Arber Zaimi

Cila dhunë ishte legjitime?

In Artikuj on 3 Korrik, 2012 at 16:45

Pas ngjarjeve të së premtes, 21 janar, ku protestuesit u shtypën brutalisht prej një shteti revanshist ata që kanë qenë më të zëshmit nëpër media kanë qenë dashnorët e paqes me çdo kusht. Dje dhe sot analistë të ndryshëm, opinionistë, njerëz të medias, politikanë, gazetarë e ndërkombëtarë kanë ripërsëritur formulën e tyre bajate, kanë dënuar dhunën duke e denoncuar atë çka ndodhi si shfaqje të kafshërisë e prapambetjes qytetare të shqiptarëve, këtij populli të pamësuar me demokraci e me institucionalizëm, këtij populli iskariotësh, që na e shitkan Mesinë (kryeministrin apo kë?) për 20 a 30 mijë lekë.

Më lejoni të shpreh bindjen time, bindje e formuar in situ, se ajo çka ndodhi në 21 janar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ishte në fakt një prej shfaqjeve më gjenuine të demokracisë, ishte një prej momenteve më të sinqerta politike të këtyre 20 vjetëve të fundit, ishte një akt sublim. A do të përpiqen ta instrumentalizojnë këtë akt Berishët, Ramët e lëtyrat si Meta – po patjetër. A duhet t’i lëmë ta bëjnë këtë? Jo, në emër të logjikës, në emër të një populli anonim që tashmë është lodhur me alternativat boshe e tashmë kërkon të zgjidhë hallet e veta me mjetet e veta.

Shumëkujt mund t’i tingëllojë patetike ajo çka kam shkruar më sipër, se në fakt shumëkush e ka stërvitur mendjen vetëm brenda kafazit të gjuhës korrekte, të gjuhës së drunjtë përmes së cilës s’mund të shprehet as dëshira për ndryshim, e jo më ndryshimi. Për ata po përpiqem të argumentoj edhe një herë atë që në fakt s’do të duhet të kishte nevojë ta argumentonte kush, po përpiqem të tregoj me pak fjalë se çka qe dukshëm e bardhë e çka qe dukshëm e zezë në segmentin Piramidë – Kryeministri.

Le t’i kthehemi qëndrimeve të “aktivistëve paqësorë anti-popull”. Një pjesë e mirë e tyre sjell argumentin banal se në demonstratë nuk ishte populli, por njerëz të Partisë Socialiste. Prej tyre është hedhur dhe ideja se këta anëtarë na qenkan sjellë nga rrethet, e në fakt kanë qenë “mercenarë”, të paguar për të ushtruar dhunë, të droguar, kokëpalarë, kontigjent krimi etj. Do të mjaftonte të thosha se kam qenë vetë mes protestuesve, nuk kam qenë kurrë anëtar i PS-së, kam qenë dhe jam kritik ndaj elitës së kësaj partie përfshi dhe Ramën, nuk kam marrë kurrë pare prej tyre, nuk kam marrë substanca të premten (nëse për marrëveshje vendosim që gazin lotsjellës ta veçojmë prej substancave), nuk kam histori kriminale, e higjienën e kokës e kam patur të nivele të mira që prej fëminisë. Natyrisht që për ta sjellë diskutimin në shina logjike do të mjaftonte të dëshmoja të kundërtën e asaj që pretenduan “analistët” e “politikanët” pacifistë, do të më mjaftonte të tregoja se shumë prej njerëzve të pranishëm nga fillimi deri në fundin e protestës ishin si unë, njerëz që i njoh, e një pjesë i kam miq.

Mirëpo gjeometria e logjikës nuk është një armë që mund të përdoret ndaj Berishës, Metës, Bashës, Patozit, Olldashit e një trume servilësh mediatikë. Qëllimi i tyre është të tregojnë se aty në turmë na paska patur edhe fatkeqë, njerëz që kanë ardhur pse PS-ja u paska premtuar një vend pune, njerëz të pashkollë, njerëz që vijnë prej shtresave më të ulëta shoqërore, që janë veshur keq, që u mban erë alkool goja, që nuk kanë frikë nga burgu etj. … Më lejoni që t’ua vërtetoj hipotezën të nderuarve qeveritarë e sejmenëve të tyre. Po zotërinj, shumica e njerëzve që u përballën dje trup më trup me shkopinjtë e gomës, me breshëritë e plumbave (ah po natyrisht, kjo qe montazh, pastaj e ka dhe rregullorja…), ishin të tillë, plebej, prole, nënklasë, pabuksa, kokëpalarë, quajini si të doni. Por pikërisht kjo turmë të pashpresësh ia jep legjitimitetin gjithë ngjarjes së djeshme. Ta lësh një popull në këtë farë derexheje, ta lësh pa punë, pa bukë, pa shkollë, pa kushtet minimale të jetesës, ta kthesh popullin në një masë të pashpresësh që është gati të vritet edhe për një premtim kaq të zbehtë sa ai i Ramës, do të thotë se e meriton gjykimin dhe ndëshkimin e këtij populli. Te jetë i sigurt tirani i Tiranës se po të ishin në punë ata njerëz, po të kishin kushte për familjet e tyre, po të kishin shkolla, shëndetësi, liri e mbi të gjitha po të shihnin se shoqëria e ligjet e saj funksionojnë, nuk do të kish patur dhunë të premten.

Kjo është e vërteta, dhuna e të premtes nuk ishte e nxitur prej shqetësimeve estetike të parisë socialiste, nuk ishte dhunë e të bukurave sinjorina që dalin e flasin prej podiumit rozë, as dhunë e çunave trendy që shqetësohen se pse Berisha është kaq “katundar”, apo pse PD-istët vishen e sillen keq. Dhuna e të premtes lindi prej së drejtës së popullit për kryengritje, kryengritje ndaj një tirani që tashmë në mënyrë rutinore e shkel kontratën sociale. Mosdënimi i fajtorëve për masakrën e Gërdecit, përplasja para syve e korrupsionit që kjo qeveri e ka kthyer në rutinë dhe e mbron, standartet e shumëfishta të drejtësisë, papunësia dhe degjenerimi i ekonomisë së familjeve shqiptare i vendosur përballë lulëzimit e begatisë së firmave “të huaja” që për pronarë kanë bijtë e bijat, bashkëjetuesit e kunetërit e qeveritarëve, me një fjalë pabarazia ekstreme ka qenë shkak i kësaj dhune. A ka nevojë të shtrohet pyetja nëse një komb ka apo jo të drejtë të gjykojë e të ndëshkojë një zyrtar publik të rangut më të lartë kur ky, prapa maskës së vet të hipokrizisë, vepron kundër vetë kombit? Kur ky i shtyp bashkëqytetarët me vetë autoritetin që ata ia kanë dhënë për t’i mbrojtur? Kur ky e shndërron ligjin në një instrument dhune e kur kontrollon me dorë të hekurt çdo pushtet, duke shkaktuar në mënyrë direkte keqfunksionimin e drejtësisë, që nën Berishën s’ka mbërritur të meritojë emrin që mban. Nuk ka kuptim të shtrohet kjo pyetje. Nëse populli detyrohet t’i drejtohet të drejtës së vet për kryengritje, atëherë natyrisht që fillon dhuna, natyrisht që ky popull shfaqet në gjendje të natyrshme përballë tiranit. Tirani nuk mund të kërkojë më funksionimin e kontratës sociale, ligjit apo kushtetutës përballë kryengritjes popullore, sepse kjo kryengritje lind pikërisht kur ai e shkel këtë kontratë.

Mungesa e udhëheqjes socialiste në ballë të revoltës vetëm sa ia shton meritën revoltuesve. Në fakt të premten, si rrallë ndonjëherë është vënë re se populli ka detyruar elitën e opozitës që t’i vijë nga pas. Tre deklaratat e Ramës kanë një përshkallëzim interesant. E para, e dhënë diku rreth orës 17:00 vijonte të ruante një gjuhë korrekte (të kastruar) që bënte thirrje për largim nga sheshi e që delegjitimonte dhunën, a thua se njerëzit dolën në shesh për të përkëdhelur Berishën. E dyta ishte pak më realiste, dhe u denoncua burimi i vërtetë i dhunës, qeveria. E treta, dhënë në mesnatë ishte në përputhje me ngjarjen, dhe i dha asaj zërin që meritonte. Jo se pritet ndonjë gjë prej Ramës, tani atij i mbetet vetëm të vendosë Partinë Socialiste në shërbim të demonstruesve se e kundërta s’ndodh dot më, po natyrisht që nuk mjafton një deklaratë për të larë duart me derexhenë ku është degdisur Shqipëria, autor i së cilit është edhe ai vetë, në mënyrë implicite e eksplicite. Por e kanë tejet gabim ata që synojnë të kthejnë shënjestrën e kritikës drejt Ramës sa i përket revoltave qoftë për hir të paanshmërisë, apo për hir të kushedi cilit trill të korrektesës. Sot, pasi u vranë katër shqiptarë prej shfaqjes fashiste të një shteti të papërgjegjshëm, dihet se kush i meriton kritikat.

Ngjarjet nuk dihet si marrin në ditët në vijim, revoltat natyrisht do të vazhdojnë, me ose pa miratimin e partive, sepse nuk negociohet me atë që urdhëron policinë të vrasë demonstruesit – e natyrisht që ai vetë nuk ikën, se ka ndërmend të organizojë miting kundër të drejtës së popullit për të demonstruar. Por ajo çka ndodhi në 21 janar në Tiranë ka vlerë pedagogjike, ajo i mëson të gjithëve se Shqiptarët dinë ende të protestojnë e të luftojnë. Edhe pse, fatkeqësisht, vetëm kur u shkon thika në palcë. Le ta mësojnë këtë të gjithë ata që pretendojnë të marrin pushtetin, po shtype, po vodhe, po vrave e po u talle me të pashpresët, atëherë do të përballesh me armët e tyre.

Botuar në 23 janar 2011 në “Shqip”, “Shekulli”, “Tema” etj.

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: