Arber Zaimi

Mbi jetën

In Përkthime, Vjersha on 10 Nëntor, 2014 at 14:10

Nazim Hikmet

 

Planeti i Ri, 1921 - Constantin Yuon

Planeti i Ri, 1921 – Constantin Yuon

Jeta s’është për të qeshur:

Duhet jetuar me shumë seriozitet

Si një ketër përshembull

Domethënë, pa kërkuar diçka tjetër përtej, a përmbi vetë jetën

Domethënë, puna jote e vetme duhet të jetë vetë jeta.

Jeta nuk është për të qeshur:

Duhet marrë seriozisht,

Aq shumë, dhe në të tillë përmasë

Sa që, përshembull, edhe kur i ke duart e lidhura pas shpine

Shpinën pas muri

Ose edhe kur je në laboratorin tënd

Me bluzën e bardhë, me syzet mbrojtëse

Të mund të vdesësh për njerëz –

Edhe për njerëz të cilëve s’ua ke parë kurrë fytyrat

Edhe pse ti e di se të jetuarit

Është gjëja më reale, më e bukura gjë.

Domethënë, jeta duhet marrë aq seriozisht

Sa edhe kur të jesh shtatëdhjetë vjeç të mbjellësh ullinj –

Dhe jo për fëmijët e tu, jo

Por sepse ti, megjithëse i trembesh vdekjes nuk beson tek ajo

Sepse jeta, domethënë, peshon më rëndë.

II

Le të themi se jemi shumë të sëmurë, kemi nevojë për operacion –

Që do të thotë se edhe mund të mos ngrihemi më

Prej tryezës së bardhë.

Edhe pse është e pamundur që të mos ndihemi të trishtuar

Prej faktit se po shkojmë cazë më herët

Prapë do të qeshim me shakatë që dëgjojmë

Do shohim tej dritares në po bie shi a jo

Apo do të presim me ankth

Për lajmet e ditës…

Le të themi se jemi në front –

Për diçka që ia vlen të luftosh, ta zëmë.

Atje, në sulmin e parë, bash në atë ditë

Mund të biem me fytyrë në baltë, të vdekur.

Kjo gjë do të na zemëronte shumë,

Po prapë ne na shqetëson deri në vdekje

Kureshtja për rezultatin e luftës, që do të mund të zgjaste vite të tëra.

Le të themi se jemi në burg

Jemi afër pesëdhjetë vjeç

Dhe kemi, ta zëmë edhe tetëmbëdhjetë vjet

Gjer kur të hapen dyert e hekura.

Ne prapë do jetojmë me botën që është jashtë

Me njerëzit, kafshët, betejat dhe erën e saj –

Domethënë me të jashtmen që është përtej mureve.

Domethënë, gjithsesi e kudo që të jemi

Duhet të jetojmë sikur të mos kishim kurrë për të vdekur.

III

Kjo tokë do të plaket e ftohtë

Një yll në mes yjesh

Ndër më të vegjlit syresh

Një xixë e artë në pëlhurën e kaltër

Domethënë, kjo, toka jonë e madhe.

Kjo tokë do të plaket e ftohtë një ditë

Jo si një bllok akulli

As si një re e vdekur

Po si një lëvozhgë arre e zbrazur do të rrokulliset

Në hapësirë të katrantë…

Duhet të vajtosh për këtë tani menjëherë

Duhet ta ndjesh keqardhjen tani menjëherë

Sepse bota kaq shumë duhet dashur

Nëse ke ndërmend të thuash “jetova”…

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: