Arber Zaimi

Archive for Maj, 2012|Monthly archive page

Serbia heq makiazhin

In Artikuj on 21 Maj, 2012 at 16:14

Serbia heq makiazhin

The Mask with the Little Flag, 1925 – Paul Klee

Të vetmit që u habitën për fitoren e Tomisllav Nikoliçit në zgjedhjet presidenciale të Serbisë ishin europianistët paternalizues të Brukselit, këta babaxhanë që kujdesen kaq shumë për mbarëvajtjen e marrëdhënieve mes popujve të Ballkanit. Në sytë e tyre ballkanasit janë ende fëmijë, e fëmijët janë të paditur, të paformuar, me një subjektivitet të mangët.

Mirëpo habia e baballarëve europianë me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale serbe nuk zgjati shumë. Në fund të fundit ata kanë vendosur t’ia njohin Serbisë statusin e fëmijës të preferuar, atij fëmije që edhe kur e bën “llum”, shpëton vetëm me ndonjë heqje veshi e pas ca orësh veç ia rinisin me lazdrime, karamele e çokollata.

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Reklama

Teza V: Shkreptima e së shkuarës

In Ese, Përkthime, Prozë on 21 Maj, 2012 at 02:08

Painting the Moment (Malerei des Augenblicks), 2006-2008 – Shan Fan

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza V

Imazhi i vërtetë i së shkuarës kalon rrëshqanthi. E shkuara mund të kapet veç si një imazh që shkreptin në çastin e vetëm kur mundet të njihet, pastaj s’shihet më kurrë. “E vërteta s’do të largohet prej nesh”: në një vështrim historik të historicizmit këto fjalë të Gottfried Kellerit shënojnë saktësisht pikën ku materializmi historik e pret mespërmes historicizmin. Sepse çdo imazh i së shkuarës të cilin e tashmja nuk e njeh si shqetësim të vetin rrezikon të zhduket përgjithmonë. (Lajmet e mezipritura që historiani i së shkuarës i sjell zemër-rravguar mund të humbin në zbrazëti pikërisht në momentin kur ai nis të flasë).

Përktheu Arbër Zaimi

Teza IV: Lulediejt

In Ese, Përkthime, Prozë on 20 Maj, 2012 at 16:19

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza IV

Femme devant “Les Tournesols” de van Gogh, 1917 – Isaac Israels

Së pari përpiquni për bukë e rroba edhe

Mbretëria e Zotit do të vijë vetë te ju

Hegel, 1807

Beteja klasore, që është gjithnjë e pranishme për çdo historian të ndikuar nga Marksi , është betejë për të fituar gjërat e ashpra dhe materiale pa të cilat nuk mund të ekzistojë asgjë delikate e shpirtërore. Gjithsesi, këto të fundit janë të pranishme në betejën klasore, por jo në formën e plaçkës që i takon fitimtarit. Ato e manifestojnë vetveten në këtë betejë në formën e kurajos, humorit, dinakërisë e qëndresës. Ato kanë një forcë retroaktive dhe vazhdimisht do të vënë në pikëpyetje cilëndo fitore të sunduesve, qoftë ajo e së shkuarës apo e së tashmes. Porsi ato lulet që e kthejnë fytyrën kah dielli, ashtu edhe e shkuara, e detyruar prej një force të fshehtë heliotropike, e kthen fytyrën kah dielli që po lind në horizont të historisë. Materialisti historik duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë transformim, që është më pak i dukshmi nga gjithë të tjerët.

Përktheu Arbër Zaimi

Teza III – Der juengste Tag

In Ese, Përkthime, Prozë on 20 Maj, 2012 at 03:20

Excavation, 1950 – Willem de Kooning

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza III

Kronikani që i rendit ngjarjet pa bërë dallim mes të mëdhave e të voglave, vepron në përputhje me këtë të vërtetë: prej gjithçkaje që ka ndodhur ndonjëherë, asnjë ndodhi s’bën të quhet e humbur për historinë. Sigurisht, vetëm një njerëzim i shpaguar mbërrin ta zotërojë tërësisht të shkuarën e vet, që do të thotë se vetëm për njerëzimin e shpaguar e shkuara bëhet e citueshme në të gjitha momentet e saj. Secili moment i përjetuar bëhet një citation a l’ordre du jour – dhe kjo ditë, është Dita e Re (der juengste Tag).

Përktheu Arbër Zaimi

Teza II – Mëtimet e së shkuarës

In Ese, Përkthime, Prozë on 19 Maj, 2012 at 03:04

Envy, 1907 – Edvard Munch

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza II

“Një nga karakteristikat më të dalluara të natyrës njerëzore” – shkruan Lotze – “është, paralel me egoizmin e tepërt në instanca të veçanta, të qenët i lirë prej zilisë që e tashmja shfaq ndaj së ardhmes”. Reflektimet na tregojnë se imazhi ynë i lumturisë është i ngjyrosur tejetej prej kohës ku na ka caktuar traga e ekzistencës sonë. Ai lloj ngazëllimi që mund të ngjallë zilinë te ne, ekziston veç në ajrin që dikur kemi thithur, veç te njerëzit me të cilët mund të kemi folur, te gratë që mund të na kenë falur vetveten dikur. Me fjalë të tjera, imazhi ynë i lumturisë është pazgjidhshmërisht i lidhur me imazhin e shpagimit. Njësoj ngjet edhe me vështrimin tonë ndaj së shkuarës, që është objekt i historisë. E shkuara sjell me vete një tregues të përkohshëm, përmes së cilit thirret në shpagim. Ka një marrëveshje sekrete mes brezave të shkuar dhe këtij të tashmit. Toka e ka pritur ardhjen tonë. Njësoj si secili brez paraardhës edhe ne jemi pajisur me një fuqi e zbehtë mesianike, një fuqi ndaj së cilës e shkuara ka ngritur mëtimet e saj. S’janë çështje pazari ato mëtime. Materialistët historikë janë të vetëdijshëm për këtë.

Përktheu Arbër Zaimi

 

Teza I – Buratini shahist

In Ese, Përkthime, Prozë on 18 Maj, 2012 at 11:04

Automaton Chess Player, 1770 – Mary Hillier

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza I

Rrëfejnë një tregim për një buratin robotik që qenkësh ndërtuar në të tillë mënyrë që të luante e të fitonte lojën e shahut, e t’i përgjigjej lëvizjeve të kundërshtarëve me nga një kundërlëvizje. Ky na qe një buratin me petka turke e me një nargjile në gojë, ulur para tabelës së shahut të vendosur mbi një tryeze të madhe. Një sistem pasqyrash krijonin iluzionin që tavolina qe e tejdukshme nga të gjitha anët. Po në të vërtetë një kurrizo trupvogël, shahist me përvojë, ulej brenda tavolinës dhe drejtonte duart e buratinit me një sistem fijesh. Buratini i quajtur “materializëm historik” do të fitojë gjithnjë. Ai mund të sfidojë lehtësisht këdo, nëse përdor dhe shërbimet e teologjisë e cila sot, siç e dimë, është e tkurrur dhe mbahet larg syve të botës.

Përktheu Arbër Zaimi

vdekjeyll

In Vjersha on 17 Maj, 2012 at 23:50

The making of a hole, 1987 – Eva Švankmajerová

Vdekjeyll që më futesh në kokë

Si hije. Zvarritesh përtokë

Shket e ftohtë, ngrin-brymon

Nën thembrat e mia. Si s’mbaron?

Edhe dhëmbët mi mpive, më dëgjon vdekjeyll?

 

Vdekjeyll ti që ndrit nëpër qiellin

E natës. Pse ma mbulon diellin?

Tej territ as që duket të vijë mëngjesi

Gëzohen përbindshat! Se nata s’do vdesi

Drithrimat më hyjnë e mposhtem nga stresi, vdekjeyll.

 

Vdekjeyll që largohesh pa kthyer

Fytyrën. Dhe më lë të zhgënjyer

Të nënujshme rrëshqasin lotët e mia

Si ngjyrë e paqartë. Mbretëron periferia

Qendra ra, k’tu merr fill anarkia, vdekjeyll.

hënën

In Vjersha on 16 Maj, 2012 at 10:55

Nudo sdraiato sul fianco sinistro, 1917 – Amedeo Modigliani

o perëndim, hënëz e kuqe detin mundon

dashurie, aq thellë shtyrë në imagjinatë.

shkallë të marra, shkallë të marrësh

të ftojnë të zbresësh në pamje të parrokshme të së vërtetës

që kërkon të lindë e përpëlitet nën shtatë lëkurët

që mbulojnë atë akullin e martinit, zemër

 

o perëndim një hënëz e kuqe tretet

në gota alkooli me ngjyrë të errët.

alkooli kjo fikside e pashmangshme,

ky babë i panegociueshëm burrash të rreptë

vërvit e rrëzon botëkuptime hendeqeve

të një dekadence kaq shumë të mirëpritur

 

rryma të paparashikueshme devijojnë

dritën e hënës mes oqeanesh njerëzorë.

fytyrat kthyer drejt lindjes lulediejt

presin lindjen e diellit Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

21 janari si parathënie

In Artikuj on 13 Maj, 2012 at 15:09

Fëmijët e të rënëve

The hat makes the man, 1920 – Max Ernst

Shumë fjalë janë thënë, shumë do thuhen për baballarët e vrarë e të sharë prej pushtetit shtypës e kriminal, po ndër to vetëm një është e vërteta – ata ranë martirë të thirrjes për drejtësi, dëshmorë të mosdorëzimit, të besimit se asnjëri prej atyre që zdërhallen mbi gjakun e djersën e popullit nuk mund të pretendojë të drejtojë në emër të të njëjtit popull.

Edhe pse ajo demonstratë u thirr nga drejtues që me sa duket s’mëtojnë gjë tjetër pos të njëjtin pushtet me të njëjtat mënyra, edhe pse ajo demonstratë u ndez nga publikimi mediatik i një filmi të vjellë nga zorrët e sistemit, me një fjalë edhe pse denoncuesi ishte i së njëjtës stofë me të denoncuarin, ata nuk dolën as për pushtetarët partiakë, as për median, as për filmin e aq më pak për denoncuesin. E rrethuan simbolin qendror të shtypjes në emër të drejtësisë bashkë me dhjetra mijëra kokëpalarë, që edhe po të ndryshonin partitë e dinin fare mirë se nuk do t’i iknin atypëraty skamjes. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »