Të shkojnë dëm sytë e tu të mprehtë
dhe punët e shndritshme që di t’i nxjerrë dora
dhe ulesh e zë brumë për dhjetëra bukë
të cilave s’do hash asnjë thërrime
je i lirë që dikujt t’i shërbesh
të pasurosh pasanikët je i lirë.
Në çastin që lind
vendosin rreth teje
mullinj që bluajnë gënjeshtra
gënjeshtra që t’i kesh për gjithë jetën.
Ti vazhdon të mendosh në lirinë tënde madhështore
me gishtin në tëmth
i lirë që të kesh një ndërgjegje të lirë.
Me kokën përkulur si gjysmë e prerë prej zverkut,
me krahët e gjatë që të varen,
vërdallosesh në lirinë tënde madhështore
je i lirë
me lirinë e kujt është i papunë.
E do atdheun tënd
si gjënë më të afërt, që ke më të shtrenjtë.
Po një ditë, për shembull
ata mund t’ia japin Amerikës
dhe ti, prapë me lirinë tënde madhështore –
do të kesh lirinë të bëhesh një bazë aviacioni.
Provoje të shpallësh se askush nuk duhet
të jetojë si mjet, si një numër a si një hallkë
po si një qenie njerëzore –
dhe atëherë t’i vënë byzylykët.
Je i lirë të arrestohesh, të burgosesh
e pse jo dhe të varesh.
S’ka perde të çeliktë,
as të drunjtë as prej tyli
në jetën tënde;
s’ka nevojë të zgjedhësh lirinë
se je i lirë.
Po kjo lloj lirie
është një gjë kaq e trishtë nën yje.
Nazim Hikmet