Arber Zaimi

Dëshira për pasuri e nënproletariatit roman

In Përkthime, Vjersha on 20 Qershor, 2015 at 17:38

 

pasolini-roma-thefreak-setPier Paolo Pasolini

 

I vëzhgoj këta njerëz të mësuar

me jetë tjetërsoj nga e imja: fryt

i një historie shumë të ndryshme, të gjetur

sivëllezër, këtu, te e fundit formë

historike e Romës. I vëzhgoj: te të gjithë

ka një lloj fryme prej çobani që fle

me thikë në brez: në lëngjet e tyre

jetësore shtrihet një terratisje e dendur,

verdhëza papale e Bellit

jo e purpurt po me ngjyrë të shuar speci të kuq,

pluhur tulle. Të linjtat, nën të

të grisura e të palara; në sy ironia

që shfaq afshin e tyre të paturp

të kuq e të lagësht. Mbrëmja i zbulon

thuajse nëpër strofka, në geto

bërë prej rrugicash, muresh, pragjesh

dhe dritaresh të vogla të humbura në heshtje.

Dhe sigurisht, e para prej pasioneve të tyre

dëshira për pasuri: e ndyrë,

si gjymtyrët e tyre të palara,

e fshehur e po ashtu haptazi,

që s’njeh asnjë lloj turpi: siç është i paturp

grabitqari që fluturon duke shijuar

kafshatën e tij, apo si ujku, apo si merimanga

ata e duan paranë si të ishin ciganë

mercenarë apo kurva: qaraviten

nëse s’e kanë, përdorin lajka

të shpifura për ta pasur, krenohen si të ishin

Plauti kur i kanë xhepat

Plot.

Nëse punojnë – punë prej mafiozësh

kasapë,

lustraxhinj egërsira, nëpunës pederë,

shoferë mizerje autobusësh, plehra shëtitëse,

punëtorë krahu të mirë sa ç’është i mirë qeni – dhe ngjet

që të gjithë të kenë të njëjtën pamje prej hajni:

shumë dredhi e motmotshme rrjedh në ato vena…

 

Kanë dalë prej barkut të nënave të tyre

për t’u gjindur në trotuare a fusha

prehistorike, të regjistruar në atë regjistër

që të panjohur i do të mbeten prej çdo historie…

Dëshira e tyre për pasuri

është kaq banditeske, aristokratike.

E ngjashme me timen. Secili mendon për vete,

që ta fitojë bastin ankthsjellës

që t’i thotë vetes “Ia dola” me një nënqeshje prej mbreti…

Shpresa jonë është bash njësoj

e obsesionuar:

te unë estetizuese, te ata anarkike.

Të rafinuarit dhe nënproletariatit i takon

e njëjta renditje hierarkike

e ndjenjave: të dy jashtë

historisë,

në një botë që nuk ka varka të tjera

përveçse drejt seksit e drejt zemrës,

nuk ka thellësi tjetër përveçse në ndjenja

ku gëzimi është gëzim, dhimbja dhimbje.

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: