Arber Zaimi

Balada e delirit

In Përkthime, Vjersha on 3 Nëntor, 2015 at 23:51
Kopertina e përmbledhjes me vjersha: "L'usignolo della chiesa cattolica"

Kopertina e përmbledhjes me vjersha: “L’usignolo della chiesa cattolica”

Vetëm, vetëm, shtatore e dylltë

Ngurtësuar prej rrezes së moçme

Të jetës sime tashmë të lehtë…

Ajri i mbrëmjes rikthehet, i pazë

Në zemër të gjuhës.

Venitur me psherëtimat e viteve

Mbi horizonte të shndritshme, ajri

Që rrjedh në fytet e engjëjve,

Kthen ekzistencë tek flegrat

E trupit tim të vdekur, oqean ditësh,

Ç’prej “Falemi Mrisë” deri tek “Engjëlli i Zotit”.

 

Gjithçka stonuar, fjala dhe dëgjimi

Hijet në çrregullsi,

Çmenduri, lebeti sadiste

Ndaj fjalëve, një trombë e dehur

Disonance – është dështimi

Anonim i botës. Verbër

Drita e yllit regëtin

Në kuzhina të terratisura, qelbur

Erës së keqe, hienat grrithin

Atonike…

 

Të dëgjoj, diapazon që zukat vitesh

Një majë e ashpër elmazi që pret

Tehun e shpirtit,

Të dëgjoj, por mos u trazo:

Unë sërish duhet të ruaj qetësinë:

Tash unë jetoj brenda në pasqyrë

Jam imazhi i vetes sime i zhytur

Në jetën e dritës së verbër

Në pasqyrën e djalit të ri

Burgosur në llamburitjen e humbur.

 

Brenda pasqyrës së pazëshme

Jam peshk i kaltër rrethuar

Me akull, me bishtin shpues të ngrirë

Në këtë qivur qelqi të përjetshëm –

Britma e mprehë e sirenës

Në mitrat e mjegulluara të të folmes

Nuk e krisin sipërfaqjen

E pasqyrës, thjesht prekin

Sytë e imazhit të vetmuar

Që jeton…

 

Në heshtjen baritore

Të së bardhës pasqyrore

Me ngjyrën lëbyrëse të agimit të lindjes,

Sa e pafajshme është pyetja ime!

Vdekatar i marrë!

Ku shkojnë trenat e çelikut

Të nxehtë përmes fushës së lagësht

Ku shohin dritat e shpërndara

Nëpër horizont, ku lundrojnë

Anijet e nxira me blozë, ku fluturon

 

Tymi i fabrikave, ku mëtojnë

Jetët tona në mos po drejt

Akerontit brenda në pasqyrë?

Vesi dhe tuta, burimet e mia, a janë

Mrekullisht rilindur në ty?

E ç’vrasës të mrekullueshëm mban

Foshnja i sapolindur fshehur thellë brenda

Trupit të tij prej mishi të trëndafiltë e të freskët?

(Kështu ti zë i ëndshëm, e përplas

Të ligun brenda qelqit të heshtur,

 

E kështu mund të lëshosh shajni mbi përskuqjen e fundit

Të njërit që dikur fliste një gjuhë të ndryshme

Dhe pastaj u heshtua në gjuhën e re

Pra ti je hijet

Që mbështjellin sëmundjet e ngurtësuara të shpirtit

Abdikimin e errët të zemrës

Kështu, je eleganca e fundme

E gjethes që fëshfërin ndër vite,

Duke i dhënë një shije të rreme heshtjeve

Aq njerëzore të të egrit.)

 

Pasqyra thërrmuar

Ndjenjat çliruar në realitet, këtu

Unë jam bota! Ah, u ktheva! Jam i së njëjtës

Moshë me ty, karantina mbaroi, dalja nga binarët

Ishte thjesht një subjekt për

Sociologji… por unë u ktheva, çfarë

Arrogance skandaloze, përditë unë ripërpiqem

Të bëj Hapin Cilësor prapa, rënien

E vjetër të engjëjve, çfarë skandali!

Oh, bashkëkohësit e mi të ëmbël, mes meje

Dhe realitetit – i njëjtë edhe për ju – shtrihet një hapësirë magjepsëse

SË CILËS DIKUR I PËRKISJA: naiviteti

 

Pak më tepër se trup, O të gjallë

Të së ardhmes që do të jetoni ne vendin tim

Brenda ngrohtësisë së këtyre mureve

S’kam njohur tjetër dashuri në vete

Përveç qiejve të kaltër në ditë të errëta –

Koha nuk është asgjë më shumë se sa Kaltërsia

Pas shpinës së një njeriu që po vdes

Panoramë e brishtë, e djerrë,

Pëshpërimë e heshtur e një zëri,

Imazh fizik mbi Asgjënë.

 

Pier Paolo Pasolini, 1949

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: