Arber Zaimi

Fyell me ashtin e shpinës – 1

In Përkthime, Vjersha on 6 Gusht, 2012 at 12:53

Rayonism, Red and Blue, 1911 – Mikhail Larionov

Majakovski

 

Kilometra rrugë, dhe hapat shtrij me zor.

E nga t’ia mbaj vallë unë me këtë ferr ngarkuar!

Cili poet, cili Hoffman hyjnor

Të shpiku, qofsh urryer e mallkuar!

 

Rrugët plot njerëz, spitullaqë të pabotë

Janë shumë të ngushta e stuhinë nuk ma nxënë

I mas me mend

Si gjaku që rrjedh i veshtull e i ngrohtë

mendimet m’derdhen jashtë e kafkën lënë

 

Unë

që gjithnjë kam qenë shkak për festa e gëzim

tash fill i vetëm në ahengje shkoj

E shihmëni si lëshohem kryengulthi në kërcim

e në shkëmb të lumit kokën e copëtoj!

 

Kam blasfemuar

Shava dhe thashë se nuk ka hyjni

e zoti që prej ferri një t’atillë grua nxuar’

sa malet fërgëllonin kur shihnin at’perri

ma solli e m’urdhëroi

bjer në dashuri !

Zoti zbavitet.

Nën qiell, mbi një gur

një burrë i vetmuar egërsohet, ligështohet.

Zoti e kqyr tek vdes.

Zoti mendon:

Ti, poet, ruaj veten!

Ish ai, ish ai që prej fillimi

në mënyrë që askush mos të dyshonte

Ai ty të dha burrë e të martoi me mua

T’dha nota njerëzore, e pianoja tingëllonte.

 

Po të vija majë gishtash afër shtratit tënd

e një shenjë kryqi të ta bëja përmbi kre

e di

si flok i djegur ti do të kundërmoje rëndë

e tym i dreqit do të dilte si një re.

Porse unë gjer n’mëngjes, nervoz e me pezm

imagjinoja si ikje, me ndonjë dashnor

dhe sillesha në jerm

ngurtësoja rënkimet në vargje e shkronja

si ndonjë i çmendur, – si argjendar i marrë.

 

Oh sikur të isha duke lojtur karta!

Ta ngjyeja zemrën në verë

e ta lija aty, ta lija të zhytej!

 

S’kam nevojë për ty !

S’kam

Mjaft të kalojë dhe pak kohë

E di

Sigurisht, më s’jam.

 

Nëse ekziston

zot

imzot

në qofsh ti qëndistari i sixhadesë me yje

nëse kjo dhimbje

që rritet ditë për ditë

është një dënim që na i çon nga lart

të lutem vishe togën e gjyqtarit.

Besomë, shumë shpejt do vij të t’vizitoj

Jam i përpiktë

dhe  asnjë ditë nuk do të vonoj.

 

Dëgjomë,

o i përnaltësuari inkuizitor!

Do e mbaj gojën mbyllur

Asnjë rënkim i vetëm

s’do i shpëtojë buzëve që do i kafshoj

Lidhmë pas kometash, si pas bishtit t’kalit

dhe grahi në revan

të ma copëtojnë trupin përmbi cepa

të mprehtë yjesh.

Ose :

kur shpirti lë trupin, e vendos që të dalë,

dhe paraqitet për gjykim te ty

i zbehtë e i trembur

atëherë

ngrije një trekëmbësh përmbi Rrugë të Qumështit

e si një kriminel lidhmë e varmë.

Bëj ç’të duash

Ndamë stërkatërsh e lërmë të mbes ashtu.

Vetë unë kam për të t’i larë duart, e pranoj.

Vetëm bëje këtë

për mua ! –

Hiqma atë të mallkuar

Që ti ma solle si të vetmen të vërtetën dashuri !

 

Kilometra rrugë, dhe hapat shtrij me zor.

E nga t’ia mbaj vallë unë me këtë ferr ngarkuar!

Cili poet, cili Hoffman hyjnor

Të mendoi, qofsh urryer e mallkuar!

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: