Arber Zaimi

Archive for Tetor, 2015|Monthly archive page

Në kohë të errëta

In Përkthime, Vjersha on 19 Tetor, 2015 at 14:53
Jorg Immendorff - Parlamenti, 1978

Jorg Immendorff – Parlamenti, 1978

S’kanë për të thënë: ish’ koha kur degët e arrës po tundeshin nëpër erë

Por: koha kur bojaxhiu shtypi punëtorët.

S’kanë për të thënë: ish’ koha kur fëmija gjuajti një gur petashuq nëpër ujëvarë

Por: koha kur po gatuheshin luftëra të mëdha.

S’kanë për të thënë: ish’ koha kur gruaja hyri brenda në dhomë

Por: koha kur fuqitë e mëdha bashkuan forcat kundër punëtorëve.

Sidoqoftë, nuk kanë për të thënë: kohët qenë të errëta

Por: pse heshtën poetët e tyre?

Advertisements

Tumira

In Përkthime, Vjersha on 18 Tetor, 2015 at 20:35
Diego Rivera - Nata e të pasurve, 1928

Diego Rivera – Nata e të pasurve, 1928

Përqafojmë njëri-tjetrin.

Duart e mia prekin stof të shtrenjtë

Të tuat një rrobë të vjetëruar.

Përqafimi është i nxitimtë

Ti po shkon për një drekë të bollshme

Ndërsa mua njerëzit e përmbaruesit

Më janë vënë pas.

Flasim pak për motin dhe mbi

Miqësinë tonë të pashueshme. Gjithçka tjetër

Do të kish qenë tepër e hidhët.

 

Bertolt Brecht

Dhuna, shterpësia dhe një citim (3 vjersha të Brecht-it)

In Përkthime, Vjersha on 16 Tetor, 2015 at 19:33
Zhan Ziqian - Ekskursion pranveror, shek VI e.s.

Zhan Ziqian – Ekskursion pranveror, shek VI e.s.

Mbi dhunën

 

Lumi i rrëmbyer quhet i dhunshëm

Por shtrati nën të që ia përcakton rrymën nuk

Quhet i dhunshëm prej askujt.

 

Stuhia që përkul drunjtë e mështeknave

Mbahet si e dhunshme

Por çka sa i përket stuhisë

Që përkul shpinat e punëtorëve që shtrojnë rrugë?

 

Mbi shterpësinë

 

Druri që nuk jep pemë

Quhet shterpë. Kush

Ia analizon dheun?

 

Dega që thyhet

Quhet e prishur por

A s’pati borë mbi të?

 

Citim

 

Poeti Kin tha:

Si vallë do të mund të shkruaj vepra të pavdekshme nëse nuk jam i famshëm?

Si vallë do të përgjigjem, nëse nuk më pyesin?

Pse duhet të harxhoj kohë mbi vargje nëse ato do të fshihen e do të harrohen me kohën?

I shkruaj këshillat e mia në një gjuhë të qëndrueshme

Sepse kam frikë se do të kalojë ca kohë gjersa të zbatohen.

Për të mbërritur një qëllim të madh, nevojiten ndryshime të mëdha.

Ndryshimet e vogla janë armiq të ndryshimeve të mëdha.

Unë kam armiq. Pra duhet të jem i famshëm.

 

Bertolt Brecht

Për një të pavendosur

In Përkthime, Vjersha on 16 Tetor, 2015 at 12:47
Ramon Oviedo - 24 prill, 1965

Ramon Oviedo – 24 prill, 1965

Bertolt Brecht

 

Ti na thua

Se duket keq puna e çështjes sonë.

Terri po thellohet. Pushtet shumë pak.

Tash, pasi kemi punuar për kaq shumë vjet

Jemi në një pozitë më të vështirë se sa kur e nisëm.

Por armiku është ende aty, i fortë si kurrë më parë.

Pushteti i tij duket se është rritur. Ai seç ka marrë një pamje prej të pamposhtshmi.

Pastaj ne gjithsesi kemi bërë gabime; askush nuk mund t’i mohojë.

Radhët tona po rrudhen.

Slloganët tanë janë kundërthënës. Armiku i ka shformuar

Ca prej fjalëve tona gjer përtej kuptueshmërisë.

 

Çka është e rreme tash prej atyre që thamë:

Diçka, apo gjithçka?

Në cilin njeri do vazhdojmë të kemi besim? A jemi thjesht mbeturina, të flakura tej

Prej rrymës të së gjallëve? A do të mbetemi pas

Duke mos kuptuar askënd, të pakuptuar prej askujt?

 

Mos na duhet pak më shumë fat?

 

Këto janë pyetjet e tua. Mos prit

Përgjigje tjetër, përveç tëndes.

Kur keqbërja vjen si shiu që bie

In Përkthime, Vjersha on 14 Tetor, 2015 at 16:55

 

Georg Grosz - Klub nate në Berlin

Georg Grosz – Klub nate në Berlin

Bertolt Brecht

Si ai që sjell një letër të rëndësishme në sportel pas orarit të punës: sporteli është tashmë i mbyllur.

Si ai që përpiqet të lajmërojë qytetin se po vjen një përmbytje, por flet një gjuhë tjetër. Ata nuk e kuptojnë.

Si një lypës që troket për të pestën herë në një derë ku katër herë rresht i kanë dhënë diçka: por herën e pestë është i uritur.

Si ai të cilit po i rrjedh gjaku prej një plage dhe që po pret mjekun: gjaku vazhdon që t’i rrjedhë.

Kështu jemi ne që vijmë të raportojmë për të ligat që po bëhen ndaj nesh.

Herën e parë kur raportuam se shokët tanë po thereshin pati një klithmë prej tmerri. Pastaj u therën njëqind. Por kur u therën një mijë dhe therja nuk po mbaronte, një mbulojë prej heshtje ra.

Kur keqbërja vjen si shiu që bie askush nuk thërret “ndal!”

Kur krimet nisin të grumbullohen njëri mbi tjetrin bëhen të padukshëm. Kur vuajtjet bëhen të padurueshme klithmat nuk dëgjohen më. Edhe klithmat nisin të bien si shiu në verë.

Pyetjet

In Përkthime, Vjersha on 12 Tetor, 2015 at 16:57
Hugo Simberg - Engjëlli i plagosur

Hugo Simberg – Engjëlli i plagosur

Shkruamë çfarë ke veshur. A je ngrohtë?

Shkruamë si po fle. A është shtrati i butë?

Shkruamë qysh po dukesh. A je e njëjta?

Shkruamë çka të mungon. A është krahu im?

 

Kallzomë: a po të lënë vetëm?

A mund t’ia dalësh? Cili do jetë hapi i tyre i radhës?

Çfarë po bën? A është ajo çka duhet bërë?

Për çka po mendohesh? Mos vallë për mua?

 

Pyetjet janë gjithë çka mund të të jap dhe

Përgjigjet i pranoj si të jenë, se s’kam ç’bëj ndryshe.

Në qofsh e lodhur, unë s’mundem të të ndih;

Në qofsh e uritur, s’mundem të të ushqej. Pra, është sikur

Të mos isha në këtë botë, sikur të mos ekzistoja.

Është sikur të të kisha harruar.

 

B. Brecht

S’ka krim më të madh se sa të largohesh  

In Përkthime, Vjersha on 10 Tetor, 2015 at 13:37

 

Max Ernst - Murdering Airplane, 1920

Max Ernst – Murdering Airplane, 1920

S’ka krim më të madh se sa të largohesh.

Te miqtë, në ç’gjë mbështetesh? Jo tek ajo që bëjnë.

Se kurrë nuk mund ta dish se çfarë do bëjnë. Jo tek ajo që janë.

Ajo

Mund të ndryshojë. Vetëm tek kjo: tek fakti që nuk do të largohen.

Ai që s’mundet të largohet, nuk mundet as të rrijë. Ai që ka një pasaportë

Në xhep – a do të rrijë kur t’ia nisë mësymja? Ndoshta

Nuk do të rrijë.

Në shkofshin gjërat keq me mua, ndoshta do të rrijë. Por nëse gjërat

Shkojnë keq me të, ndoshta do të largohet.

Luftëtarët janë njerëz të gjorë. Ata nuk munden të largohen. Kur

Sulmi

Nis ata nuk mund të largohen.

Ai që rri njihet. Ai që u largua nuk u njoh. Çka u largua

Ishte e ndryshme prej asaj çka ishte këtu.

Para se të shkojmë në betejë unë duhet të di: mos vallë ke një pasaportë

Në xhep të xhaketës? Mos vallë po të pret ndonjë aeroplan ndanë

Fushëbetejës?

Sa humbjeve je gati t’u qëndrosh? A mund të të të dërgoj

Diku tjetër?

Epo mirë pra, le të mos shkojmë në betejë.

Tetë mijë skamnorë tubohen jashtë qytetit

In Përkthime, Vjersha on 1 Tetor, 2015 at 16:55
L.S.Lowry - The Fever Van, 1935

L.S.Lowry – The Fever Van, 1935

“Më shumë se 8000 minatorë të papunë, me gratë dhe fëmijët e tyre, janë grumbulluar në qiell të hapur në rrugën Salgotarjan, jashtë Budapestit. Dy ditët e para të organizimit të tyre ata kanë ndenjur pa ushqim. Janë të veshur me rrecka. Duken si skelete. Nëse nuk arrijnë të gjejnë ushqim dhe punë ata kanë kërcënuar se do të hyjnë në Budapest, edhe nëse kjo do të shkaktonte gjakderdhje; sepse s’kanë më asgjë për të humbur. Forca ushtarake janë grumbulluar në regjionin e Budapestit, të cilave u janë dhënë urdhra të prerë që të përdorin armët e zjarrit nëse ndodh edhe më e vogla prishje e qetësisë.”

 

Ecëm deri te qyteti i madh

Me barkun e zbrazët dolëm në rrugë

Një mijë prej nesh s’patën gjë për të ngrënë

Një mijë prej nesh donin bukë.

 

Gjenerali na shihte nga dritarja

Na tha se aty s’mund të rrimë

Shkoni n’shpi paqësisht si djema të mirë

Dhe kërkesat na i bëni me shkrim.

 

Ne u ndalëm në mes të asfaltit:

“Do na japin një copë bukë këtu, s’do na lënë të mbarojmë”

Por askush nuk na vuri re

Ndërsa ne shihnim oxhaqet e tyre tek tymojnë.

 

E atëherë erdhi te ne gjenerali.

Menduam: Më në fund na prunë ushqim

Gjenerali u ul pas një mitrolozi

Vetëm plumba e çelik qe ai gatim.

 

Gjenerali tha: Jeni tubuar më shumë se ç’lejohet

Dhe ia nisi menjëherë të na numëronte.

Ne i thamë, të gjithë këta që sheh

S’patën asgjë për të ngrënë sonte.

 

Ne s’po ndërtojmë lagje barakash

Ne s’po i lajmë rrobat aty ku s’lejohet

I thamë: Ne s’mund të rrimë shumë gjatë pa bukë.

Gjenerali na tha: Kjo vetëkuptohet.

 

I thamë: Por s’mund të vdesim të gjithë

E pse jo? – gjenerali na tha

Po nxehet pak situata aty jashtë, thanë njerëzit e qytetit

Breshëria e parë kur ra.

 

Bertolt Brecht 1927