Arber Zaimi

Shënime mbi Kronikën e Zezë

In Artikuj on 22 Gusht, 2012 at 16:56

Einsamer Grosstadler, 1932 – Herbert Bayer

Arbër Zaimi

Një babë vret vajzën. Dikush, diku tjetër vret një fëmijë për gjakmarrje, e për dhjetë ditë gjaku shuan edhe gjashtë jetë të tjera. Dikush hedh foshnjën e sapolindur nga materniteti, dikush vret nënën në sy të fëmijëve për të vjedhur varësen, dikush vret ish-punëtorin e nxehur se ka mbetur pa punë, pastaj vret dhe veten, e pastaj ia copëtojnë kufomën në shenjë shpagimi… Shumëkush rreh, bërtet, vjedh e vidhet, vret e vritet. Kronika e zezë po shndërrohet në një sport ku Shqipëria po shënon rekordet e veta, e ku duket se po garon suksesshëm edhe në nivele ndërkombëtare. Në muajt e fundit kam dëgjuar për më shumë raste krimesh të rënda, vrasjesh, dhunimesh e vetëvrasjesh (s’po i fus në një thes, po meqë janë në të njëjtën faqe gazete), sa kurrë ndonjëherë në jetën time – e unë gazetat i lexoj rregullisht.

S’jam i vetmi që e kam ndjerë duhmën që ka pllakosur, përkundrazi. Reagime ka plot, në media, në rrjete sociale, në tryeza shtëpish e kafenesh. Ato variojnë që prej qëndrimeve religjioze, që thërrasin për një rikthim në zot e në fe, e gjer te qëndrimet konservative borgjeze, që thërrasin për më shumë ndëshkim e për rikthim të dënimit me vdekje. Opozitarët nuk mënojnë t’ia hedhin fajin qeverisë, shkaku i papunësisë e i varërisë, e qeveria ia hedh fajin depresionit global e pjesërisht edhe opozitës, e cila pengon ecurinë e dogmës politike të kohës, integrimit evropian. Psikologët thirren në media e lëshojnë fjali klishe, jo “shthurja e familjes”, jo “lëvizjet demografike”, jo “stresi ekonomik” e të tilla sende. Qëndrime ka aq sa ka edhe njerëz, e ndoshta te të gjitha gjen arsye, diku përzier me mllef, diku me pamundësinë për të hapur syte, diku me cinizmin, diku me melankolinë e diku me mosbesimin…

Mirëpo situata ka dhe një dimension politik që meriton interpretim, ashtu siç duhen zbërthyer edhe botëvështrimet ideologjike që i ushqehen masës prej medias e prej bërësve të opinionit.

Përshembull, është me rëndësi të kuptohet se ky “Rekord Olimpik” në kronikë të zezë, që po kap Shqipëria ditët e fundit, sipas një interpretimi simplist “shkak-pasojë” ka ngjallur dëshirën e zakonshme borgjeze për ndëshkim, për rikthim të dënimit me vdekje etj. Si zakonisht, borgjezi i mesëm përton të shqyrtojë më larg se hunda e vet dhe duke u përqendruar te faktet e veçanta u zhduket sysh peisazhi i përgjithshëm, ai i një shoqërie të zbrazët, së cilës i është vrarë e përbashkëta. Një shoqëri e zhyer, e reduktuar në një turmë individësh që vetëm së fundmi po njohin vetminë e “lirisë” dhe ankthin që rrjedh prej të mospaturit asnjë arsye për të thënë të vërtetën. Një shoqëri që bashkë me të përbashkëtën humbi dhe subjektin, humbi dhe ngjarjen (se metafizikën e vranë, siç më thotë me nerv një mik, pedagog filozofie). Një e tillë shoqëri gjithnjë mban xhelatë në vend të gjyqtarëve, sharlatanë në vend të ekspertëve, mafiozë në vend të pushtetarëve, sadomazohistë në vend të profesorëve, impotentë në vend të artistëve e marrokë deluzivë në vend të popullit.

Pa bërë psikanalistin e shoqërisë, madje pa marrë rolin e studiuesit në një artikull kaq të shkurtër po dua të vë në dukje nevojën për interpretim politik të situatës së krijuar. Është kjo krizë e përkohshme? Mos vallë do të zgjasë e do të normalizohet? Mos do të çojë në një kolaps të përgjithshëm, tip ’97? Apo mos tashmë kemi hyrë në një ’97 tjetërsoj, që s’i dihet sa zgjat e s’i dihet ku shpie. Politikani i zakonshëm do t’ia nisë të flasë për rendin, për rregullin, për ligjin e policinë, për gjykatat e balancat… Mirë, mirë, po a mundet të përmirësohet e gjitha kjo në një popull jo-popull, në një gjendje totale të padrejtësisë, të pafuqisë, të mospjesëmarrjes, të pa-krijimtarisë? Ministri del në tv. duke vjedhur, gjyqtari e merr rryshfetin ashiqare, kërcënimi është gjysmë-publik… Modelet e këqija janë krenare, e modelet e mira janë rrahur e pështyrë. Gjer edhe historinë e përvjetorin e 100 vjetorit po ua kushtojmë figurave më të përlyera, vrasësve e vjedhësve të paskrupullt që jo rrallë e kanë qeverisur këtë vend.

Kriza ka patur edhe më parë, ekonomike e sociale, ama ka patur edhe besim e shpresë në një drejtësi e cila edhe pse nuk ka funksionuar asokohe, do të kish mundësi të vinte në një të ardhme, e të shpagonte padrejtësitë e vuajtjet. Përveç mendimit religjioz, gjithnjë present, po dua të kujtoj edhe mendimin e aktivistëve politikë të së shkuarës, që ka rrjedhur në linjat e Benjaminit: “… imazhi ynë i lumturisë është pazgjidhshmërisht i lidhur me imazhin e shpagimit. Njësoj ngjet edhe me vështrimin tonë ndaj së shkuarës, që është objekt i historisë. E shkuara sjell me vete një tregues të përkohshëm, përmes së cilit thirret në shpagim. Ka një marrëveshje sekrete mes brezave të shkuar dhe këtij të tashmit. Toka e ka pritur ardhjen tonë. Njësoj si secili brez paraardhës edhe ne jemi pajisur me një fuqi e zbehtë mesianike, një fuqi ndaj së cilës e shkuara ka ngritur mëtimet e saj. S’janë çështje pazari ato mëtime”. Të mos kish besuar në një mision, në një fuqi mesianike, Avni Rustemi nuk do e kish vrarë Essad Bej Toptanin për Shqipëri, as Selam Musai s’do ish nisur për në Vlorë, as Çerçiz Topulli për në Shkodër, as Bajram Curri e Hasan Prishtina për Tiranë, e kështu me radhë…

Ndërsa sot besimi shoqëror mungon, mungojnë sytë për të parë potencialin shpagues që e ngërthen secili brez, secila ditë. Kësisoj, me trupa të aftë për mobilizim, po me sytë e verbër që nuk shohin asnjë armik të qartë (sipas formulës të Philip K. Dick), shqiptarët postmodernë helmojnë veten e njëri-tjetrin me cinizëm.

Nuk jam duke thënë se mungojnë shpresëdhënësit, jam duke thënë se mungon vetë shpresa. Sloterdijk shkruan te “Sferologjitë” e tij se: “për të parë në terr, e zeza e syrit zmadhohet. Kur terri thellohet aq shumë sa zemra e natës, do të qe mirë që e zeza e syrit të bëhej sa vetë syri…”. Metafora nënkupton më së paku që asaj që ka vdekur, i duhet thënë kjo gjë. Në një mision katarktik, i duhet thënë shqiptarëve që politika e tyre e gjermëtashme, shoqëria, e përbashkëta, ka vdekur. Nuk ka rilindje e ringjallje. Ka vetëm një mundësi, ajo e krijimit nga e para, mundësi që kërkon sakrificë, forcë për të shkundur nga shpatullat pluhurin e kufomave, ballëlartësi e guxim, pa e humbur asnjëherë brishtësinë e zemrës që karakterizon çdo krijesë të re.

E kjo krijesë e re, që të shpëtojë nga e vjetra, duhet ta denoncojë vazhdimisht atë. Nëse ndonjë palë, për të ndryshuar shoqërinë thotë: “Je i papunë, eja me ne; je milioner, eja me ne; je filozof, eja me ne; je analfabet, eja me ne; je konformist, eja me ne; je rebel, eja me ne; je punëtor, eja me ne; je radikal, eja me ne; je centrist, eja me ne; je liberal, eja me ne; je i pabythë, eja me ne; je patriot, eja me ne; je trim, eja me ne; je i shkathët, eja me ne; je ksenofil, eja me ne; je naiv, eja me ne; je mizogjin, eja me ne; je kanibal, eja me ne; je besimtar, eja me ne; je dhelparak, eja me ne; je bujk, eja me ne; je artist, eja me ne; je kritik, eja me ne; je bosh, eja me ne; je i hutuar, eja me ne; po fle, eja me ne; je dekonstruktivist, eja me ne; je cinik, eja me ne; je fshatar, eja me ne; je revolucionar, eja me ne; je hajdut, eja me ne; je i droguar, eja me ne; je i ditur, eja me ne; je mashtrues, eja me ne; je bixhozxhi, eja me ne; je frymëzues, eja me ne; je orator, eja me ne; je i lexuar, eja me ne; je profesionist, eja me ne; je biznesmen, eja me ne; je i ri, eja me ne; je i papjekur, eja me ne; je grua, eja me ne; je i djathtë, eja me ne; je mistrec, eja me ne; je idiot, eja me ne; je ksenofob, eja me ne…” – praktikisht po gënjejnë (ose po gënjehen, ama rrallëkush). Sepse nëse me pretekstin që për të ndryshuar shoqërinë përpiqen ta gelltisin aktualen, përfundojnë që aktualja i gëlltit ata. E vërteta nis nga pjesa, dhe pjesa është sita, është kriteri eleminues e përzgjedhës, është pengesë për reaksionin që rreket të tredhë qysh në djep të vërtetën e cila synon ta ndryshojë të tërën.

Nuk lind e reja pa u distancuar përfundimisht nga e vjetra, nuk ndalet dekadenca pa drejtësi shoqërore, nuk vendoset shteti mbi turma individësh, se shteti është krijim, shënjues e përfaqësues i kolektivitetit e jo i individuales.

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: