Arber Zaimi

Kritikë e leximit qëllimisht “mistik” të neoliberalizmit

In Artikuj on 30 Qershor, 2012 at 13:49

Navio de emigrantes, 1939 – Lasar Segall

Në shkrimin e vet “Kritikë ndaj kritikëve të pandershëm të neoliberalizmit” Adri Nurellari ankohet se në Shqipëri e në Kosovë ekonomia dhe politika nuk po ndjek një model kapitalist neoliberal. Ata që Nurellari i quan “socialistë”, e kritikokan këtë sistem në mënyrë të pandershme, duke e kategorizuar paradigmën qeverisëse si liberalizëm e duke ndotur kështu imazhin e mendimit orthodoks liberal, mendim të cilin Nurellari e prozeliton në mënyrë krenare, duke u vetëquajtur një “liberal i pandreqshëm”.

Për të treguar se strukturimi ekonomik në Kosovë e në Shqipëri nuk po ndiqka binarët liberalë Nurellari thërret në lojë Adam Smith-in, një nga baballarët e liberalizmit klasik, një filozof i politikës dhe i moralit që ka shkruar plot dy shekuj më parë, në Britaninë e Madhe. Në leximin që liberali radikal i sotëm i bën babait të liberalizmit vë re, me të drejtë, që strumbullari i filozofisë së Smith-it, ideja fikse e tij, ishte liria – të cilën natyrisht që ai e interpreton si liri të sipërmarrjes, liri të hyrjes në marrëdhënie me forcat e prodhimit. Nurellari shkruan:

“…Smithi nuk nxjerr argumente në favor të interesave të sipërmarrësve borgjezë apo aristokratëve të fuqishëm, por flet për një sistem të mbështetur tek liria, që më së shumti do të ndihmonte të varfrit. Sipas tij, ekonomia e udhëhequr prej dorës së padukshme të tregut, do të bënte të njëjtën shpërndarje të produkteve që ishin të nevojshme për jetën, që do të ishin bërë sikur bota të ishte ndarë në porcione të barabarta mes banorëve dhe në këtë mënyrë pa e patur synim, pa e ditur, avancon interesat e të gjithë shoqërisë.”

Një lexim kaq mistik gjithsesi nuk lë pa evidentuar shqetësimin moral të Smith-it për njeriun, që bazohej tek ajo çka vetë britaniku e quante “simpati humane”. Gjithashtu dalin qartë dy nocione të rëndësishme për filozofinë liberale, “dora e padukshme e tregut”, një lloj deus ex machina që operon në mënyrë mistike (megjithëse jo dhe aq, siç tregojnë studimet e avancuara të ekonomistëve modernë, të cilët Smith-i natyrisht nuk kishte nga t’i njihte) dhe nocioni tjetër qendror bashkë me “lirinë” – “barazia”. Liberalët e parë, kryesisht humanistë, e kanë diskutuar gjatë se cila prej këtyre dy nocioneve është më e rëndësishmja, e pikërisht këtu ata ndahen nga studiuesit e filozofisë në dy grupe, të ashtuquajturit “Liberalë Francezë”, të përqendruar më shumë tek diskutimi i një shoqërie pa barriera, pra më të barabartë dhe “Liberalët Britanikë”, që ishin më pragmatistë në diskursin e tyre, dhe fokusoheshin tek liria e individit për të vepruar e për të qenë i suksesshëm, kryesisht në fushën e shkëmbimeve tregtare, pra ekonomisë. Kjo ndarje fillestare që reflektohet ende sot është pasojë e diferencës së dy botëkuptimeve të farkëtuara në dy vende që ndryshonin historikisht e politikisht dhe ende ndryshojnë.

Nurellari natyrisht i referohet linjës së liberalëve klasikë britanikë dhe siç shkruan tek paragrafi i cituar më sipër, pretendon se Smith-i shqetësohej më së tepërmi për barazinë e ia kish gjetur ilaçin kësaj pune tek liria e sipërmarrjes, kjo do të bënte që bota, pa e ditur as vetë, do të zgjohej një ditë e barabartë. Nuk ka vlerë t’i bësh kritikë këtij besimi naiv, sepse kritikat ky lloj argumentimi ekonomik i ka marrë që në të gjallë të Smith-it, nga një tjetër britanik, klasik i ekonomisë, David Ricardo, i cili me të drejtë vuri re se Smith-i nuk e parashikonte në filozofinë e tij morale dhe ekonomike as barrierën ndaj lirisë që quhet “pronësi”, as “konfliktin klasor” (vini re, Ricardo nuk mund të akuzohet si marksist, se ka shkruar para se të lindte filozofi nga Trieri).

E kështu me radhë, Smith-it dhe mendimit liberal ekonomik i janë bërë shumë kritika, nga të cilat është e rëndësishme të përmendet ajo që ka të bëjë me lirinë – pra sa të interesuar janë partizanët e tregut të lirë tek liria? Që ta sjellim në ditët e sotme, sa e lirë dhe e barabartë do të qe Shqipëria apo Kosova në një treg ndërkombëtar të supozuar krejtësisht liberal, në rast se hyn në marrëdhënie me një superfuqi, fjala vjen ShBA-të? Thelbi i lirisë që rrjedh prej tregut është aftësimi i subjektit që të përfitojë prej avantazheve të veta krahasuese, por cilat do të ishin avantazhet krahasuese të këtyre vendeve shpërpjesëtimisht të vogla krahas superfuqive? Duke mos patur përgjigje për këtë dilemë, liberalët sugjerojnë zhdukjen e kufijve, dhe krijimin e tregut global, si “lirues” final. Por dilema mbetet e vlefshme edhe në rastin e heqjes së kufijve, sa i barabartë është individi i varfër përballë individit të pasur, sa i lirë është ai në marrëdhëniet ekonomike në një treg të hapur ku operojnë, fjala vjen, korporata (që me ligj njihen si persona)?

Kritika e mendimit klasik liberal të Smith-it nuk do të kishte asnjë lloj rëndësie, po të mos qe për atë çfarë ka ndodhur historikisht, dhe këtu po hap një parantezë sa për të sqaruar diçka në lidhje me kritikën e mendimit, apo vetë mendimin dhe impaktin e tij në praxis-in politik. Shumë shkurt, duhet të sqaroj se pikëpamja ime për mendimin, për idetë e për ideologjinë është materialiste – gjithë bota e ideve dhe e mendimeve reflekton realitetin ku jeton e punon autori, marrëdhëniet sociale e ato të pushtetit etj. dhe gjithçka mund të shpjegohet duke vetëm duke u nisur nga një event real. Ndërkohë qasja që Nurellari bën në shkrim është tipike idealiste, ai evidenton konceptin e lirisë, e përqas lirinë si një lloj universaleje të qenies, tek e cila rrekim të shkojmë të gjithë ne individët e paplotë. Prandaj dhe e quaj “mistik” leximin që Nurellari i bën Smith-it (që nga ana e vet, me gjithë difektet që kishte në mendimin e tij, nuk mund të quhet idealist). Nuk është Smith-i që shpiku kapitalizmin apo tregun, por e anasjellta. Smith-i thjesht sugjeroi qe heqja e barrierave qeveritare do të ndikonin në çlirimin e njeriut. Qëllimi i tij qe humanist, siç e ka dashur dhe trendi në kohën e vet. Por, dhe këtu e mbyll parantezën, historia i ofron filozofëve vetëm këto dy mënyra për praktikimin e ideve të tyre, ose të ushtrojnë impakt politik (kjo ndodh në rastin kur shtresa të caktuara përqafojnë një filozofi si motus, kjo ndodh rrallë dhe shenjon revolucione), ose të përdoren për të forcuar pushtetin e elitave që zgjedhin të përdorin këtë apo atë filozofi. Ky i fundit është rasti me liberalizmin.

Në bazë të konfiguracioneve të ndryshme politike e historike elitat (kryesisht elita ekonomike) kanë zgjedhur të ndikojnë politikën duke e bërë të përqafojë filozofi të ndryshme dhe paradigma të sojsojshme ekonomike, sidomos që prej shekullit të XX, kur avancimi teknologjik shkaktoi evoluim në marrëdhëniet e prodhimit dhe në vetë marrëdhëniet shoqërore e ekonomike dhe u bë e domosdoshme që shoqëria të kontrollohej ideologjikisht deri në mikrodetajet e të gjitha dimensioneve. Si shembull mund të marrim “perëndimin”, meqenëse ky mbijetoi në garën për jetëgjatësi, më saktësisht SHBA-të, si shenjues të “perëndimit”, në mos të gjithë globit që po perëndimizohet. Në vitet ‘30, pasi e pa veten të rrezikuar prej një krize ekonomike që mund të nxiste konflikt klasor (siç analizoi në atë moment Keynes-i), Roosevelt-i me New Deal-in zgjodhi t’i vinte fre lirisë ekonomike që krijoi shformime sociale, truste, mbiprodhim e inflacion. Më pas edhe Lyndon Johnson i ripërtëriu politikat keynesianiste pas rrudhjes ekonomike të fundviteve ‘50, me Great Society-n e vet. Por a ishin këto dy reforma përqafime popullore të filozofisë ekonomike të Keynes-it? Natyrisht që jo, keynesianizmi nuk qe një realizim ad litteram i asaj çka shkroi e mendoi ekonomisti britanik, të gjithë e kuptojnë se këto reforma shërbyen vetëm për të zbutur konfliktin social. Që të parafrazoj historianin David Harvey, paradigmat ekonomike e politike kur gërshetohen me nevojën për të rikthyer, apo për të forcuar elitat në pushtet shformohen, braktisin parimet e tyre kryesore aq sa nuk mund t’i njohësh më.

Kjo ka ndodhur dhe me liberalizmin, që në fund të viteve të ’70, u zgjodh si paradigma ekonomike që do t’i shërbente elitave për të forcuar pushtetin. Ngjallja e ekonomisë klasike në një variant të kontekstualizuar kishte ndodhur që gjysmën e parë të shekullit të ’20 nëpër akademi, dhe ndër variante laboratorike që diskutoheshin, në perspektivën e prodhimit fordist dhe post-fordist, natyrisht që flitej dhe për liberalizmin. Por tashmë diskutohej krejtësisht në terma ekonomikë të efiçiencës, të kostos dhe të lirisë për të përfituar. Liria liberale, që Nurellari na e sjell tek shkrimi i vet, tashmë ishte shndërruar në një liri të reduktuar (mjaft të kujtohet liberali radikal italian Gentile, i cili përqafoi totalitarizmin fashist duke justifikuar se liria e njeriut për t’u zhvilluar dhe për të përfituar nga avantazhet e veta krahasuese ishte më e sigurt nën mbrojtjen e fashios, apo të kujtohet teoria e “disiplinimit financiar”, tepër në zë kohët e fundit në Europë). Siç thotë dhe kritiku kulturor Matthew Arnolds “liria është një kalë i mirë për të shaluar, por duhet të të çojë diku”. Liberalët e shekullit të XX e kishin zgjedhur se ku do t’i shpinte kali i lirisë, individualistë siç ishin, ata mohonin interesin për çfarëdo pengese që mund t’u dilte para, qoftë ky shteti, demokracia, komuniteti apo Tjetri.

Në mes të shekullit të XX u krijua Shoqata Mont-Pelerin, që përfshinte liberalë radikalë si Von Mises, Hayek, Powell dhe Friedman. Që prej fillimit ata argumentuan se si duhej që shteti të rrudhej në një rol krejtësisht rudimentar, të garantonte tregun, të garantonte marrëdhëniet në treg dhe të garantonte sigurinë. Pjesa tjetër, sipas tyre i duhej lënë aktorëve privatë, individëve dhe korporatave. Kuptohet se këta kalorës të Mont-Pelerinit kishin nevojë për armiq, kështu që Hayek-u në librin e tij The Constitution of Liberty, ndër kollotumba të ndryshme logjike arrin në përfundimin se “beteja teorike është tepër e rëndësishme, e ndoshta do të duhet të kalojë një brez i tërë për ta fituar. Kjo betejë nuk është vetëm kundër marksizmit, por edhe kundër socializmit, kundër planifikimit shtetëror dhe kundër intervencionizmit keynesian”. Fillimisht këta neoliberalë hasën në indiferencë, (edhe pse patën një kritikë interesante nga Karl Polanyi – në librin e tij Great Transformation), nuk thoshin asgjë të re, e për më tepër asgjë interesante. Por vëmendjen drejt tyre e shpuri kriza ekonomike dhe rënia e interesit real në shifra të papërjetuara më parë në fillim të viteve ’70 që i bëri elitat ekonomike perëndimore të kthejnë sytë nga teoritë e tyre.

Kështu fillimisht u eksperimentua me pushtetin lokal të New York-ut, më pas në Kili, më pas në Argjentinë, më pas Thatcherism-i, Reaganomics dhe të mos harrojmë kthesën e madhe të Deng Xiaoping-it në Kinë. Vendet kryesore në institucionet që kontrollonin ekonominë botërore, FMN dhe BB iu dhanë nxënësve të neoliberalëve, të cilët gjithnjë e më tepër gjenin akses dhe në qeveritë përkatëse, ata pushtuan akdemitë dhe e shndërruan mendimin ekonomik liberal në hegjemoni. Pasojat qenë shkatërrimi i vlerave të komunitarizmit, i sindikalizmit, apo i kulturës politike të welfare-izmit. Natyrisht, nuk qe liberalizëm puro, si ai që kërkon Nurellari, por e thamë një herë që ai nuk është e mundur të gjendet as në kantinat e verës që ka në Texas familja Bush.

I kritikuar në akademi e jashtë saj, liberalizmi gjithsesi mbërriti të jetë një nga shtyllat thelbësore të ideologjisë që qeverisi globin pas rënies së perdes së hekurt. Aplikimi i Terapisë së Shock-ut, i eksperimentuar më parë nga Pinochet-i e të tjerë në Amerikën Latine, u këshillua të përdorej edhe në Europën Lindore. Rezultatet qenë të tmerrshme. Në rast se Europa Perëndimore dhe SHBA-të e shtrinë periudhën e modernizmit në disa shekuj, duke zhvilluar stofin social të domosdoshëm për të përballuar agresivitetin e elitave ekonomike, shoqëritë europiano-lindore u gjendën përballë një të papriture shokuese. Reagimi qe vërtet i ngjashëm me atë të vendeve amerikano-latine, por kjo nuk ndodhi pse liberalizmi nuk qe aq fondamentalist sa ç’do të donte Nurellari, përkundrazi. Kjo ndodhi sepse në këto shoqëri nuk pati antikorpe për këtë ideologji që është në thelb e dhunshme, pasi e katandis njeriun dhe shoqërinë në produkt, e llogarit atë në terma thelbësisht ekonomikë të maksimizimit të përfitimit dhe minimizimit të kostos. Është në Europën Lindore, e jo në Perëndim, që njeriu trajtohet si mjet pune e fitimi dhe asgjë më tepër, siç denoncon ekonomia gjigande informale e krijuar në këtë rajon, ekonomi që natyrisht nuk pengohet nga asnjë lloj strukture shtetërore dhe është pararoja e të shumëpriturit Treg i Lirë.

Aktualisht në perspektivën që krijoi kriza aktuale duket se neoliberalizmi ka humbur vlerat e veta dhe impaktin politik, elitat e pushtetit janë gati për të bërë ndryshimin e radhës. Kritikat e nobelistëve të rinj Stiglitz-it dhe Krugmanit, apo ato të Amartya Sen-it, risjellin në modë intervencionizmin statist dhe neothirdëay-izmin. Shfaqja e modelit juridiko-ekonomik Rawls-ian ndihmon neokonservatorët e Cameron-it që të fitojnë terren duke ripërdorur kalin e tyre të vjetër të betejës, moralin. Sa herë që ka kriza, ndryshohet gjithçka me kusht që të ruhet e tëra, në mënyrë që të ruhen strukturat e pushtetit – të cilat bashkë me ideologjinë që prodhojnë janë pengesat më të mëdha për Lirinë. Është pikërisht kjo paaftësi për të sjellë përmirësime thelbësore që kritikohet nga kritikët e neoliberalizmit, apo kritikët e ideologjisë aktuale e cila jo rrallë përdor neoliberalizmin për justifikimet e veprimeve të veta.

Kritikohet besimi i përhapur dhe i pavërtetë se prona publike është pronë pa zot, besimi se privatizimi do të sjellë zhvillim, besimi se hapja e tregut do të sjellë investime, besimi se integrimi do të hapë vende pune, besimi se shteti i vogël vjedh më pak, apo besimi se privati nuk vjedh. Këto klishe të përhapura kaq shumë e të shndërruara në ide fikse për shqiptarë të të gjitha niveleve në Shqipëri e Kosovë jo vetëm që janë të pavërteta, por kanë pasoja direkte negative në këto shoqëri. Kritikohet ideja se liria është absolute (ndërkohë që nuk ke kurrfarë lirie faqe më të fuqishmit, ose ke lirinë për të shkuar e për t’u zhytur në minierë për të mbajtur fëmijët gjallë, si rasti i fundit në Bulqizë), ideja se po krijojmë demokraci (ndërkohë që kemi mundësi të zgjedhim vetëm një herë në katër vjet midis privatizimit dhe privatizimit, midis integrimit dhe integrimit, midis liberalizimit dhe liberalizimit, midis varfërisë dhe varfërisë), apo ideja arrogante se jemi në fund të historisë e të tjera gafa si këto që lëshohen si shashka nëpër media, po nuk u bie njeri nga pas për të shtruar ndonjë pyetje.

Neoliberalizmi në Shqipëri e në Kosovë vjen si një model i importuar, mbi të nuk është reflektuar dhe është koha të reflektohet. Shoqëria jonë nuk mundet, dhe nuk kemi për të lejuar që të shndërrohet në një shoqëri eksperimentesh për lloj-lloj ambasadorësh, misionarësh, dërgatash korporative apo politikanësh renegatë vendas. Për këtë arsye, nuk është aspak e pandershme të kritikosh këto modele të importuara dhe entuziazmin me të cilin përqafohen nga injoranca apo nga keqdashja, përkundrazi është një shërbim nga më të denjët që mund t’i bëhet shoqërisë. Të pandershme janë barrierat që i vendosen kësaj kritike, por për këto mund të flitet më gjatë në një tjetër artikull.

Botuar në “Shqip”, në 16.07.2010

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: