Arber Zaimi

Lumë i bronztë

In Vjersha on 23 Shtator, 2015 at 18:24
John Duncan - Phlegethon, 1930

John Duncan – Phlegethon, 1930

Rri shoh i mpirë këtë lumë

Këtë lumë të trazuar e gjithnjë të pagjumë

Stërdallgë

Dhe erëra që ujërat kreshpërojnë

E dritën e rrëgjojnë në njëqind mijë pikëlima.

Mbi të rri një qiell i hapur, i bardhë

I lartë, i rrallë, i përkohëshëm.

E unë si i mpirë rri shoh këtë lumë.

Varka, trarë edhe plot mbeturina që rrëmbimi

I sjell bashkë me rrjedhën.

Megjithatë ai duket

Si shtatore e pambaruar prej bronzi të zi

E mbi të

Rreth e rrotull sillet hëna si në një marrëzi.

Dielli vesh një kravatë hipsteri

Dhe hëna e shkurton minifundin

Yjet zgurdullojnë sytë

Përpiqen të shohin sa të mundin

Me vështrimin e tyre të mekur.

E unë këtë lumë rri shikoj si i vdekur.

Pse nuk shteret?

Pse nuk avullon?

Pse nuk e përpin toka?

Pse nuk kthehet në qiell?

Apo pse nuk kthehet në sytë nga ka rrjedhur si lot?

O lumë i ndryshkur, i kotë

Si shtatore e pambaruar prej bronzi të zi

I trazuar, i zhurmshëm

I paqëndrueshëm

Të shoh si i mpirë.

Po a jam unë ai që po e sheh këtë lumë? A jam unë?

Sigurisht që jam unë!

Edhe pse i verbër

Nuk mund të pushoj së shikuari

Mbeturinat e mia

Që pluskojnë të shpërndara

Mbi lumë.

  1. Marc Chagall La passeggiata 1918

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: