Arber Zaimi

… Nënën

In Vjersha on 1 Dhjetor, 2014 at 15:01
Karroca natën - Hugo Scheiber, 1930

Karroca natën – Hugo Scheiber, 1930

 

Sa vështirë ta duash.

Një nënë e bukurive dhe mirësive të kursyera.

Një nënë me trupin e drobitur prej dhunës

së pësuar dikur, prej pronarëve të saj kodoshë.

E nxjerrë në shitje

si kurvë në rini,

e më pas, kur iu rrudh fytyra

e nxjerrë në shitje edhe si shërbëtore,

si pastruese a lypëse

tashmë prej bijve të saj.

Me trurin e çoroditur,

fare pak pushim mes traumave të gjata.

Nënë e katandisur në rrecka

prej bijve të saj bixhozxhinj,

bij të marrosur

pas feksjes së ngjyrave në fustanet

e nënave të tjetërkujt.

Një nënë injorante, e palexuar, e padalë.

E mësuar me kokuljen, me përgjunjen,

me nënshtrimin ndaj fatkeqësisë të paketuar si fat.

Sa vështirë ta duash.

Sa vështirë të përsërisësh klishetë,

gjasme nëna ime më e mira në botë,

nëna ime më e bukura në botë,

të dua se je e imja,

e kështu me radhë.

Po ti nuk je imja.

Nuk je as jotja.

Ti vazhdon të jesh e atyre që të shesin.

Lëkurën e rrudhur më shumë ta lag djersa se lotët,

më shumë ta ndyn zhuli se gjaku.

Sa vështirë ta duash.

Një nënë e varur prej një mijë drogash,

që nuk ka fuqi t’i kushtojë vëmendje fëmijës

as sa për një shpullë.

Një nënë që ka frikë të jetë,

sepse çdo qenie e saj shndërrohet në mall

edhe kuotohet në tregjet klasike të skllavërisë.

Ndonjë bir i saj që iu kundërvu skllavërisë,

u vra.

Sa lehtë shndërrohet gjaku në lapidar,

martiri në pushtet,

qëndresa në muze,

drejtësia në stoli.

E stolitë peshohen me ar.

Ar kanë më shumë nënat e tjera.

Jo nëna kokëpalarë,

dhëmbëprishur,

pa strehë,

pa brekë në bythë,

me morra,

që duron kokëulur dhe e përskuqur

moralizmat fetare dhe sharjet shekullare të ca bastardëve

që ajo lindi e dhunuar prej zotnijve të qytetëruar

që marshuan në jetën e saj.

Më lehtë është të bësh sikur beson

shokun e shkollës që të mëshiron

duke thënë se nënat nuk ekzistojnë,

edhe pse përditë ia sheh nënën e tij

zonjë, në pazar e në shtëpi.

Më lehtë të dëshirosh marrëzisht

të adoptohesh prej nënës së ndonjë tjetri.

Më lehtë të thuash se

qumështi i gjirit nuk të ka mjaftuar kurrë.

Vështirë ta duash nënën tënde

pa qenë patetik.

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: