Arber Zaimi

Fyell me ashtin e shpinës – 2

In Përkthime, Vjersha on 7 Gusht, 2012 at 10:06

Bathing, 1911 – Aristarkh Lentulov

Majakovski

 

Dhe qiellin,

që harron se është i kaltër përmbi vranësirë,

dhe retë që vrapojnë si refugjatë allasoj,

me agim t’dashnisë s’fundme nuk i lë në errësirë

me jerm tuberkulozi, unë fort do i ndriçoj.

 

Dhe me lumturi do ta klith ulërimën

e turmës

që s’gjen as rehat as shtëpi.

Dëgjoni,

o popull!

Dilni llogoresh e gjer në front

Për luftë ka kohë pastaj, s’ka pse tani.

 

Dhe nëse

në kalamendje e marramendje, gjakprishur si Baku

e dehur pra vijon edhe vijon beteja –

e as atëherë fjalët e dashurisë s’vjetërohen.

Gjermanë të dashur!

e di

se Gretcheni i Goethes duhet

t’ju jetë gdhendur në buzë.

Francezi

jep shpirt buzagaz përmbi bajonetë

piloti i qëlluar me qejf do të rrëzohej,

po të qe se do të merrte

prej buzëve të tua puthjen,

Traviatë.

 

E sa për mua, unë thjesht s’kam më kohë

për tulet e trëndafilta përtypur në shekuj.

sonte le të përqafojmë kofshë të reja!

O flokëkuqe

mbuluar me grim, –

për ty po këndoj këtë çast.

 

Ndoshta prej këtyre kohëve,

tmerruese si teh bajonete,

kur shekujt mjekrën ma mplakin pa shend

ti do të jesh

e vetmja gjë që mbetet pandryshuar,

dhe unë,

nga qyteti në qytet, pas teje do rend.

 

Ti do martohesh përtej detit tutje,

e do të fshihesh përnën terr

mes mjegullës së Londrës unë ty puthje

të zjarrta do të jap me buzët e dritës n’fenerë.

 

Shkretëtirash të paana karvani në t’u ndaltë,

e luanë të uritur shpejt të dalin përpara,

nën këmbët e tua,

atje ku rërën era në hava hedh naltë,

do vija faqen time që përv’lon si Sahara.

 

E buzëqeshur

ti  do më shikoje

një toreador guximtar!

E unë publikun do mbaja n’habi

e do ua transmetoja timen xhelozi

përmes syrit të demit që shpirtin ia marr.

 

E në shkofsh hapalehtë përmbi ndonjë urë,

ku mendjen rrëmon

vallë sa mirë do të jetë aty poshtë, nën të,

do të jem unë,

Sena që rrjedh e që shkon,

që do të të ftoj,

e dhëmbët e prishur s’do t’i mbuloj më.

 

E nëse me dikë tjetër ti zjarr do ndriçosh,

që ndezin dhe lumin e bulevardin e plas.

 

atëherë unë me hënën ty do të të josh,

do ngjitem i zhveshur edhe do bërtas

në luftë

do u duhet ndonjëri i fortë si unë –

do më komandojnë

vritu, gjakftohtë!

E gjëja e fundit që do pëshp’rij sadopak

do jetë emri yt

me buzën e çjerrë që granata stërpiku me gjak.

 

A do përfundoj në fron?

Apo Shën Helenë?

Tani që lundroj mbi të jetës tallaz

u bëra kandidat i denjë

për fronin e universit

dhe prangat

e skllavit plot maraz.

 

N’u bëfsha unë këtu mbret,

një urdhër do lëshoj

që t’bukrën f’tyrë të vërtetë,

e dashur,

në pare t’arit ta shikoj.

por në marrsha fund atje,

ku bjeshk’e ftohtë gëlltit fushat shtrirë, –

ku fryn veriu që lumenjtë rrëmben, –

do shkruaj emrin tënd unë përmbi zinxhirë

e do t’i puth kur errësira flen.

 

Dëgjo ti, që harrove dhe ngjyrën e qiellit

e leshtë

si ca kafshë që kullosin në luadh

në këtë botë kjo ndoshta është

dashuri e fundit

që shfaqet si tuberkulozi, në një jerm të madh

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: