Arber Zaimi

Kalorësit e zinj dhe vargje të tjera – Pjesa II

In Përkthime, Vjersha on 18 Korrik, 2014 at 00:00

crane riders

XV

“Rrëfe trimëritë e luftërave”.

Kështu filluan të tregojnë rrëfenja. –

“Pati qëndresa të rrepta

Dhe sulme të ashpra për të marrë lavdinë”.

Eh, unë mendoj se ka më t’mira trimëri.

XVI

Mëshirë ti je një rrenë

Një lodër grash

Kënaqësi e ca burrave.

Në praninë e drejtësisë,

Shiko, muret e tempullit

Bëhen të dukshme

Mes formave të tua prej hijesh të papritura.

XVII

Pat shumë që shkuan para togje-togje

Ata s’e dinin këtë punë por;

Sido që të shkonte suksesi apo gjëma

Do të shpërndahej mbi të gjithë njësoj.

Na ishte një prej tyre që kërkoi një rrugë të re

Dhe lypi shteg në bjeshkë të vështira

Si përfundim ai vdiq i vetmuar

Por ata e lëvduan, dhe thanë se ishte trim.

XVIII

Në qiell

Ca fije të mjera bari

Rrinin përballë Zotit.

“Çka bëtë ju?”

Atëbotë të gjitha përveç njërës prej fijeve

Ia nisën me padurim të numëronin

Meritat e jetës së tyre

Kjo e vetmja ndenji paksa pas,

E ndrojtur.

E tash Perëndia tha,

“Po ti, çke bërë ti?”

Fija e vocërr e barit iu përgjigj “O Zot

Kujtesa më qëlloi e hidhur

E në paça bërë të mira

Nuk i mbaj mend ato”

E Zoti në gjithë hirin e Tij

U ngrit prej fronit të vet

E i tha “Oj fije, oj më e mira prej gjithë fijeve të barit!”

XIX

Një perëndi i zemëruar

Po rrihte një njeri

E i mëshonte fort

Goditje vetëtimash

Që bubullinin tek e rroknin tokën.

Dhe njerëzit rendën që të shihnin

Njeriun që ulërinte e përleshej

Dhe në marrëzi kafshoi këmbën hyjnore.

Njerëzit thirrën,

“Ah ç’njeri i lig!”

Dhe “Ah, ç’i frikshëm perëndi!”

XX

Një burrë i ditur një herë erdhi te unë.

Më tha “E di unë rrugën, ndiqmë.”

E mua shpirtin ma kaploi një gëzim.

Bashkë nxituam.

Po shpejt, shumë shpejt u ndodhëm

Në një vend ku sytë e mi më s’mund të shihnin,

Dhe nuk e dija më kah po më shkonin këmbët.

Mbërtheva fort krahun e shokut tim;

Po më në fund dhe ai këlthiti edhe tha “E humba rrugën.”

XXI

Përpara meje kishte

Me mijëra milje

Dëbore, akulli e rëre përvëluese

E prapëseprapë isha në gjendje të shihja përtej

Një vend me bukuri të pambarimtë;

Dhe mund të shihja gjithë dashurinë e saj

Që ecte nën hijet e pemëve.

Kur shikoja

Gjithçka më bëhej e padukshme

Përveç këtij vendi të bukur edhe asaj.

Por kur shikoja

Dhe në shikimin tim dëshiroja

Ktheheshin prapë

Me mijëra milje

Dëborë, akull dhe rërë përvëluese.

XXII

Një herë i kam parë malet të zemëruara

Rreshtuar në një front beteje.

Përballë u rrinte një njeri i vocërr;

Po, ai ish i vogël aq sa gishti im.

Qesha, dhe i fola dikujt që kisha pranë,

“A do t’ia dalë mbanë?”

“Sigurisht”, m’u përgjegj tjetri;

“Gjyshërit e tij i mposhtën malet kaq shumë herë.”

Aty për herë të parë ia njoha vlerën edhe gjyshërve

Të paktën për njerinë e vocërr

Q’u rrinte maleve përballë.

XXIII

Vende midis yjësive

Kopshtije të buta pranë diellit,

Mbajeni për vete bukurinë tuaj të largët;

Mos më lëshoni rreze drite mbi të dobëtën zemër.

Ç’prej se ajo është këtu

Në një vend të terrtë

As me ditët tuaja t’arta

As me netët tuaja t’argjendta

S’më joshni dot që të vij.

Ç’prej se ajo është këtu

Në një vend të terrtë

Unë rri këtu, dhe pres

XXIV

Pashë një burrë që ngante pas horizontit;

Rreth e përreth fugonte me shpejtësi.

Kjo më shqetësoi;

Iu afrova atij burri.

“Është e kotë” i thashë,

“Kurrë s’do të mundesh-”

“Ti rren” këlthiti

Dhe vazhdoi të vrapojë.

XXV

Kujdes, aty është varri i një njeriu të mallkuar,

Pranë tij një hije e zemëruar.

Erdhi dikur një vashë e trishtuar që i sillte vjollca,

Por hija e kapi për llëre.

“S’ka lule për të” tha hija.

Vasha vajtoi:

“Ah, unë e desha.”

Por hija e zymtë dhe e rreptë tha:

“S’ka lule për të.”

Tash çështja është-

Në pastë qenë e drejtë hija

Pse qau pra vajza?

XXVI

Ma vunë përballë një mal të madh sa s’ka

Me ditë të tëra u ngjita

Në kurrize me borë.

Kur pata para vetes pamjen prej majës,

M’u duk se mundimi im

Kish qenë veç që të mund t’i shihja ato kopshtijet

Që ndodheshin në largësi të pambërritshme.

XXVII

Nj’i ri veshur e ngjeshur mirë me ar e xixa

U nis e shkoi të ecte në një pyll të zymtë.

Aty ndeshi një vrasës

Mbështjellë me rrecka kushedi se sa të vjetra;

Ai, i mrrolur nëpër bjeshkë

I drejtoi thikën që i dridhej

Dhe iu turr djaloshit

“Zotni” tha ky i fundit,

“Jam i magjepsur, më besoni

Që po vdes kësisoj

Në këtë mënyrë mesjetare,

Siç thonë legjendat më të bukura;

Ah çfarë gëzimi!”

Pastaj e priti plagën i buzëqeshur

Dhe vdiq, i kënaqur.

XVIII

“E vërteta” thoshte një udhëtar,

“Është një shkëmb, një kështjellë madhështore;

Shpesh kam qenë tek ajo

Gjer dhe te kulla e saj më e lartë,

Prej nga gjithë bota duket kaq e zezë.”

“E vërteta,” thosh një udhëtar

“Është një frymë, një erë

Një hije, një fantazmë;

Sa gjatë i kam rënë pas dhe e kam ndjekur,

Por kurrë s’e kam prekur

As cepin e rrobës së saj.”

Dhe unë e besova udhëtarin e dytë

Se e vërteta për mua ish

Një frymë, një erë

Një hije, një fantazmë

Dhe kurrë s’e pata prekur

As cepin e rrobës së saj.

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: