Arber Zaimi

Çështja e grave, kompromis apo konflikt

In Artikuj on 10 Shtator, 2012 at 17:49

Three Women, 1930 – David Burliuk

Çështja e grave, bashkë me një sërë çështjesh të tjera, ngrihen në përgjithësi sa herë që ka ndonjë qokë. Edhe kësaj radhe, për tetë marsin, nuk munguan debate e diskutime si garniturë e festive grarishte, nuk munguan fushatat ndërgjegjësuese, apo frazat e politikanëve që u përpoqën të kapitalizonin “kredite publike”, pra të fitonin pikë duke u marrë me çështjen e momentit, pra me problemet e grave.

Po cili është problemi i grave? Ca thonë që gratë kanë problemin e prezencës në sferat e larta të vendimmarrjes, e duhen ndihmuar me kuota. Ca thonë që gratë kanë nevojë për më shumë liri, që të bëjnë çkado që duan pa u ndjerë të detyruara. Ca thonë që gratë kanë nevojë për më shumë pushtet, pavarësi, vlerësim etj. Por këto përgjigje duken të pjesshme, e në një analizë të thellë, duken të bazuara mbi bindje jo tepër koherente në logjikën e atyre që i mbajnë. Pra cila është pyetja që duhet të shtrojmë, kujt duhet t’ia drejtojmë, e ç’përgjigje duhet  të presim, sa i përket problemit të grave?

Mendimi im është se problemi i grave (e jo vetëm) është një problem dominimi. Strukturat kulturore, tradicionale e moderne qofshin, marrëdhëniet sociale etj. reflektojnë një mentalitet dominues, marrëdhënie në të cilën roli pësor i mbetet gruas. Ky dominim mbërrin deri tek gjuha, shpeshherë termat që përdorim në përditshmëri, po edhe teksa kultivojmë mendim apo shprehi të disiplinuara, mbajnë të fshehur patriarkalizmin, apo qëndrime paternalizuese e patronizuese. Në mënyrë implicite, edhe kur nuk duam, ia tregojmë vendin gruas.

Atëherë ç’duhet bërë për ta tejkaluar këtë problem? Natyrisht që nuk mjaftojnë festat ku meshkujt bëjnë striptease për gratë, si para dy javësh në një klub në Tiranë, nuk mjaftojnë as protestat e grave të partisë së Edit, as përshëndetjet e kryeparlamentares, që edhe pse femër, e trajton parlamentin si me e pas “pronë t’babës”. Në fakt këto janë veç simptoma të problemit të gruas, raste kur i dominuari e sheh daljen prej situatës pasive veç nëpërmjet dominimit të tjetrit.

Së pari duhet kuptuar që çështja e gruas nuk është çështje “konkurrence”, apo pushteti, por çështje barazie. Nuk është ideja e këmbimit të roleve në lojën e mbizotërimit, është ideja e harrimit të këtyre roleve. Së dyti, është çështje emancipimi. Nuk bëhet fjalë që ta shtrojmë “demokratikisht” diskutimin se “a duhet të jenë gratë të barabarta me burrat?”, e më pas të presim përgjigje. Demokracia elektorale, e në përgjithësi votimet i riprodhojnë mentalitetet ekzistuese, për këtë arsye disa çështje principiale emancipuese, nuk kanë pse të testohen aty. Në fund fare, edhe nëse pjesa më e madhe e shoqërisë nuk dëshiron që gruaja të jetë e barabartë me burrin, kjo nuk ka rëndësi. Emancipimi, në këtë sens, bëhet imponues – e i panegociueshëm.

Duke e shtruar çështjen e gruas në terma të barazisë (anti-dominimit) dhe të emancipimit (shtyrjes përpara të shoqërisë), kuptojmë që zgjidhja e problemit nuk mund të jetë parciale. Pra nuk mund të ketë përmirësim vetëm të situatës së gruas, pa u përmirësuar shoqëria si e tërë. Nënkuptoj, është e vërtetë që gratë (e varfra, të dhunuara apo të diskriminuara) problemet i përjetojnë si të tilla, ama që t’ia dalin mbanë luftës së tyre do të duhet të qëndrojnë e të organizohen së bashku me burrat. Kjo nënkupton politizimin e çështjes, barazia do të mund të arrihet vetëm nëse për të luftojnë persona që e konsiderojnë pabarazinë si inekzistente në grupet ku organizohen.

Nga ana tjetër, çështja e gruas (pra e barazisë) nënkupton konfliktin me një shoqëri që mbizotërohet nga vlera patriarkale, moderne apo tradicionale. Edhe pse ideologjia e momentit sugjeron kompromisin si zgjidhje për gjithçka, duhet kuptuar që nuk mund të ketë negociata mes “torturuesit” dhe “viktimës”. Çdo “mbytje” e konfliktit, apo përpjekje për të vendosur kompromis midis atyre që mbështesin ruajtjen e një konteksti ekonomik-social që shtyp gratë dhe atyre që besojnë tek barazia nënkupton që të dytët dalin të humbur (sepse nuk e gjejnë barazinë). Konflikti në këtë rast e ndan shoqërinë në pjesë, por të mos harrojmë që shoqëria dhe më parë ishte e ndarë në pjesë, në dominues e në të dominuar. Ndarja e re synon sjelljen e një të vërtete shkundëse përballë teknikës e institucioneve të kalcifikuara, një e vërtetë që mund ta çojë shoqërinë në një stad të ri. Pikërisht në mbështetje të këtij ideali ia vlen që çështja e gruas, pra e barazisë, të politizohet, ia vlen që të luftohet për të. E kjo nuk nënkupton festime një herë në vit, po organizim e përpjekje të përditshme, në të gjitha dimensionet shoqërore. Nënkupton aktivizim, nënkupton ballafaqim me palën tjetër, pra nënkupton pozicionim të fortë, e luftë për të vërtetën politike. Nënkupton që mbështetësit e çështjes, burra e gra bashkë, të besojnë tek një realitet i ri. Për t’u kthyer në fjalët e Heideggerit ata duhet të shprehin gjëra të pathëna më parë, e vërteta është gjithnjë diçka e re.

Botuar në 20 prill 2011 në “Shqip” etj.

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: