Arber Zaimi

Partia ultrademokratike e xhabirëve

In Artikuj on 20 Qershor, 2012 at 14:02

Stallungen, 1913 – Franz Marc

Faktet janë fakte, në Kaçanik fitoi PDK-ja. Që në rrethin e parë, me 53 % të votave. Partia e xhabirëve shënoi suksesin e radhës, pas atij të Ferizajit, e meqë askush nuk ka ndërmend ta vërë në diskutim këtë realitet fatkeq, xhabirologët ia nisin të diskutojnë me hijet që i përndjekin në imagjinatat e tyre aspak ngjyrashumë.

Xhabirologët e dinë mirë xhabirishten, edhe pse kur botojnë shkrime nëpër gazeta të pavarura, përdorin një gjuhë pak më njerëzore. Ama xhabirishtja është gjuha e tyre e brendshme, gjuha që u shënon ekzistencën e ua dikton nevojën për atë që do të mund ta quajmë “hubris i servilit”, arroganca e impotentit që gëzohet pse shefi i vet nuk dhunon vetëm atë, po edhe të tjerët.

Në xhabirisht nuk ka nevojë të thuhet, sepse është e mirënjohur që në rastet kur dhuna shndërrohet në sistem, gjithnjë zgjedhjet i fiton zotëruesi i dhunës, mbajtësi i skeptrit. Psh. një xhabirolog i famshëm teksa mburrej me fitoret e partisë së vet përmendte se si populli nuk e paskësh votuar kësaj radhe partinë e Kim Jong Ilit, Mao Ce Dunit, Fidel Kastros apo Hugo Çavezit. Kësaj liste po i shtoj nga vetja edhe partitë e Enver Hoxhës, Josip Broz Titos, Josif Stalinit, bile edhe partinë famëmadhe të Adolf Hitlerit. Të gjitha këto parti nuk fituan kësaj radhe, sepse kësaj radhe fitoi Partia e xhabirëve. Por – siç duhet ta dijë secili lexues – sa herë që këto parti të renditura më sipër sipas diktatorëve janë paraqitur në zgjedhje, ato kanë fituar bindshëm. Pa rreth të dytë. I imagjinoj xhabirologët e Koresë së Veriut të cilët të frymëzuar nga hubrisi i sipërpërmendur ia nisin të botojnë shkrime nëpër gazeta se si edhe kësaj radhe populli nuk e dëgjoi kritikën perëndimore, se si edhe kësaj radhe votoi liderin e pathyeshëm, pavarësisht lapërdhive që e karakterizojnë klikën e tij, se këto lapërdhi në fund të fundit janë përgjegjësi personale etj. Edhe lideri gjithnjë i dënon ca prej klikës së vet, se ai fundi i fundit është ideali i së drejtës mishëruar në një. Po kështu do ketë ndodhur edhe me xhabirologët e Maos apo ata të Adolfit.

“Oh zot i madh” do brengosen xhabirofilët, “po si ka mundësi që ky po na krahasoka regjimin tonë xhabirian me këta monstra. Po ne jemi demokraci në Kosovë, këtë e thotë edhe vetë qeveria jonë, e thotë edhe media. Vetëm ata sharlatanët e UNDP-së nuk po e thonë”. Mirëpo ekziston si fakt i vëzhguar e i vetëvërtetueshëm që secila nga diktaturat e mësipërme e ka mbajtur veten për demokraci, madje për demokraci të nivelit të lartë, si shembull për botën. Po ashtu, edhe në ato vende vetëm do sharlatanë perëndimorë e do opozitarë të pandreqshëm kanë guxuar të kritikojnë “realitetin”.

Por kjo bindje e xhabirofilëve në fakt qëndron larg së vërtetës, është një shtrembërim i pamjes përmes një optike iluzive, është në fakt një sëmundje që i bën vetë ata të mos e kuptojnë se gjithnjë e më shumë po e lënë pas demokracinë e së bashku me xhabirët i afrohen diktaturës. Këtë sëmundje halucinative po e quajmë xhabiropati, dhe konsiderojmë që është e transmetueshme gjatë marrëdhënieve të dhunshme a konsensuale pushtet-vartës, pra duhet të ketë përhapje goxha të gjerë në partinë e xhabirëve që është një skenë ekstatike e pushtetit.

Xhabiropatia nuk ka si shfaqje të vetme faktin që fiton shumicën e votave. Ajo shfaqet fillimisht tek trembja e popullit përmes angazhimit të personave të dhunshëm, si vetë Xhabiri a shefi i tij. Shfaqet tek kërcënimet fshat më fshat e familje më familje. Shfaqet tek fenomeni që në kohë të nazizmit u quajt berufsverbot, apo përjashtimi prej vendeve të punës të cilitdo që nuk i përulet pushtetit tënd (si në Kosovë, apo jo?). Shfaqet te fenomeni që mund ta quajmë sot denksverbot, apo ndalimi i mendimit, dhe te përpjekja e xhabirologëve për ta etiketuar si të dhunshme, si terroriste cilëndo alternativë që nuk është ajo e tyrja.

E më së fundi xhabiropatia shfaqet në formën e vet akute tek shushatja e shastisja e popullit, i cili le që nuk merr përsipër të protestojë ndaj padrejtësive, mjerimit e varfërisë (e nënta nga fundi Kosova e xhabirëve e qafirëve), por gjithnjë e më pak del edhe që të votojë. Sepse në vend që qytetari të edukohet e t’i lehtësohet pjesëmarrja në zgjedhje, atij i dërgohen në vendvotime xhabir-drejtorët, të veshur me petkun e personelit ndihmës. I dërgohen edhe truprojat e xhabirëve tëpushtetshëm që të kërcënojnë me gjithë dhunën e tyre, sepse ditën e votimit asnjë xhabir nuk ka nevojë për truprojë. Kështu ndodh që bie numri i përgjithshëm i votuesve, bie numri edhe i forcave të tjera, por numri i partisë ultrademokratike të xhabirëve, mbetet gjithnjë i njëjtë. Jo rrallë ky numër përputhet me numrin e të punësuarve në administratë e në bizneset pranë pushtetit, shumëzuar me numrin e anëtarëve të familjes së gjerë.

Por, që ta mbyllim siç e nisëm, faktet janë fakte. Është fakt që gjithë xhabirologëve u duhet uruar fitorja e xhabirëve dhe e shefit të tyre, ky rezultat që pasqyron më së miri realitetin. Po ashtu është fakt që vendi i vetëm ku mund të depozitohet ajo pak shpresë që ka mbetur gjallë, është tek idetë dhe aksionet e atyre që nuk pajtohen me këtë realitet e që përpiqen përditë për ta ndryshuar atë.

Arbër Zaimi

Reklama
  1. […] Arber Zaimi – Partia ultrademokratike e xhabirëve Faktet janë fakte, në Kaçanik fitoi PDK-ja. Që në rrethin e parë, me 53 % të votave. Partia e xhabirëve shënoi suksesin e radhës, pas atij të Ferizajit, e meqë askush nuk ka ndërmend ta vërë në diskutim këtë realitet fatkeq, xhabirologët ia nisin të diskutojnë me hijet që i përndjekin në imagjinatat e tyre aspak ngjyrashumë. https://fletore.wordpress.com/2012/06/20/partia-ultrademokratike-e-xhabireve/ […]

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: