(Burreci dhe Ylli i Bukur)
Në det, në Biscayne, shpon drita
E smeraldit të ri, yllit të mbrëmjes –
E mirë dritë për të dehur, poetë, vejanë
Dhe për vajza që shumë shpejt do martohen.
Nën dritën e tij peshqit e kripur
Harkohen nëpër det si degë pemësh
Tek shkojnë nëpër shumë drejtime
Lart e poshtë.
Kjo dritë udhëheq
Mendimet e të dehurve, ndjenjat
E vejanëve dhe ato të vajzave që dridhen,
Dhe lëvizjen e peshqve.
Aq shumë lumturohet ekzistenca
Prej këtij smeraldi që i josh filozofët
Aq sa zbrazen prej mendimi e duan
T’i lajnë zemrat nën dritën e hënës së vonë,
Duke ditur se mendimin mund ta rikthejnë sërish
Në natën që ende duhet të jetë e heshtur,
Duke reflektuar mbi këtë apo atë gjë,
Para se të flenë.
Është më mirë që ata, si shkollarë
Të mendojnë më fort, nëpër mëngët e errëta
Të mantelëve të stërmëdhenj
Dhe t’i rruajnë kokat e trupat.
Se ndoshta mund të qëllojë që e dashura e tyre
Të mos jetë ndonjë fantazmë e trishtë ikanake.
Se ajo mund të jetë, fundi i fundit, një trill,
Plotësisht e bukur, epshore.
Pjellore,
Prej qenies së saj me dritë ylli, në bregdet
E mira më thelbësore për të cilën rravgojnë
Mund të vijë si më e thjeshta e folur.
Është një dritë e mirë, pra, për ata
Që njohin më të fundmin Platon,
E që qetësojnë me këtë xhevahir
Torturat e konfuzionit.
Wallace Stevens