Arber Zaimi

“Letra” e amerikanit

In Artikuj on 12 Shtator, 2012 at 18:05

Coca-Cola Santa, 1944 – Haddon Sundblom

Letra e ambasadorit amerikan për “Shekullin”, ku me demek ndërprikësh marrëdhëniet deri në një vendim tjetër, i shtohet groteskut elektoral të ditëve të fundit. Por nuk i shtohet si diçka thelbësisht e re, përkundrazi, ky eveniment është thjesht budallallëku i radhës në këtë estradë të stërzgjatur e të pakuptimtë që me dashamirësi po e quajmë “skenë politike shqiptare”.

Të të njëjtit nivel kanë qenë dhe reagimet ndaj “Letrës”, por sidomos mosreagimet. Ç’ka ndodhur? Edhe pse, si shqiptar i mirë që jam e di që duhet të tregohem i matur e i pjekur kah shkruaj, si shqiptar i mirë duhet të bëj çmos që të shmang përmendjen e të qenit shqiptar, e të flas sa më shumë për sende pa lidhje, të tërholl bisedën, të hyj në sofistikimet më të kota e të mos dal kurrë në thelb (se ashtu e do puna, se bota është e padrejtë, se s’ka gjësend tjetër veç realpolitikës, se mirë e kam po kështu s’bëhet, se nuk do gjej dot punë, se ne jetojmë prej Amerikës, se ata na çliruan Kosovën) – unë kam vendosur që në këtë shkrim të veproj ndryshe.

Meqenëse “Shkenca e komunikimit” na mëson se nuk qenkërkemi, por thjesht u dukërkemi, nuk e paskërkemi seriozisht, po thjesht lodrokërkemi, unë në rolin e parë të student kurajoz po marr përsipër që në këtë shkrim të luaj rolin e dytë e të padëshiruar të shqiptarit të keq. Domethënë, të shqiptarit që nuk e vret mendjen hiç për “shkencën e komunikimit”, të shqiptarit që përbuz lajle-lulet dhe lajkat ndaj “më të fortit”, të shqiptarit që beson se ndryshimi është i mundshëm, që angazhohet tek ky ndryshim, tek dashuria për të vërtetën, tek fjala, dhe tek qenia që del përsipër saj. Për arsye aspak “deontologjike” marr përsipër të them të vërtetën, ashtu siç, moti e kemi parë të gjithë tek ndodh.

Pra, ç’ka ndodhur? Ambasadori Arvizu është duke luajtur kartën e imperializmit kulturor, një kartë të cilën ia kemi dhënë vetë, duke hequr dorë vazhdimisht prej dinjitetit në fjalë e në vepra. Ashtu si të gjithë paraardhësit e tij amerikanë, kinezë, sovjetikë, gjermanë, italianë, turq e turlisoj, Arvizu e vendos individin e tij në një piedestal, prej nga nuk përton të na trajtojë si bij të gjetur, të paqartë, të pazhvilluar, si thuajse-njerëz që bash për këtë arsye duhen trajtuar si të tillë. Në deklaratat e tij ai mëton t’i mësojë popullit se politika na qenka si një lojë futbolli, e megjithatë Amerika nuk paskërka asnjë karton të kuq për palët që luajnë. S’e ka keq, në konceptin e tij shqiptarët duhet të rrinë ulur në shkallë të një stadiumi, ndërsa politika (siç thotë dhe shkenca e komunikimit), duhet të ndjekë topin (jo vetëm Bamirin), nën vërshëllimën e pakontestueshme të referit Arvizu që ndihmohet nga gardalinat e tij. Mirëpo ne e dimë që e vërtetë është e kundërta, që politika i përket qytetarëve, që politika nuk e pranon konceptin e spektatorit dhe ky koncept i leverdis vetëm atyre pak sharlatanëve që me spektaklin bajat që ndërtojnë, dominojnë në mënyrë të padrejtë.

Në të tjera deklarata, Arvizu përkujton shqiptarët se “të gjithë e kanë nga një votë”: Berisha një, Edvini një, Ina një, Luanët – dy, sepse na qenkërkëshin dy Luanë. Madje, Arvizu nisi dhe një fushatë në facebook, e titulloi “Bëje zërin tënd të dëgjohet”, dhe ftoi njerëzit të zgjedhin. I thirri konceptit të barazisë, në fund fare të gjithë ne kemi të njëjtën mundësi për të zgjedhur se kush do të na qeverisë. Askush s’mori mundimin t’i tregojë zotit Arvizu se dhe në e paçin të gjithë një votë, jo të gjithë kanë kontrollin mbi liçensat e privatizimeve, jo të gjithë kanë kontrollin mbi komandën e gardës, jo të gjithë mund të shesin e të blejnë territor, jo të gjithë mund të blejnë vota, jo të gjithë mund të vrasin protestues… Sikur t’i bënim një pyetje të vogël zotërisë ambasador amerikan “Çka sikur populli të votojë një vrasës?”. A shlyhet krimi me votë? A ka të drejtë viktima të falë?

Po bëj shqiptarin e keq, siç thashë, shqiptarin e dobët, atë që ndodh edhe zhduket, ashtu siç ndodh përgjithësisht me të vërtetën, atë që do të pajtohej me idenë e hedhur nga amerikani (dhe antiamerikani) Malcolm X, që thosh se vota duhet përdorur si plumb (në sensin jo figurativ, pra duhet të lërë viktima).

A mundet, për hir të arsyes, të ndjekim fjalën e pështymëlëpirësve të përjetshëm, që edhe kur e kanë gati pozicionin politik, të ofruar nga rrethanat, e refuzojnë atë? Jo dhe aq çuditërisht, shumë prej reagimeve ndaj “Letrës”, janë shkruar prej atyre që “luajnë rolin” e amerikanofilit. Edhe vetë i pandehuri për antiamerikanizëm, Yzeiri, në përgjigjen e vet bënte të qartë që kishte besim të patundur te Amerika, te fakti që ky vend na qenkërkësh me të vërtetë i madh (si staturë, jo si shtat), po ambasadorin e paskërkeshin të vogël (si staturë, jo si shtat). Amerikanofilia ndër shqiptarë, ta themi troç, është ideologjike. Nuk ka lidhje me dashurinë për kulturën amerikane, apo me shpirtin e kufirit, apo me etikën protestanto tregtare, apo me romancierët e mëdhenj të shekujve XIX-XX, apo me dashurinë për dekadencën artistike, apo zhvillimin e shkencës e teknikës, apo me parimet demokratike ku thërritet morali amerikan, apo me luftërat e revolucionet çlirimtare të antikolonialistëve, të skllevërve etj. – dimensione që do të përbënin staturën e madhe të Amerikës. Përkundrazi, amerikanofilia ndër ne thirret në injorancën e plotë të kësaj stature dhe në konfirmimin e vazhdueshëm të shtatit të superfuqisë së vetme. Shqiptarët e mirë (pra jo ata si unë), e duan Amerikën se kjo është e fortë, e madhe dhe e padrejtë. Jo për të bërë analogjira, po e duan Amerikën siç duan PD-në apo PS-në, siç kanë dashur PPSH-në, siç kanë dashur Bashkimin Sovjetik e Kinën, siç do të duan gjithnjë çdo vëlla të madh (në shtat, jo në staturë) që është më i madh se gjithë vëllezërit e tjerë, e të cilit është më mirë t’i lajkatohesh. Shqiptarët e mirë e duan Amerikën sepse pa Amerikë nuk na paskërka Shqipëri, sepse na qenkërka më mirë të jetosh si këpushë pas një elefanti, se sa si qenie me ndërgjegjen e me subjektivitetin e vet. Shqiptari i mirë as që e kupton se nuk ka një Amerikë, por shumë të tilla, e prej tyre ai ka zgjedhur të dojë atë që e pengon më së shumti që të jetë shqiptar.

E vërteta është që Arvizuja (i vogël në staturë e në shtat) ka zgjedhur të mbajë anën e Berishës, për arsye që nuk na i thotë, se s’ka nevojë të na i thotë. Asnjë detyrim për transparencë nuk ka ai ndaj nesh, se ne nuk e kemi zgjedhur. Po kjo s’është hiç për t’u habitur. A s’ka mbështetur më parë Withersi Ramën gjer në pështirosje, pa na shpjeguar pse? Mekanizmi është i njëjti, ambasadorët zgjedhin klientelën me të cilën operojnë, e meqenëse as klientela nuk ka ndonjë lidhje transparente me publikun, s’na mbetet veçse të thashethemojmë mbi të, me shpresë që të mos na çojë kush “Letër” për ndërprerje marrëdhëniesh, të mos na ftojë kush për kafe sqaruese tek “Chocolat” e të mos na shoqërojë kush për ekspedita gjuetish voskopojare. Puna është a do nisim ndonjëherë t’i japim fund këtij zanati lapërdhar të ambasadorëve të vendeve të mëdha e të vogla? A do nisim të jemi, jo të izoluar, as armiq me të tërë, po thjesht të jemi. As më pak e as më shumë, po të jemi, siç dinë të jenë serbët, siç dinë të jenë grekët (popuj që u njohim shtatin, por jo staturën)…

Nga ana tjetër, “Letra” ka provokuar dhe reaksionin e zakonshëm “antikomunist”. “Shekulli”, për arsye të zgjedhjes së pronarit të vet, kapitalistit Koço Kokëdhima, ka zgjedhur të mbajë anën e Ramës. Për arsye që s’i dimë, po që me intuitë mund të kuptojmë që në mos janë të njëjtat, ka mundësi të jenë të përafërta me ato të kujtdo që zgjedh të mbajë anën e Berishës, pra konkordim në idetë e zhvillimit të biznesit. Pse? Sepse Rama e Berisha operojnë në të njëjtën mënyrë dhe udhëhiqen nga të njëjtat parime e paradigma politike. Mirëpo Arvizuja e ekskomunikoi Kokëdhimën dhe “Shekullin”, dhe me vrap amerikanofilët u shqetësuan e duke ndezur ndjenjën latente të McCarthyismit filluan të qortonin “Shekullin” e pronarin e saj antiamerikan e komunist (sic). Koço Kokëdhima antiamerikan dhe antikapitalist? Cila do të jetë lëvizja tjetër, shpallja e Fidel Yllit insurgjent? Nëse për këtë ambasador borgjezia e madhe dhe e vogël paraqet problem, atëherë punët po shkojnë kah e mira… Po natyrisht që nuk është kështu. “Shekullin” dhe Koço Kokëdhimën mund t’i kritikojë dikush që beson se kapitali duhet rishpërndarë në mënyrë më përfshirëse, mund t’i kritikojë dikush që beson se media duhet të jetë publike e jo private, mund t’i kritikojë pra dikush që është kundër mënyrës se si janë gjërat, e që kërkon të renë. Ama nuk ka gojë t’i kritikojë dikush që, fjala vjen, bie dakord me të drejtën e Sandër Frangajt për të ekzistuar.

Së fundmi, më amerikanofili qe mosreagimi ndaj “Letrës”. Ky aksion mosreagues u ndërmor nga opinioni i pavarur publik, nga palët proqeveritare, nga PS-ja e nga opozita zyrtare, që s’mundën as kësaj radhe të jenë racionale as objektive. Berishianët kuptohet lehtë pse s’reagojnë, se ua kënda “Letrën”, po opozita pse? Ashtu siç u distancua prej të vrarëve të 21 janarit, meqenëse e dënoi bota dhe Arvizuja, po ashtu u distancua dhe prej “Letrës”, edhe pse kjo letër qe një thirrje për censurë ndaj një gazete që për arsye të njohura, gjendet në të njëjtën llogore me PS-në. Po as ky veprim s’qe i habitshëm. Në fund fare, ajo llogore nuk formëzohet rreth ndonjë ideali, por vetëm rreth aspiratës për pushtet. Pushteti për këto palë nuk është mjet për të shkuar diku, por qëllim. Arvizuja është mes tyre, e është ndër ta, në këtë estradë që ne vazhdojmë ta quajmë me mirëdashje politikë, të cilës i ulemi rrotull dhe e komentojmë si spektatorë, shqiptarë të mirë e amerikanofilë që zhgënjehemi thellë prej kësaj marrëdhënie të ndërprerë të cilën ndonjë mjek me humor mund ta quante edhe coitus interruptus – po jo krejtësisht.

Botuar më 17 prill 2011

Lini një koment