Arber Zaimi

Balada e nënave

In Përkthime, Vjersha on 17 Mars, 2015 at 23:53

Mamma Roma & Ettore, grafit në Romë - Zilda

Mamma Roma & Ettore, grafit në Romë – Zilda

P.P. Pasolini

 

Pyes veten, çfarë nënash paskeni patur.

Po t’iu shihnin tash duke punuar

në një botë që për to është e panjohur,

të rrëmbyer në një qerthull që kurrë s’kryhet

përvojash kaq të ndryshme prej të tyreve,

me ç’vështrime do t’u shihnin ata sy?

Po t’ishin aty, ndërkohë që ju shkruani

tekstin tuaj, konformistë dhe barokë

apo teksa ia jepni redaktorëve të rënë përtokë

përballë çdo kompromisi, a do ta merrnin vesh ato se cilët jeni?

 

Nëna të ndyra, që në fytyrë mbajnë atë trembjen

e moçme, që si një sëmundje

ua shformon siluetat në një zbërdhylje

që i mjegullon, i largon prej zemrës,

i ndryn në të vjetrin mospranim moralist.

Nëna të ndyra, të shkretat, të shqetësuara

që bijtë të mësojnë ç’është ndyrësia

për të lypur një vend pune, për të qenë praktikë,

për të mos fyer shpirtrat e privilegjuara

e për të qenë imunë ndaj secilit mëshirim.

 

Nëna mediokre, që kanë mësuar

me përulësi prej fëmije, për ne

një domethënie të vetme, lakuriqe,

me shpirtra në të cilat bota është e nëmur

të mos japë kurrë as dhimbje as gëzim.

Nëna mediokre që kurrë nuk patën

për ju as dhe një fjalë dashurie,

përveç një dashurie memece gjer n’neveri

prej shtazësh, e në atë ju kanë rritur

impotentë ndaj thirrjeve reale të një zemre.

 

Nëna servile, të mësuara në shekuj

të ulin kryet gjithë pa dashuri,

t’i transmetojnë fetusit të tyre

sekretin e moçëm e të paturp

që të kënaqet edhe me mbeturinat e gostisë së tjetërkujt.

Nëna servile, që ju kanë mësuar

se si shërbëtori mund edhe të jetë i kënaqur

duke urryer atë që është, si ai vetë, i lidhur,

se si mund të jetë i lumtur, duke tradhtuar,

dhe të jetë i sigurtë, duke bërë atë që s’thotë.

 

Nëna të egra, që me çdo kusht synojnë të ruajnë

atë pak që kanë në zotërim borgjezët,

normalitetin edhe rrogën,

ta ruajnë pothuajse me tërbimin e atij që lyp hakmarrje

a të atij që mbet i zënë në ndonjë grackë absurde.

Nëna të egra, që ju kanë thënë:

Mbijetoni! Mendoni për veten tuaj!

Mos ndjeni kurrë mëshirë e as respekt

për askënd, dhe mbajeni ngrohtë në gji

integritetin tuaj prej gjuetari kërmash!

 

Ja, të ndyra, mediokre, shërbëtore,

të egra, nënat tuaja të mjera!

Që nuk kanë turp t’ju mendojnë

– në urrejtjen tuaj – gjer edhe të mrekullueshëm,

në mos qoftë kjo diçka tjetër, pos një lugine lotësh.

E kësisoj kjo botë bëhet e juaja:

të bërë vëllezër prej pasioneve kundërshtare

apo prej atdheve armiqësorë, prej mospranimit të thellë

ndaj qenies të ndryshëm: ndaj përgjigjjes

për dhimbjen e egër të të qenit njeri.

 

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: