Arber Zaimi

PKI-ja të rinjve

In Artikuj, Përkthime, Vjersha on 7 Nëntor, 2015 at 17:13

venezia_contestazione01PKI-ja[1] të rinjve

 

Pier Paolo Pasolini

 

Më vjen keq. Polemika kundër

PKI-së duhej bërë në gjysmën e parë

të dekadës që shkoi. Jeni me vonesë, të dashur.

S’ka asnjë rëndësi nëse s’kishit lindur ende:

aq më keq për ju.

Tash gazetarët e të gjithë botës (përfshi

edhe ata të televizioneve)

ju lëpijnë (siç vazhdon të thuhet në gjuhë

studentore) bythën. Unë jo, të dashur.

Keni fytyrën e çunave të babit.

Ju urrej siç i urrej dhe baballarët tuaj.

Raca e mirë s’gënjen.

Keni të njëjtin sy për keq.

Keni turp, jeni të paqartë, të dëshpëruar

(shumë mirë!) por dini edhe se si të jini

prepotentë, kërcënues, me vetëbesim e pafytyrësi:

parakushtet e të qenit mikroborgjezë, të dashur.

Kur dje, në Valle Giulia[2] u rrahët

me policët,

unë isha tifoz i policëve.

Sepse policët janë bij të të varfërve

Vijnë nga subtopi, fshatare a qytetare qofshin.

Sa për mua, unë e njoh boll mirë

mënyrën se si kanë qenë fëmijë edhe çunakë,

ato një mijë lirat e çmueshme, babai po ashtu i mbetur çunak,

për shkak të mjerimit, që nuk të jep autoritet.

Nëna e ashpërsuar si me qenë roje, apo e brishtë

prej ndonjë sëmundje, si një zogth;

një mori me vëllezër; kolibja

rrethuar me një oborr me sherebelë të kuqe (në vende

që gjetiu tashmë janë parcelizuar); kasollet

aty ku derdhen gjirizet; ose apartamentet në lagjet

e stërmëdha popullore, etj. etj.

Pastaj shikoni se si i veshin: si palaço,

me atë cohë të ashpër, që qelbet era mensë

era kazermë dhe era popull. E keqja e të këqijave është, natyrisht,

gjendja psikologjike në të cilën i kanë katandisur

(për vetëm dyzet mijë lira në muaj):

s’kanë më buzëqeshje,

s’kanë më miqësi me botën,

të ndarë,

të përjashtuar (në një lloj përjashtimi që nuk ka të barabartë);

të poshtëruar se e kanë humbur cilësinë e njeriut

zëvendësuar me atë të policit (të qenit i urryer të bën të urresh).

Janë njëzet vjeç, në moshën tuaj, të dashur e të dashura.

Jemi qartazi dakord kundër institucionit të policisë.

Por provoni të kapeni me Gjyqësorin dhe do ta shihni!

Çunakët policë

që ju me rrugaçërinë tuaj të shenjtëruar (prej një tradite të përzgjedhur

rilindase)

prej çunash të babit, iu dhatë dru,

i përkasin klasës tjetër sociale.

Në Valle Giulia, dje, ndodhi pra një fragment

i luftës së klasës: dhe ju, të dashur (edhe pse ishit në anën

e së drejtës) ishit të pasurit,

ndërsa policët (që ishin në anën

e fajit) ishin të varfrit. Fitore e bukur, pra,

kjo juaja! Në këto raste

policëve i duhen dhënë lule, të dashur. Stampa dhe Corriere della Sera, Newsweek dhe Monde

ju lëpijnë bythën. Jeni bijtë e tyre,

shpresa e tyre, e ardhmja e tyre: nëse ju qortojnë

sigurisht që nuk po përgatiten për ndonjë luftë klase

kundër jush! Nëse është luftë

bëhet fjalë për luftë të brendshme.

Për atë intelektual apo punëtor

që është jashtë kësaj luftës suaj, është tepër zbavitëse ideja

që një borgjez i ri të shembë në dajak një borgjez

të vjetër, dhe që një borgjez i vjetër të çojë në burg

një borgjez të ri. Butë-butë

kohët e Hitlerit po rikthehen: borgjezia

ka shumë dëshirë të ndëshkohet me duart e saj.

I kërkoj falje atyre një mijë apo dy mijë vëllezërve të mi[3]

që veprojnë në Trento ose në Torino,

në Pavia ose në Piza, në Firence e pak edhe në Romë,

por më duhet ta them: lëvizja studentore (?)

nuk i frekuenton ata ungjij, leximin e të cilëve

ua atribuojnë studentëve adhuruesit e tyre në moshë të mesme,

që duan të ndihen të rinj e të krijojnë virgjëri shantazhuese;

një gjë të vetme njohin studentët:

moralizmin e babit specialist apo profesionist,

rrugaçërinë konformiste të vëllait të madh

(natyrisht që ka nisur rrugën e babit),

urrejtjen për kulturën që ka nëna, me origjinë

fshatare edhe pse tashmë të largët.

Kjo është dija juaj, të dashur bij.

Dhe e zbatoni përmes dy sentimentesh të padiskutueshme:

vetëdija për të drejtat tuaja (dihet, demokracia

ju ka vetëm juve në konsideratë) dhe synimi

për pushtet.

Po, slloganet tuaja të tmerrshme synojnë gjithnjë

marrjen e pushtetit.

Lexoj në mjekrat tuaja ambicie impotente,

në zbehjet tuaja snobizma të dëshpëruar,

në sytë tuaj që arratisen disocime seksuale,

në shëndetin e tepruar prepotencë, në shëndetin e munguar përçmim

(vetëm tek ata pak prej jush që vijnë prej borgjezisë

së rënë, apo nga ndonjë familje punëtore

këto difekte kanë ndonjë  fisnikëri:

njih vetveten[4] dhe shkollën e Barbianas[5]!)

Reformistë!

Reifikues!

Zaptoni universitetet

por le ta zëmë sikur e njëjta ide t’i shkonte nëpër mend

të rinjve punëtorë.

Në atë rast: Corriere della Sera dhe Stampa, Newsweek dhe Monde

a do të përkujdeseshin vallë aq shumë

a do të përpiqeshin t’ua kuptonin edhe atyre problemet?

A do të mjaftohej policia me një shkëmbim grushtash

brenda një fabrike të zaptuar?

Po mbi të gjitha, si vallë do mund t’ia lejonte vetes

një punëtor i ri, që të zaptonte një fabrikë

pa vdekur prej urie tre ditë më vonë?

Shkoni pra zaptojini universitetet, të dashur bij

po jepjuani gjysmat e pareve që merrni prej baballarëve, sado pak që të jenë

të rinjve punëtorë, që edhe ata të kenë mundësi të zaptojnë

bashkë me ju, fabrikat e tyre. Më falni.

Ky është një sugjerim banal;

dhe shantazhues. Por mbi të gjitha, i kotë:

sepse ju jeni borgjezë

pra antikomunistë. Punëtorët, ata pra,

kanë mbetur në 1950, në mos po edhe më pas.

Një ide arkeologjike, si ajo e Rezistencës[6]

(e cila që njëzet vite më parë kritikohej

dhe aq më keq për ju nëse ende s’kishit lindur)

gjallon në kraharorët e popullit, në periferi.

Ndoshta ngaqë punëtorët nuk flasin as frëngjisht as anglisht,

dhe vetëm ndonjëri, i mjeri, natën, në celulë

është robtuar për të mësuar pak rusisht.

Boll pra së menduari për të drejtat tuaja

boll e kërkuar pushtetin.

Një borgjez i penduar duhet të heqë dorë prej të gjitha të drejtave të veta,

ta çrrënjosë prej shpirtit të vet, një herë e mirë,

idenë e pushtetit.

Nëse Lama i Madh[7] e di që është ai Lama i Madh

do të thotë se nuk është ai Lama i Madh (Artaud):

pra Mjeshtrat

  • që do e dinë gjithnjë se ata janë Mjeshtra –

nuk do të jenë kurrë Mjeshtra: as Gui[8] as ju

nuk do t’ia dilni kurrë të bëheni Mjeshtra.

Mjeshtra bëhen ata që zaptojnë Fabrikat

jo universitetet: adhuruesit tuaj (qofshin dhe komunistë)

nuk jua thonë të vërtetën banale: që ju jeni thjesht një

specie e re idealistësh apolitikë: si baballarët tuaj

si baballarët tuaj, sërish, të dashur! Ja

amerikanët, bashkëmoshatarët tuaj të adhurueshëm

me lulet e tyre budallaqe, janë duke shpikur

për vete, një gjuhë të re revolucionare!

Po e shpikin ditë për ditë!

Por ju nuk mund ta bëni, sepse në Evropë tashmë ekziston një gjuhë e tillë:

a mund ta injoroni?

Po, ju doni ta injoroni (për kënaqësinë e madhe

të Times-it dhe të Tempo-s).

E injoroni atë gjuhë duke shkuar, me moralizëm provincial

“më majtas”. E çuditshme,

duke braktisur gjuhën revolucionare

të të varfrës, të vjetrës, togliattianes[9], zyrtares

Parti Komuniste,

keni përshtatur për veten tuaj një variant heretik

por të bazuar mbi më të ulëtën idiomë referenciale

tek sociologët pa ideologji.

E duke folur me këtë gjuhë

kërkoni gjithçka, me fjalë

ndërsa me fakte kërkoni vetëm atë që

është brenda të drejtave tuaja (si bij të mirë borgjezë):

pra një sërë reformash që nuk mund të lihen për më vonë

aplikimin e metodave të reja pedagogjike

dhe rinovimin e një organizmi shtetëror. Trima! Ç’ndjenja të shenjta!

Ju ndihmoftë ylli dashamir i borgjezisë!

Të dehur prej fitores kundër çunakëve

të policisë që varfëria i shtrëngon të jenë shërbëtorë,

të dehur prej interesimit të opinionit publik

borgjez (me të cilin ju silleni si gra

të padashuruara, që e injorojnë dhe e keqtrajtojnë

dashnorin e pasur)

lini mënjanë të vetmin mjet me të vërtetë të rrezikshëm

me të cilin mund të luftoni kundër baballarëve tuaj

pra komunizmin.

Shpresoj se e keni kuptuar

që të bësh puritanizma

është një mënyrë për t’ia hequr qafe vetes

bezdinë e një aksioni me të vërtetë revolucionar.

Shkoni pra më mirë, o të çmendur, të sulmoni Federatat!

Shkoni të pushtoni Celulat!

shkoni të zaptoni dyert

e Komitetit Qendror: Shkoni, shkoni

tubohuni tek rruga “Botteghe Oscure”[10]!

Nëse dëshironi pushtetin, atëherë bëhunu pronarë të paktën të pushtetit

të një Partie që megjithatë është opozitë

(edhe pse e drobitur, për shkak të pranisë të zotërinjve

veshur me dopiopet modest, që luajnë boëling, dashnorë të litotës,

borgjezë, bashkëmoshatarë të baballarëve tuaj të shpifur)

dhe ka për synim teorik shkatërrimin e Pushtetit.

Që ajo të vendosë të shkatërrojë, ndërkohë,

atë që ka borgjeze në vetvete,

unë dyshoj shumë, madje dhe po ta mbështesni ju

se, siç po thoja, raca e mirë nuk gënjen…

Megjithatë: PKI-ja të rinjve, dreqi e marrtë!

Por, ej, çfarë po ju sugjeroj? Çfarë po ju

këshilloj? Për ku po ju shtyj?

Pendohem, pendohem!

E humba atë rrugën që çon tek e keqja më e vogël,

që Zoti më mallkoftë. Mos më dëgjoni.

Ej, ej, ej

i kërcënuari që kërcënon,

po i fryja trumpetave të bonsensit.

Por, u ndala në kohë,

duke shpëtuar njëherazi

dualizmin fanatik dhe ambiguitetin…

Por kam mbërritur në zgrip të turpit.

O Zot! që edhe unë të duhet të marr në konsideratë

mundësinë që të rreshtohem krah jush në Luftë Civile

dhe të lë mënjanë idenë time të moçme të Revolucionit?

 

Si shoqërim shpjegues ndaj kësaj poeme të Pasolinit po botojmë edhe disa paragrafë nga një shkrim i Wu Ming 1 (pjesëtar i kolektivit letrar Wu Ming).

 

Policia kundër Pasolinit, Pasolini kundër policisë

Wu Ming 1

“Jemi qartazi dakord kundër institucionit të policisë”.

Burri që në qershor të 1968 shkruante këtë varg tashmë kishte pas krahëve katër arrestime nga policia, 16 denoncime dhe njëmbëdhjetë procese si i paditur, përveç tre sulmeve nga ana e neofashistëve (të gjitha të arkivuara prej gjyqësorit), si dhe një kontroll të apartamentit nga ana e policisë në kërkim të armëve të zjarrit. “Sapo të kem pak kohë” shkruan në disa shënime të pabotuara, “do të publikoj një libër me një duzinë vendimesh gjykate që janë marrë kundër meje: pa asnjë koment. Do jetë një prej librave më komikë të publicistikës italiane. Por tash gjërat nuk janë më komike. Janë tragjike, sepse nuk bëhet më fjalë thjesht për persekutimin e një cjapi që do flijuar (capro espiatorio) […] por bëhet fjalë për një vepër të gjerë, thellësisht të llogaritur, të represionit, së cilës i është përkushtuar me zell pjesa më prapanike e gjyqësorit…”. Dhe vazhdonte: “Kam shpenzuar rreth 15 milion (lira) për avokatë, për t’u mbrojtur në procese absurde dhe tërësisht politike”.

Sot është e vështirë, ndoshta e pamundur, të kuptohet përmasa e persekutimit që pësonte çdo ditë Pasolini, në 15 vjet.

Mes gazetave të përditshme dallohet mbi të gjitha “Il Tempo”, por është shtypi i djathtë ai që e torturonte Pasolinin në mënyrë rrugaçërore dhe të pandërprerë. Botime si “Lo Specchio” dhe “Il Borghese” i jepen këtij misioni me entuziazëm, me reporterë e me kolumnistë që e merrnin si synim shënjestrimin e viktimës, provokimin, goditjen në çdo rast, me tituj si “K…i rreh majtas”, dhe me stilin e pangatërrueshëm që sot është trashëguar nga “Libero”, për të mos përmendur edhe emra të tjerë gazetash.

Në faqet e “Il Borghese” dallohen si publicistë-killer kritiku muzikor Piero Buscaroli dhe autori e regjisori i ardhshëm Pier Francesco Pingitore, themelues i Bagaglino-s[11]. Të tjera sulme vijnë nga shkrimtari Giovannino Guareschi dhe, në një rast, nga kritiku kinematografik Gian Luigi Rondi, por mbretëresha e antipasolinizmit është pa dyshim Gianna Preda, pseudonim i Maria Giovanna Pazzagli Predassi (1922 – 1981), e cila po ashtu ishte bashkëthemeluese e Bagaglino-s.

Ende sot e lëvduar si “zonja e gazetarisë së lirë”, si “jashtë korit”, si “asnjëherë moraliste, as obskurantiste”, e kështu me radhë, Preda ushqente ndaj Pasolinit një obsesion të vërtetë homofobik, seksofobik dhe – vetëkuptohet – ideologjik. Shpesh i referohet shkrimtarit-regjisor duke e quajtur “Pasolina”. Homoseksualët, që i përshkruan si autorë komplotesh të pështira, ajo shpik termin “pasolinidë”. Vazhdon kështu për vite me radhë, dhe shkruan në të njëjtën mënyrë edhe pas vdekjes së tij.

Ekuivalenti i saj tek gazeta “Lo Specchio” ishte shkrimtari Giose Rimanelli, me pseudonimin artistik A.G. Solari. Siç edhe dihet, sulme të çmendura ndaj Pasolinit vinin edhe nga gazeta “Il Secolo d’Italia”, por një punë më subtile dhe më influente për “vrasjen e karakterit” të Pasolinit e ka bërë shtypi popullor nacionalkonservator, revistat si “Oggi” dhe “Gente”.

Ishte një fushatë e gjerë për të justifikuar, apo më mirë, për të nxitur, jo vetëm aksionet policore dhe të gjyqësorit, por edhe aksionet fizike nga ana e fashistëve. Fashistë që nuk janë prekur kurrë prej gjyqësorit, të cilën më pastaj përfunduan të angazhuar në programet për strategjinë e tensionit[12], siç ishin Serafino Di Luia, Flavio Campo dhe Paolo Pecoriello.

Në 13 shkurt 1964, përballë Shtëpisë së Studentëve në Romë, një Fiat 600 u përpoq të shkelte një grup miqsh të Pasolinit që po përpiqeshin ta mbronin këtë të fundit prej një sulmi fashist. Drejtuesi i veturës ishte Adriano Romualdi, nxënës i Julius Evolas, dhe bir i Pinos, deputet dhe kryetar i Movimento Sociale Italiano[13]. Episodi rrëfehet me detaje në të gjitha biografitë e Pasolinit, por mungon në zërin që Ëikipedia i dedikon Romualdit.

Si ka mundësi një persekutim i tillë? Se ishte homoseksual? Mes shkrimtarëve dhe artistëve të kohës dihet që nuk ishte i vetmi, as nuk ishte kjo gjë e rrallë për kohën. Sepse ishte homoseksual dhe komunist? Po, por as kjo nuk mjafton. Sepse ishte homoseksual, komunist, dhe shprehej pa asnjë nënkuptim kundër borgjezisë, qeverisë, demokracisë kristiane, fashistëve, gjyqësorit dhe policisë? Po, kjo mjafton. Do të mjaftonte kudo, e sigurisht edhe në Itali, në atë farë Italie.

Pasolini, ka shkruar Alberto Moravia, skandalizonte atë “borgjezi italiane që brenda katër shekujsh ka krijuar dy lëvizjet më të rëndësishme konservatore të Evropës, pra kundërreformën dhe fashizmin”.

Borgjezia italiane u hakmorr, dhe në mënyra më të fshehura, vazhdon të hakmerret. Mashtrimi se “Pasolini ishte me policinë”, që përsëritet sot nga fashistët, nga buonistët e nga antikonformistët e rremë, është vazhdim i revanshit të fashistëve, buonistëve dhe e antikonformistëve të rremë të djeshëm.

Edhe apologjia post-mortem e një Pasolini të thjeshtëzuar, të sheshuar, të lustruar e të reduktuar në një shenjt, është pjesë e këtij revanshi.

Ky është kuptimi i fjalëve “qartazi dakord” që i përdor Pasolini për të theksuar një premisë të rëndësishme për të. Është qartazi e kuptueshme se Pasolini ishte kundër institucionit të policisë.

Por edhe më i qartë është vargu pasardhës, “provoni të kapeni me gjyqësorin”.

Pasolini i përshkruan policët që u ballafaquan me studentët në Valle Giulia si njerëz të poshtëruar prej humbjes së cilësisë së njeriut në këmbim të asaj të policit. Institucioni i policisë të çnjerëzon. Për këtë studentët – jo borgjezët që janë shumica e tyre, por ata një a dy mijë vëllezër të mitë që veprojnë në Trento a Torino, në Pavia a në Piza, në Firence dhe pak edhe në Romë – janë gjithsesi në anën e arsyes, dhe policia në anën e fajit. Nëse nuk kuptohet kjo pjesë e poemës së Pasolinit, nuk kuptohet as qëllimi i përdorimit të paradoksit në këtë poemë. Paradoksi i shërben për të theksuar se revolucionin e vërtetë nuk do ta bëjnë kurrë studentët, sepse janë bij borgjezësh. Maksimumi që ata mund të bëjnë është një “luftë civile”, në këtë rast një luftë brezash, përbrenda borgjezisë. Revolucioni, thotë Pasolini, mund të bëhet vetëm nga punëtorët, të cilëve shtypi i madh borgjez nuk do ua lëpijë kurrë bythën siç bën – në hiperbolën pasoliniane – me studentët. Pra pikërisht atje duhet të jenë studentët nëse duan të jenë revolucionarë: te punëtorët. Por mbi të gjitha, studentët duhet të marrin në dorë të vetmin mjet me të vërtetë të rrezikshëm për të luftuar baballarët e tyre, pra komunizmin. Pasolini i ftonte të merrnin në kontroll PKI-në, partinë që ka si “objektiv teorik” rrënimin e pushtetit.

Kjo pjesë, e cila është gjysma e dytë e poezisë, nuk citohet kurrë nga askush.

E di, po të merren mendtë. Të kishin thënë se Pasolini fliste mirë për represionin policor. Ke dëgjuar vargje të kësaj poezie të cituar nga zyrtarë publikë që kërkonin dënime të rënda për protestues të ndryshëm. I ke dëgjuar nga gazetarë të gazetave të djathta e populiste. I ke lexuar në komunikata të policisë…

Në gusht 1968 dy muaj pas polemikave që provokoi poema “PKI-ja të rinjve” Pasolini mori pjesë në protestat kundër ekspozitës së artit kinematografik në Venecia (Festivali i Venecias), ku mori pjesë edhe në zaptimin e pallatit të kinemasë në Lido, dhe pësoi dhunën policore bashkë me protestuesit e tjerë. Po ashtu, mori të kushedisatën padi gjyqësore. Ai u çua në gjyq bashkë me regjisorë të tjerë me akuzën “pengesë e procesit paqësor të pronësimit të sendeve të paluajtshme”. U shpall i pafajshëm një vit më vonë.

Por për të kërkuar – dhe shpesh për të arritur – sekuestrimin e veprave të Pasolinit, ata që vepruan ishin në radhë të parë anëtarë të forcave të rendit.

Dy muaj më vonë, në numrin 52 të 21 dhjetorit 1968, Pasolini komenton të kushedisatën dhunë nga ana e policisë – të shtënat me breshëri kundër protestuesve në Siçili – dhe mbështet propozimin e bërë nga PKI-ja që ende nuk kishte filluar të mbështeste ligjet speciale, që të çarmatoset policia:

“Të çarmatoset policia do të thotë në fakt të krijosh kushtet obektive për një ndryshim të menjëhershëm të psikologjisë së policit. Një polic i çarmatosur është një polic tjetër. Menjëherë do të rrëzohej brenda tij ideja e rrejshme për veten që ia ka dhënë pushteti, i cili e ka mësuar të jetë robot”.

Në mars 1971, për dy muaj, Pasolini pranoi të bëhej kryeredaktor i gazetës “Lotta Continua” ( i një grupi të konsideruar ekstremist nga pushteti asokohe), duke marrë përsipër rrezikun që të hetohej, të çohej në gjyq dhe të dënohej për vetë përmbajtjen e gazetës. Gjë që në fakt ndodhi në tetor të të njëjtit vit, me akuzën “për nxitje të ushtarakëve që të mos i binden ligjeve…, për ushtrimin e propagandës kundërkushtetuese, për sabotimin e rendit ekonomik dhe social të kushtetuar prej shtetit, si dhe për prirjen publike për të kryer krime”. Kodi penal parashikonte dënimin maksimal me 15 vjet heqje lirie. Si dëshmitarë dalin oficerë, nënoficerë dhe agjentë të policisë e të karabinierëve.

Pas këtij procesi gjyqësor, pa marrë parasysh fare prezumimin e pafajësisë, RAI bllokoi transmetimin e programit të Enzo Biagit, ku intervistonte Pasolinin. Sot ajo është një prej shfaqjeve më të famshme televizive të Pasolinit, por shumë nuk e dinë që ai emision u censurua, dhe u transmetua vetëm pas vdekjes së Pasolinit, pesë vjet pasi ishte regjistruar.

Ndërkohë policia dhe forcat e rendit ishin në rreshtin e parë për të kërkuar ndalimin e veprave të Pasolinit. Në Bari, kryekomandantja e policisë sinjalizonte për turpin pështirosës të filmit “Decameron”. Në Ankona, kundër të njëjtit film ngre një padi kryeinspektori i pyjeve.

Por edhe pse u përpoqën, Pasolini nuk u tremb kurrë. Ai regjistroi bashkë me kolektivin kinematografik të Lotta Continua një dokumentar hulumtues mbi shpërthimet në Piazza Fontana, ku u vranë 17 veta dhe u plagosën 88 (këto shpërthime terroriste më vonë u zbulua se ishin vepër e organizatave të ekstremit të djathtë të cilat synonin që përmes këtyre veprimeve të nxisnin ashpërsimin e politikave policore dhe vendosjen e shtetit autoritar).

E në 1973, kur i kishte ndërprerë bashkëpunimet me “Lotta Continua” Pasolini deklaronte: “Djemtë e “Lotta Continua” thuhet se janë ekstremistë, ndoshta fanatikë, dhe sigurisht që nga këndvështrimi kulturor janë të ashpër, po së paku ata e tërheqin litarin, dhe më duket se pikërisht për këtë meritojnë të mbështeten. Duhet kërkuar shumë për të arritur pak”.

 

[1] Partia Komuniste Italiane

[2] Një ngjarje në Romë, në mars të 1968, ku lëvizje studentore të së majtës e të së djathtës u përleshën me policinë në përpjekje për të zaptuar fakultetin e arkitekturës pasi zaptuan atë të jurisprudencës dhe letërsisë.

[3] Pasolini e ka fjalën për studentët kryesisht komunistë që vinin nga klasat e ulëta dhe punëtore, të cilët në atë kohë ishin një pakicë në universitetet italiane, sidomos në Romë, ku studionin studentët e familjeve “të mira”, kryesisht borgjeze.

[4] Referencë traditës sokratike.

[5] Shkolla e Barbianas ishte një eksperiment pedagogjik i zhvilluar në vitet 1950 në Itali, por tepër i debatuar në vitet 1960. Kjo shkollë ishte në fakt një komunitet ku fëmijë e të rinj të shtresave të varfra e punëtore merrnin mësimin që nuk ua lejonte arsimi publik. Oraret e shkollës ishin të papërcaktuara, ato iu përshtateshin punëve të nxënësve në ara e në fabrika. Shkolla nuk kishte nota, dhe kishet një sistem barazitar të mësimdhënies. Ajo ishte e themeluar prej një kleriku katolik, megjithatë nuk e pati mbështetjen e kishës. Ajo u kritikua si “komuniste” dhe për përhapjen e frymës anti-borgjeze.

[6] Lëvizja popullore partizane, antifashiste dhe me frymë të majtë, e cila u ndërtua gjatë Luftës II Botërore në disa vende të Evropës, dhe vijoi të informojë politikën, sidomos partitë e majta, edhe në vitet e pasluftës.

[7] Lider shpirtëror, kleriku kryesor i budizmit tibetan.

[8] Ministri i arsimit në Itali në vitin 1968, demokristian, ish-partizan, i konsideruar një prej baballarëve të Republikës Italiane. Më vonë i përfshirë në disa skandale korruptive, ndër të cilat më i famshmi ai që u krijua rreth korporatës amerikane Lockeed, e cila “bindi” disa qeveri evropiane të blinte avionë ushtarakë prej saj.

[9] Palmiro Togliatti, udhëheqës i Partisë Komuniste Italiane prej vitit 1927 deri në 1964, kur vdiq.

[10] Adresa e dikurshme e Partisë Komuniste Italiane

[11] Shoqëri teatrore komike në Romë, në kabaretë e së cilës kryesisht satirizohet politika dhe skandalet.

[12] Në disa vende të Evropës Perëndimore u përdor prej pushtetit një strategji e mbështetjes fshehurazi me para dhe me armë e grupeve fashiste e neofashiste, me qëllim shkatërrimin e partive dhe lëvizjeve të majta, në kuadër të Luftës së Ftohtë.

[13] Lëvizje politike neofashiste në Itali.

  1. proArt CHANNEL ONE, VUAJTJA? E TMERRSHME E VESHIT,KUR VESHI I THOTW GOJWS,FALENDEROJ BOUTIQUE JAGUAR,QW MW VESHI KAQ BUKUR

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: