Arber Zaimi

Djali dhe vajza e pasanikut

In Artikuj on 5 Korrik, 2012 at 18:50

Bildnis der Journalistin Sylvia von Harden, 1926 – Otto Dix

Çdo ditë shkoj të fitoj bukën e gojës

Në pazarin ku shesin gënjeshtra

Do zoti

Dhe gjej një vend nga an’e shitësve

Bertolt Brecht – Hollywood

U ula të shkruaj me ide të qartë në kokë, një analizë për privatizimin e çuditshëm të llotarisë kombëtare në Tiranë, si dhe për privatizimin e rrjetit të distribucionit të energjisë elektrike në Kosovë, dy fenomene të papranueshme nga cilado normë politike e ekonomike, dy privatizime të monopoleve publike që si pasojë do të sjellin të dyja zgjerim të hendekut a honit që ndan shqiptarët e pasur nga ata që nuk kanë kohë të dinë se janë të varfër. Mora do raporte e do shifra, do shënime prej ekonomistëve që lexoj, e bash kur hyra në internet për t’u konsultuar me gazetat për dy privatizimet respektive, më dalin përpara dy lajme, të dyja të botuara në gazeta tepër serioze të nivelit udhëheqës sa i përket shitjeve (meqë kemi vendosur që kush shet – udhëheq).

Lajmi i parë, që të mos zgjatem, vdekja e një tjetër minatori në galeritë e minierave ilegale në Bulqizë. Revolta tashmë është rreshkur, është bërë trishtim. Ngjet si fatkeqësi, edhe pse është veç krim, drejtpërdrejti krim. Lajmi i dytë, po në këtë gazetë udhëheqëse, kish të bënte me pushimet e djalit të pronarit të gazetës, një farë rioshi që në fotografinë e vendosur online, shullëhej nën diellin e plazhit në Ibiza. E kështu vijonte artikulli, duke përshkruar dhuratat e shtrenjta, një makinë luksoze, një orë zviceriane, balerina e strippers e të tilla çikërrima që i kish blerë pronari i gazetës së birit, raportohej me profesionalizmin që i karakterizon këto media udhëheqëse.

E shtyva për më vonë idenë për të shkruar analizën për privatizimin, që si pishmanlli, ndoshta dhe nuk e shkruaj hiç. Ç’të teorizosh në një popull që shfleton durueshëm çka shpërfaq kjo klasë udhëheqëse, që duron spektaklet ku adhurohet bukuria e bijës së kriminelit e që kurrë nuk gjen kurajon ta shohë brenda vetes gjëmën që përjeton e bija e viktimës. Ç’të shkruash në momentet kur të vjen të mbyllësh sytë me refleks struci… Vendosa të bëhem eskapist si shumë opinionistë ekspertë që flirtojnë me teorinë, po jo dhe me aksionin. Vendosa të mos merrem me Shqipërinë e Kosovën e me hallet e tyre partikulare rutinore, e ta drejtoj vëmendjen time narciziste drejt e në Meksikë. Për dy arsye, një sepse “Meksikë” rimon me “cinik” dhe dy sepse është aq larg sa gati gati mund të them ç’të dua, madje edhe mund të mendoj ç’të dua për të. E ku ka më mirë se liria.

Meksika ditët e fundit pati zgjedhje presidenciale. Fitoi Enrique Peña Nieto, kandidati i Partisë Institucionale Revolucionare. Emri i partisë duket si me qenë shqiptar, partia është e qendrës së djathtë, kandidati premtonte që nuk do të pranonte emigrantët meksikanë që ktheheshin nga vendet e tjera, me një fjalë gjithçka bukur. Gjersa, para ca ditësh vajza e presidentit të sapozgjedhur, me të marrë vesh se babai fitoi, shkroi në twitter: “Përshendetje gjithë atyre idiotëve që janë proletarë e që dinë vetëm të kritikojnë ata që kanë zili”.

Gjer këtu, thashë me vete, bota qenka fshat edhe asgjë s’ndryshon nën diell e të tjera klishe që mos më keq. Pastaj mora vesh që vajzës të këtij njeriut të suksesshëm na i qenkësh përgjigjur një shkrimtar. Jo në twitter, po në gazetë. Ai, nëpër rreshta shkruante:

“Nuk kam nderin të të njoh personalisht. Nuk e di si je, ç’virtyte ke, ç’dëshira, ç’interesa. E kuptoj bezdinë që ndjen kur të kritikojnë babanë. Po ato janë pjesë e punës. Do të duhej të ishe mësuar me sulmet… ‘Pse janë kaq të ashpër me të?’ – pyet ti. Eh, po pushtetarët fitojnë shumë. Ka mijëra njerëz që janë në gjendje të durojnë kritika edhe sharje akoma më të rënda, veç që ta kenë në dorë pushtetin. Po s’ka nevojë të shkruaj për tët’atë, se kjo do kohë e hapësirë meqë ia njohim mirë problemet e huqet pushtetit.

Po le të flasim pak për ty. Më tremb fakti që ti e përdore shprehjen ‘proletarë’ si një ofendim. S’do isha trembur po t’i shaje si ‘idiotë’, si ‘budallenj’ ata që shanë tët’atë, po është e pafalshme përbuzja që ti ke shfaqur për bijtë e punëtorëve. Ke ofenduar shumicën e këtij vendi për shkak të shtresës sociale. Po çfarë ka të keqe kur je bir punëtori? Unë jam nip i një minatori, i një proletari. Nuk më vjen turp për këtë. A do të vinte turp ty nëse yt atë do të shiste fruta në treg, a nëse do të qe hidraulik?

Pa e kuptuar ti ke shfaqur përkatësinë tënde klasore, përbuzjen për punën e krahut, nënvleftësimin e atyre që e fitojnë bukën me djersë. Ç’trishtim të mendosh që yt atë do të jetë president.

Se ‘proletarë’ në fakt janë ata që studiojnë në shkolla publike, që përdorin autobusin, që nuk hanë biftek argjentinas e djathë spanjoll, që nuk blejnë këpucë për mijëra pesos, që nuk shërohen në spitale private, që nuk udhëtojnë me helikopter. Janë ata që presin me orë të tëra në radhët e shërbimit social, hanë fast food, studiojnë në salla ku nuk ka kompjuter, dhe kanë në dispozicion veç transportin publik. Proletarët, moj Paulinë e dashur, fitojnë në një vit aq sa yt atë merr për veç një javë. Kur t’i lexosh këto fjalë bëj një ushtrim aritmetik, shih ç’të rrethon dhe gjej sa kushtojnë, parfumet, kremrat, deodorantët, teshat, këpucët, celularët, vathët. Ashtu do të marrësh vesh se sa paguhet një proletar për një vit punë të rëndë.

Lapsusi jot, Paulinë, rrëfen ‘realitetin’ tënd, ti jeton në një flluskë rozë. ‘Proletar’ nuk është fyerje, është titull nderi. Ky vend, që rreket të qeverisë yt atë, ekziston për shkak të proletarëve, fshatarëve, punëtorëve, nëpunësve e njerëzve që ti përbuz. E nuk t’i them këto se shqetësohem meqë po rrezikon karrierën e t’yt’eti. Se gjëja më e rëndë është që me këtë edukatë, që ti e ke marrë në shtëpi, ti rrezikon të ardhmen e gjithë Meksikës”.

E kështu e mbyllte shkrimtari komentin e vet, për vajzën e presidentit të Meksikës që kish sharë ata që kritikonin t’anë e u kish thënë “proletarë”. Vallë a ia çau flluskën rozë?

Shkruar per “Revista Klan”

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: