën e ngadhnjyesit. Dhe çdo sundues është trashëgimtar i pushtuesit të mëhershëm. Pra, empatia me ngadhnjyesin gjithnjë i leverdis sunduesve. Materialisti historik e di mirë ç’do të thotë kjo. Cilido që gjer më sot ka ngadhnjyer bëhet pjesë e kortezhit triumfal gjatë të cilit sunduesit aktualë shkelin mbi ata që shtrihen të përulur. Sipas praktikës tradicionale, plaçka e ngadhnjyesit bartet me vete gjatë gjithë kortezhit. Ajo merr emrin thesar kulturor, e ndaj saj materialisti historik mban një distancë, për siguri. Sepse pa asnjë përjashtim thesaret kulturore që ai sheh kanë një origjinë të cilën s’mund ta sodisë pa neveri. Të tilla thesare erdhën në jetë jo vetëm prej përpjekjeve të mendjeve e talenteve të mëdha që i kanë krijuar, po edhe prej stërmundimit anonim të bashkëkohësve të tyre. Nuk ekziston asnjë dokument i qytetërimit që nuk dokumenton në të njëjtën kohë barbarizmin. Ashtu siç është inherente barbaria tek këto dokumente, është edhe te vetë mënyra përmes të cilës ato transmetohen prej një pronari tek tjetri. Kështu që një materialist historik e shkëput veten sa më shumë prej këtyre thesarëve. Ai e sheh si detyrë të vetën ta marrë furçën e ta shpluhurosë historinë.

* “Pak vetë mbërrijnë të imagjinojnë sa i trishtuar duhesh me qenë që ta ringjallësh Kartagjenën”

Përktheu Arbër Zaimi

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: