Arber Zaimi

Kalorësit e zinj e vargje të tjera – Pjesa I

In Përkthime, Vjersha on 4 Korrik, 2014 at 22:51

crane ridersStephen Crane

I

Kalorësit e zinj erdhën që prej detit

Pati vringëllima e tringëllima ushtash e mburojash

Krokama e trokëllima thundrash e patkojsh

Britma të egra dhe flokë që valëviten

Tek nxitojnë bashkë me erën

Kështu pra kalëron mëkati.

II

Tre zogj të vegjël rrinin tok

Të heshtur të menduar.

Një burrë kaloi atypari

Atëherë zogjtë e vegjël i folën njëri-tjetrit.

Dhe thanë, “kujton se mundet të këndojë”.

I ulën kokat poshtë për të qeshur

Me mirësjellje të zgjuar

Ata po e shihnin.

Ishin shumë kureshtarë,

Ata tre zogj të vegjël që rrinin tok.

III

Në shkretëtirë

Pashë një krijesë, të zhveshur, si bishë,

Që rrinte ulur përdhe,

Mbante zemrën e vet në dorë

Dhe e hante.

I thashë, “Mik, është e mirë?”

“Është e hidhur – e hidhur,” m’u gjegj;

“Por më pëlqen

Se është e hidhur

Dhe se është zemra ime”.

IV

Po, unë kam njëmijë gjuhë

Dhe nëntë, dhe nëntëdhjetenëntë syresh rrejnë.

Megjithëse rrekem të përdor të vetmen

Ajo s’nxjerr melodi kur dua unë,

Por ka vdekur në gojën time.

V

Një herë na erdhi një njeri

Që tha,

“Renditmini gjithë njerëzit e kësaj bote nëpër rreshta.”

Dhe menjëherë

Nisi një rrëmujë e tmerrshme nëpër njerëz

Kundër renditjes në rreshta.

Pati sherre zhurmëmëdha tejendanë botës.

Vazhduan vite e vite;

Dhe gjaku u derdh

Prej atyre që s’donin të viheshin në rresht,

Dhe prej atyre që mezi ç’prisnin rreshtin.

Me ç’thonë, njeriu shkoi e vdiq me lot në sy

E ata që mbetën në trazirat gjakatare

S’ia morën vesh të madhen thjeshtësi.

VI

Zoti e ngriti anijen e kësaj bote me kujdes.

Me mjeshtërinë e pafundme të një Gjithë-Mjeshtri

I bëri Ai direkun edhe velat,

E mbajti timonin

Gati për ta ndrequr drejtimin.

Ndenji Ai në këmbë, duke e këqyrur veprën e vet me krenari.

Atëherë, një çast pafat, një gjëmë thirri,

Dhe Zoti u kthye edhe shkoi kah ajo.

Medet anija me të ardhur rasa

Rrëshqiti butësisht,

Lundroi dinakërisht dhe heshturazi tej në udhë të detit.

Kështu, përherë pa timonier, voziti nëpër dete

Nëpër udhëtime qesharake,

Duke përparuar hera-herës papritur

E duke marrë kthesë a thua se i ka synimet serioze

Para stuhive idiote.

Dhe pati shumë atje në qiell

Që qeshën me këtë gjë.

VII

O hije mistike që përkulesh mbi mua, Kush je ti?

Prej nga erdhe?

Dhe – tregomë – a është e çelët

Apo mos është e hidhur e vërteta si të përpish flakë?

Tregomë!

Dhe mos ki frikë se unë nuk dridhem.

Se unë guxoj – guxoj.

Pra më trego!

VIII

Pashë këndej;

Pashë andej;

Askund s’munda ta shoh dashurinë time.

Dhe – kësaj radhe –

Ajo gjendej në zemrën time.

Vërtet, pra, s’kam pse të ankohem,

Sado e dlirë e më e dlirë që të jetë ajo

Kurrë s’do të jetë e dlirë aq sa është në zemrën time.

IX

Ndenja mbi një vend të lartë

Dhe pashë poshtë shumë dreqër

Që endeshin, ndërzeheshin

Dhe deheshin në mëkat.

Njëri syresh pa lart duke buzëqeshur,

Dhe thirri, “O shok! O vëlla!”

X

Po të rrokullisej tej gjithë bota e gjerë

E pas të mbetej tmerr i zi

Natë paskaj

As për Zot, as njeri, as vend për të qëndruar

Nuk do kisha nevojë

Po të ishe aty ti dhe krahët e tu të bardhë,

Dhe rruga për mbarim do ish e gjatë.

XI

Në një vend të vetmuar

Takova një të urtë

Që ish ulur, i palëvizshëm

Dhe shihte një gazetë.

M’u qas dhe më tha:

“Zotni, çka është kjo?”

Aty e pashë se isha më i madh

Po, më i madh se ky urtak.

Menjëherë iu përgjigja,

“Plak mor plak, kjo është dituria e kohës”.

I urti më vështroi me admirim.

XII

“Dhe mëkatet e etërve do të numërohen mbi krerët

E fëmijëve

Madje dhe te brezi i tretë i katërt i atyre që më urrejnë”

Epo mirë, atëherë dhe unë të urrej, o imazh i padrejtë;

Imazh i lig, unë të urrej;

Pra mëshomë me hakmarrjen tënde

Me kokat e atyre njerëzve të vegjël

Që vijnë si të verbër.

Do jetë trimëri.

XIII

Në pastë dëshmitar për jetëzën time,

Në përpëlitjet e betejëzat e mia

Ai sheh një marrok;

Dhe s’është me vend për perënditë që t’i kanosen një të marri.

XIV

Na ishte zhurma e purpurt e luftës

Tokat u bënë të zeza e u zhveshën;

Gratë qanë;

Foshnjat vraponin, endeshin vërdallë.

Pastaj erdh njëri që nuk e kuptoi ç’po ndodhte.

Dhe tha “Pse kështu?”

Një milion vetë deshën t’i jepnin një përgjigje.

Po aq e ngatërruar qe kërcitja e gjuhëve

Sa ende s’u bë dot arsye.

 

vijon

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: