Arber Zaimi

Fyell me ashtin e shpinës – 3

In Përkthime, Vjersha on 22 Shtator, 2012 at 12:51

V. Majakovski

 

Black Square, 1915 – Kasimir Malevich

Do fshij nga mendja vitin, datën edhe ditën

Me një copë letër do mbyll veten n’izolim

Magji çnjerëzore falma mua dritën

mes fjalësh trishtimi ngjize një krijim!

 

Sot, tek po hyja në shtëpi

diçka nuk ish si duhet,

një aromë

Nën fustan të mëndafshtë ti diçka mbaje fshehur

një kundërmim temjani vërtitej nëpër dhomë.

E lumtur që më takon?

Ftohtësisht

“shumë”.

Hutia nis të më mbushë, arsyen ma pushton.

I prushtë dhe në ethe seç më merr një dëshpërim.

Dëgjomë,

sidoqoftë

s’mbulohet dot kufoma.

Një rrenë e madhe kryet ta djeg si llavë.

Sidoqoftë,

çdo pejzë e jotja

në megafon

thërret:

vdiqa! vdiqa! vdiqa!

 

Jo,

përgjigjmu.

Boll me rrena!

(E ku të futem tash, unë i çnderuar?)

 

Si dy varre të zbrazëta sytë e tu

gërmojnë dy zgavra në mes të fytyrës.

 

Varre – humnerë.

Fund nuk kanë.

Më thotë mendja e mjerë

Me kokë të kridhem që nga zgripi e pastaj

Përmbi greminë tendosur si litar

të dëgjoj lojrat e fjalëve të asaj.

 

E di

se dashuri e tij të është e lodhshme në mërzi.

E di se kjo rutinë monotone të pengon.

Brenda në shpirtin tim ec gjej një shpirt të ri

e ftoje zemrën në festë të trupit që gëzon.

 

E di

secili burrë do paguajë çmim

për një grua.

Në vend të modës

pariziene do të të mbështjell me tymin tim

në një fustan duhani.

Dashnorja ime,

si një apostull shekujsh që kanë kaluar

Do mbaj mbi shpinë shtigje e udhë me mijëra.

Prej kohësh një kurorë të është shkruar

e në atë kurorë

n’ylber rrëqethës shkëlqejnë fjalët e mia.

 

Si elefanti peshërëndë e kokëfortë

që Pirros ia mundësoi fitoren që u gjend

mbështolla trupin tënd me një pëlhurë të fortë

Më kot.

S’na lidh më asnjë send.

 

Gëzohu,

gëzohu,

se angushtia

tash shumë e madhe!

Më shkatërrove

s’më mbetet veç të rend drejt e në ndonjë urë

të kridhem kokëngulthi në bark të ujit.

 

Më dhe buzët.

Ishin aq të pajeta sa pasioni shpejt u shua

U tërhoqa, bëra pas.

U ndjeva pelegrin që po puthte i penduar

mure manastiri, në shkëmb, gur, akull, rrasë.

 

Dyert

kërcitën.

Ai hyri,

mbështjellë me të rrugës lumturi

Unë

thyer më dysh, tek më mbulon një vaj,

I klitha:

“Mirë,

po shkoj,

mirë!

Le të rrijë ajo.

Vishe me rrecka të bukura, –

në mëndafsh ca flatra do të rriten sigurisht.

Kujdes, se ajo dikur do t’ikë, do flatrojë.

Pra lidhi në qafë me peshën e një shkëmbi,

një gjerdan perlash, sa më të shtrenjtë natyrisht!”.

 

Oh kjo

natë!

Unë vetë dëshpërimit litarin ia palos.

Teksa më sheh që ndërroj prej vajit në humor

zbehet surrati i dhomës, bëhet i bardhë si kos.

 

Një fantazëm që të ngjante u faneps

me sy i dhe dritë qilimit ku fantazma po qëndron

a thua një Bialik i ri kish vargëzuar

një mbretëreshë verbuese për malin Zion.

 

Në angushti,

para asaj nga e cila hoqa dorë,

rashë në gjunjë me sytë e rrëmbushur.

Kapitullova,

Mbreti Albert,

që gjithë qytetet humbi në betejë

ngjante fëmijë që lazdrohet për ditëlindje

para meje.

 

O univers, ngjallu e pranvero!

Lule, barishte, zverdhuni nën diell!

Se unë veç njërin helm tash dëshiroj

Të pi nga ky lloj vargu, e kurrë mos të vjell.

 

Ti hajn i zemrës sime,

që e bastise me gjithçka

në delir shpirtin po ma torturon.

E dashur mos përçmo ç’po të dhuroj,

ndoshta asgjë tjetër prej meje më nuk lexon.

 

Le të pushojnë njerëzit në këtë datë të shënuar

O magji që më ngjan me kryqëzimin

Ngjizu, ngjizu tani

Siç po e shihni

me gozhda fjalësh sot

jam mbërthyer në letër.

 

Përktheu A. Zaimi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: