Arber Zaimi

Elegjitë Buckow

In Përkthime, Vjersha on 8 Shtator, 2015 at 22:57

 

Foto nga filmi "Vera e fundit e Brechtit"

Foto nga filmi “Vera e fundit e Brechtit”

Bertolt Brecht, 1954

 

MOTTO

Po të frynte një erë

Do të ngrija një velë

Po të mos kisha velë

Do e kisha bërë një, me pëlhurë e dërrasa.

NDËRRIMI I RROTËS

Jam ulur në trotuar

Shoferi po ndërron rrotën.

Nuk më pëlqen vendi nga kam ardhur.

Nuk më pëlqen vendi ku po shkoj.

Pse me kaq padurim unë

Po e vështroj ndërsa ndërron rrotën?

KOPSHTI ME LULE

Anës liqenit, thellë mes bredhave e plepave të argjendtë

Rrethuar me mure e hendeqe një kopsht

Kaq mençurisht i punuar me lule të ndryshme

Që lulëzojnë prej marsit e deri në tetor.

 

Këtu, mëngjeseve, jo shumë shpesh, unë ulem

Dhe uroj që ta kem dhe për vete mundësinë

Në çdo stinë, të mirë a të keqe

Të tregoj një anë timen të mirë a një tjetër.

ZGJIDHJA

Pas kryengritjes së 17 qershorit

Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve

Porositi të shpërndaheshin broshura në Bulevardin Stalin

Ku të pohohej se populli

E kish shkelur besimin që i pat dhënë qeveria

Dhe do të mund ta rifitonte vetëm nëse

Do të përpiqej dy herë më shumë. A nuk do të ishte më e lehtë

Për qeverinë në këtë rast

Ta shpërndante popullin

Dhe të zgjidhte një tjetër?

KOHË TË MËDHA ÇUAR DËM

Mora vesh që po ndërtohen qytete

S’kam qenë në asnjë prej tyre.

Çështje statistikash mendova

Jo historie.

E ç’kuptim kanë qytetet që ndërtohen

Pa urtësinë e popullit?

MËNGJES MISTREC

Plepi i argjendtë që dikur ishte bukuroshja më e vlerësuar e këtij vendi

Tash është gërmuqur si një plakë. Liqeni

Një pellg me ujë të ndenjur që s’të vjen ta prekësh!

Vjollcat mes gojëluanëve, arrogante e pa pikë shije.

Pse?

Mbrëmë në ëndërr pashë gishta që drejtoheshin kah unë

Si të isha lebroz. Gishta të rrudhur prej punës edhe

Të thyer.

S’e dini! U rrënqetha

I vrarë në ndërgjegje.

PËRSËRI ASHTU

Pjatat përplasen në tryezë aq fort

Sa supa derdhet prej tyre.

Me zë të çjerrë

Jehon urdhri: Tash ha!

 

Shqiponja prusiane

Ngjesh ushqimin

Tek fytet e zogjve të vet.

DITË E NXEHTË

Ditë e nxehtë. Me makinën e shkrimit mbi gjunj

Jam ulur në shtëpinë verore. Një varkë e gjelbër

Shfaqet nëpër shelgjishtë. Në anë të saj

Një murgeshë e trashë, veshur trashësisht. Përballë saj

Një njeri i moshuar në rroba banjoje, ndoshta një prift

Që mbante rremat, voziste sa kishte fuqi

Dhe një fëmijë. Njësoj si në kohët e vjetra, mendoj

Njësoj si në kohët e vjetra.

E VËRTETA BASHKON

Miq, dëshiroj të dini të vërtetën dhe ta thoni.

Jo si Cezarë të lodhur evazivë: “Nesër do të ketë grurë”.

Por si Lenini: Deri nesër

Do të kemi arritur, përveç nëse…

Siç thotë dhe refreni:
“Vëllezër e kam për detyrë

T’ju them menjëherë

Jemi në një situatë të vështirë

Pa shpresë në derë”

Miq, me gjithë zemër të pranojmë

Dhe me gjithë zemër PËRVEÇ NËSE!

TYMI

Shtëpia e vogël mes pemëve anësh liqenit.

Prej çatisë ngrihet tymi.

Pa të

Sa keq do të ishte

Shtëpi, pemë dhe liqen.

HEKUR

Në një ëndërr, natën që shkoi

Pashë një stuhi të madhe.

Rrëmbeu gjithë armaturën

Hallkat mbërthyese u thyen

E shufrat e hekurta ranë poshtë

Ndërsa pjesët prej druri

U përkulën pak, e s’i gjeti gjë.

BREDHAT

Në orët e para të ditës

Bredhat e lartë janë të bakërt.

Kështu më dukeshin mua

Gjysmë shekulli më parë

Dy luftëra botërore më parë

Me sy të parritur.

BURRI ME NJË DORË TË VETME, NËPËR SHKURRE

I qullur në djersë ai përkulet

Të mbledhë shkarpa. Mushkonjat

I largon me tundje të kokës. Mes gjunjëve

Me mundim grumbullon shkarpat. Duke hungërirë

Drejton trupin, ngre dorën lart që të ndjejë

Nëse po bie shi. Me dorën e ngritur

Esesi i frikshëm.

TETË VJET MË PARË

Ishte një kohë

Kur gjithçka këndejpari ishte ndryshe.

Gruaja e kasapit e di.

Edhe postieri kishte ecur me hap ushtarak.

Po ç’kishte bërë vallë elektriçisti?

DUKE LEXUAR HORACIN

Edhe Përmbytja

Nuk zgjati përgjithnjë.

Erdhi një kohë

Kur ujërat e errët u tërhoqën.

Po, por ca prej tyre

Ndenjën më gjatë.

TINGUJ

Vonë, në vjeshtë

Plepat e argjendtë mbledhin truma të mëdha sorrash

Por gjatë gjithë verës kur

Vendi s’ka zogj unë dëgjoj

Veç tinguj që vijnë prej njerëzish.

Dhe s’kam asnjë kundërshtim.

DUKE LEXUAR NJË LIBËR SOVJETIK

Të zbusësh Vollgën, lexoj

S’ka për të qenë punë e lehtë. Ajo do të thërrasë

Vajzat e veta në ndihmë, Okën, Kamën, Unzhën, Vjetlugën

Dhe mbesat e saj, Çusojavën, Vjatkën.

Do të mbledhë gjithë forcat e saj me ujëra prej shtatë mijë rrëkesh

Dhe plot me mëri do të përplaset me digën në Stalingrad.

Ky lumë, gjeni mendjehollë, me hiletë djallëzore

Të Odisesë grek, do të vërë në punë çdo çarje

Do të lëshohet në anën e djathtë, do të tejkalojë nga e majta, do të mbulohet

Nëndhe – por, me sa po lexoj populli sovjetik

Që e do, që këndon këngë për të, kohët e fundit

E ka studiuar mirë dhe jo më vonë

Se 1958

Ka për ta zbutur.

Dhe fushat e zeza të pllajave kaspike

Djerrinat, thjeshtrat

Do t’i shpërblejnë me bukë.

QIELLI I KËSAJ VERE

Lart mbi liqen fluturon një bombardues.

Prej varkave që lundrojnë

Ngrenë kokën fëmijët, gratë, një burrë plak. Nga largësia

Ata duken si zogj të vegjël, me sqepat

Fort të hapur, që presin ushqim.

MISTRIA

Në ëndërr isha në një kantier ndërtimi. Isha

Murator. Në dorë

Mbaja një mistri. Por kur u përkula

Për të marrë llaç, u dëgjua një e shtënë

Që e ndau përgjysmë hekurin

E mistrisë time.

MUZAT

Kur burri i hekurt i rreh

Muzat këndojnë më fort.

Me sytë më të zinj

E adhurojnë si bushtra.

Vithet e tyre spërdridhen me dhimbje.

Kofshët e tyre me epsh.

DUKE LEXUAR NJË POET GREK TË KOHËVE TË FUNDIT

Në kohën kur humbja e tyre qe e sigurt –

Nëpër llogore kish nisur vajtimi i të vdekurve –

Trojanët filluan të rregullonin ca pjesë të vogla, pjesë të vogla

Në portat e trefishta të drunjta, pjesë të vogla.

Dhe nisën të kishin guxim, të shpresonin.

 

Edhe trojanët pra, dhe ata.

Reklama
  1. Pecore nella nebbia
    Le colline digradano nel bianco
    Persone o stelle mi guardano con tristezza,le deludo.

    Il treno lascia dietro
    una linea di fiato.
    Ah,lento cavallo color della ruggine,zoccoli..,dolorose campane

    E tutta la mattina che la mattina sta annerendo, un fiore
    lasciato fuori.

    Le mie ossa racciudono un immobilita,i campi lontani mi sciolgono
    il cuore.

    Minacciano di lasciarmi entrare
    in un cielo
    senza stelle ne padre,
    un acqua scura.

    Sylvia Plath

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: