Arber Zaimi

Archive for Maj, 2015|Monthly archive page

Don Kishoti

In Përkthime, Vjersha on 29 Maj, 2015 at 14:27
Dulcinea, 2000 - Bruno Liberti

Dulcinea, 2000 – Bruno Liberti

Kalorësi i rinisë së përjetshme
dëgjoi, thuajse pesëdhjetëvjeçar
ligjin që i rrihte në zemër.
U nis një mëngjes të bukur korriku
për të ngadhnjyer të bukurën, të vërtetën, të drejtën.
Para tij qe bota
me gjigandët e saj absurdë e të pështirë
poshtë tij Rosinanti
i trishtë e heroik.

E di
kur të rrëmben ky pasion
dhe zemra kur e ka një peshë të paanashkalueshme
s’ke hiç se çfarë t’i bësh, Don Kishot
s’ke ç’t’i bësh hiç
është e nevojshme lufta
kundër mullinjve të erës.

Ke të drejtë ti, Dylqinja
është gruaja më e bukur e dheut
sigurisht
duhet t’ua bërtisje në fytyrë këtë fakt
tregtarëve të vegjël
sigurisht
do të duhej të të hidheshin në fyt
e të të mbulonin me shkelma

por ti je kalorësi i pamposhtur i të eturve
ti do të vazhdosh të jetosh si një flakë
në koracën tënde të rëndë e të hekurt
dhe Dylqinja
do të jetë më e bukur, secilën ditë.

Nazim Hikmet

Advertisements