Arber Zaimi

Teza XI: Socialdemokracia, puna dhe natyra

In Ese, Përkthime, Prozë on 27 Maj, 2012 at 18:01

Industrial Cloud, 2003 – Kay Jackson

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza XI

Konformizmi që e ka patur çerdhen që prej fillimit në gji të social-demokracisë nuk qëndron veç te taktikat e saj politike, po edhe te konceptet e saj ekonomike. E këto të fundit janë një prej arsyeve kryesore të dështimit të saj. Asgjë s’e ka korruptuar klasën punëtore gjermane aq sa bindja që ata po notonin pas rrjedhës. Zhvillimet e teknikës atyre u dukeshin si shenja të kahjes së rrjedhës, në të cilën mendonin se po notonin. Kjo s’qe veçse një hap larg bindjes iluzive që puna në fabrikë – e cila sipas tyre qe hallkë e rrjedhës së progresit teknologjik – përbënte një akt politik përparimtar. E lashta etikë protestante e punës po përjetonte ringjalljen e saj mes punëtorëve gjermanë, tashmë në format të shekullarizuar. Gjurmë të këtij konfuzioni u shfaqën që në programin Gotha (i paraqitur në Kongresin e Gotha-s, në 1875). Aty puna përkufizohej si “burimi i gjithë pasurisë e i gjithë kulturës”. Marksi, që i tutej më së keqes, shkroi në përgjigjje se qeniet njerëzore që nuk zotëronin asnjë pronë përveç fuqisë së vet punëtore “detyrohen të jenë skllevër të të tjerë njerëzve të cilët… janë bërë pronarë”. Po duke e anashkaluar këtë vërejtje konfuzioni veç u rrit, dhe pak kohë më pas Josef Dietzgen shpalli se: “Puna është shpëtimtari i kohëve tona… Tek… përmirësimi… i punës… mbruhet pasuria, që tashmë mund të plotësojë më së fundi atë që asnjë shpagues nuk do e kish mbërritur”. Ky konceptim marksisto-vulgar i asaj çka është puna, nuk shqetësohet të ngrejë pyetjen se si prodhimet – për sa kohë nuk janë në dispozicion të punëtorëve – i ndikojnë këta të fundit. Ai percepton vetëm progresin në kapacitetin për të shfrytëzuar natyrën, por jo regresin e shoqërisë. Që këtu shfaqen gjurmët e para të teknokracisë, të cilat më vonë u shfaqën edhe tek Fashizmi. Mes tyre qëndron një koncept i natyrës që dallon në mënyrë shqetësuese prej atyre që u shfaqën në mendimin socialist-utopik të periudhës Vormaerz (para 1948). Puna, që në atë moment e tutje, filloi të konceptohej si tërësia e shfrytëzimit të natyrës, koncept që vendoset me një vetëkënaqësi naïve, përkundër shfrytëzimit të proletariatit. Krahasuar me këtë koncept pozitivist tingëllojnë çuditshmërisht të shëndetshme edhe fantazimet e Fourier-së, për të cilat aq shumë e kanë thumbuar. Sipas Fourier-së, një ndarje e mirë e punës shoqërore do të kishte pasojat që vijojnë: qiellin e natës do ta ndriçonin katër hëna; akullin do ta hiqnin prej poleve; uji i detit s’do të qe më i kripur; dhe kafshët e egra do të zbuteshin e do t’i shërbenin të gjitha njeriut. Gjithë këto fantazi përshkruajnë një punë që – larg të qenit shfrytëzuese e natyrës – është në gjendje ta ndihmojë t’i pjellë ato krijesa mundshmëria e të cilave fle në mitrën e saj. Konceptit të shtrembëruar të punës i korrespondon ideja komplementare e një natyre që, sipas fjalëve të Dietzgen-it, “na ofrohet gratis”.

Përktheu Arbër Zaimi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: