Arber Zaimi

Archive for Dhjetor, 2014|Monthly archive page

Dhe bëhet saora natë

In Përkthime, Vjersha on 24 Dhjetor, 2014 at 21:37

Frantisek Kupka - The Black Idol Resistance, 1903

Frantisek Kupka – The Black Idol Resistance, 1903

Dhe bëhet saora natë

 

Secili mbi zemrën e dheut gjendet fillikat

Tejshkuar nga një rreze dielli

Dhe bëhet saora natë

 

Natës

 

Prej mitrës tënde

ngjitem i pakujtimtë

dhe qaj.

 

Ecin engjëj, memecë

me mua; sendet nuk kanë frymëmarrje;

në gur shndërruar çdo gjë,

heshtje e qiejve të varrosur.

 

I pari burrë që pate

nuk di, por dhemb.

 

Salvatore Quasimodo

Advertisements

Zgjohem me qepallat që më djegin

In Përkthime, Vjersha on 20 Dhjetor, 2014 at 23:14

P.P. Pasolini

Morris Cole Graves - Sleeping man

Morris Cole Graves – Sleeping man

Zgjohem me qepallat që më djegin.

Djalëria ime e mekur përmbi mjekrën

që m’u rrit teksa flija, përmbi mishin e tretur,

fiksohet me dritën e shkrirë në sytë e mi të përtharë.

Kështu përfundoj në flakën e errët

të një rinie të mpirë prej përjetësisë;

kështu digjem, është e kotë

– po ta mendosh – të jesh tjetërsoj,

t’i imponosh kufij parregullsisë: më tërheq

gjithnjë e më e copëzuar, me një fytyrë të thatë

në fëmijërinë e vet, drejt një rregulli të qetë e

të marrë, pesha e ditës simë të humbur

nëpër orë memece gëzimi, në ccastet

memece të tmerrit…

(poezi pa titull)

In Përkthime, Vjersha on 20 Dhjetor, 2014 at 22:37

P.P. Pasolini

Hernan Bas - Fitting in, 2005

Hernan Bas – Fitting in, 2005

Jemi lodhur duke u bërë të rinj seriozë

apo detyrimisht të kënaqur, apo kriminelë, apo neurotikë:

duam të qeshim, të jemi të pafajshëm, të presim diçka nga

jeta, të kërkojmë, të mos dimë.

S’duam të jemi menjëherë, që tani, kështu, pa ëndrra.

Do të të pyesin për dashurinë

In Përkthime, Vjersha on 16 Dhjetor, 2014 at 20:19

De Andre

Pa të lënë kohë të kapërcesh habinë

Do të të pyesin për neve dhe për dashurinë

Atyre që i ka vjetëruar pasja të drejtë

Një dashuri aq të gjatë

Mos ua dhuro aq shpejt…

 

Mos i stërhap buzët që të rrjedhin tej fjalët

Buzët e tua aq të kursyera në fantazitë e dashurisë

Pas dashurisë kaq të sigurta kur strehohen te “përgjithnjë-të”

Në hipokrizinë e “kurrë-ve”

 

S’ia dola mbanë të të ndryshoj

S’më ke ndryshuar, ti e di.

 

Pas mikrofonit do të shihesh e pasqyruar

Do të bëhesh më e bukur, do më mendosh

të moshuar

Dhuroju atyre një hile që me mua s’e bëje

Dhe ata do habiten

Se si nuk më mjaftoje,

 

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Pa ty po kthehesha, si i dehur

In Përkthime, Vjersha on 15 Dhjetor, 2014 at 21:21

P.P. Pasolini

romain-saintonge-496x273

Romain Santonge – “06:00 e mëngjesit”

 

Pa ty po kthehesha, si i dehur

si një që s’është në gjendje të jetë i vetmuar, mbrëmjeve

kur retë e lodhura treten

në terrin e paqartë.

Një mijë herë kam qenë i vetmuar kësisoj

ç’prej kur jam gjallë, dhe një mijë mbrëmje të tilla

m’ia kanë errësuar syve barin, malet

katundet, retë.

Vetmuar gjithë ditën, pastaj së brendmi heshtjen

e mbrëmjes fatale. E tash i dehur,

kthehem pa ty, dhe përkrah meje

qëndron veç hija.

 

Edhe do jesh larg meje një mijë herë,

pastaj gjithmonë. Unë nuk di si ta ndal

kët’angushti që m’rritet përbrenda gjoksit;

të jesh vetëm.

E fundit poemë

In Përkthime, Vjersha on 11 Dhjetor, 2014 at 13:38

Robert Desnos

 

Aq shumë të kam ëndërruar,

Aq shumë kam ecur, aq shumë kam folur,

Aq shumë e kam dashur hijen tënde,

Sa që s’më mbetet më asgjë prej teje.

Më mbetet veç të jem një hije në mes hijesh

Të jem qind herë më hije se vetë hija

Të jem hija që do të vijë e do të rivijë

Në jetën tënde të diellosur.

 

Hije dhome - Simone Bubbico, 2010

Hije dhome – Simone Bubbico, 2010

… Nënën

In Vjersha on 1 Dhjetor, 2014 at 15:01
Karroca natën - Hugo Scheiber, 1930

Karroca natën – Hugo Scheiber, 1930

 

Sa vështirë ta duash.

Një nënë e bukurive dhe mirësive të kursyera.

Një nënë me trupin e drobitur prej dhunës

së pësuar dikur, prej pronarëve të saj kodoshë.

E nxjerrë në shitje

si kurvë në rini,

e më pas, kur iu rrudh fytyra

e nxjerrë në shitje edhe si shërbëtore,

si pastruese a lypëse

tashmë prej bijve të saj.

Me trurin e çoroditur,

fare pak pushim mes traumave të gjata.

Nënë e katandisur në rrecka

prej bijve të saj bixhozxhinj,

bij të marrosur

pas feksjes së ngjyrave në fustanet

e nënave të tjetërkujt.

Një nënë injorante, e palexuar, e padalë.

E mësuar me kokuljen, me përgjunjen,

me nënshtrimin ndaj fatkeqësisë të paketuar si fat.

Sa vështirë ta duash.

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »