Arber Zaimi

Seks, ngushëllim i mjerimit!

In Përkthime, Vjersha on 20 Mars, 2015 at 13:59
Anna Magnani në Mamma Roma, 1962

Anna Magnani në Mamma Roma, 1962

P.P. Pasolini

Seks, ngushëllim i mjerimit!

Kurva është mbretëreshë, froni i saj

një gërmadhë, toka e saj një copë

lulishte e dhjerë, skeptri i saj

një çantë me vernik të kuq:

leh nëpër natë, e zhyer dhe e egër

si një nënë e moçme: mbron

pronën e saj dhe jetën e saj.

Kodoshët rretheqark, në skota

të enjtur dhe të zvjerdhur, me mustaqet e tyre

të holla e të dredhura, a të kreshpëruara si furçë

janë prijësat regjentë: thurin

në errësirë punët e tyre prej pesëdhjetë eurosh

teksa miqësohen në heshtje, teksa këmbejnë

parrullat sekrete: bota, e përjashtuar, hesht

rreth atyre që janë vetëpërjashtuar,

kërma të heshtura kërmëngrënësish.

 

Por tek mbeturinat e botës lind

një botë e re: lindin ligje të reja

aty ku nuk ka më ligj; lind një

nder i ri ku nder është çnderimi…

Lindin fuqi e fisnikëri

të egra, në grumbujt e barrakave

në vendet e shkufizuara ku beson

se përfundon qyteti, po ku në fakt

fillon, armik, fillon

një mijë herë, me ura

me labirinte, kantiere e gropa

pas stuhive të qiellgërvishtësve

që errësojnë horizonte të tëra.

 

Në lehtësinë e dashurisë

mjerani ndihet njeri:

themelon besimin tek jeta, gjer kur

ia nis të përçmojë atë që ka një hetë tjetër.

Bijtë hidhen në aventurë

të sigurtë për faktin se janë në një botë

që prej tyre, prej seksit të tyre, ka frikë.

Mëshira e tyre qëndron tek të qenit të pamëshirshëm,

forca e tyre tek lehtësia

shpresa e tyre tek të mos pasurit shpresë.

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: