Arber Zaimi

Mbi mënyrën se si ndërtohen veprat afatgjata

In Përkthime, Vjersha on 22 Janar, 2016 at 15:17
Artisti i dëshpëruar përballë përmasave të rrënojave antike - Johann Heinrich Fuseli

Artisti i dëshpëruar përballë përmasave të rrënojave antike – Johann Heinrich Fuseli

I

1

Sa kohë

Zgjasin veprat? Për aq kohë

Sa nuk janë të përfunduara.

Sepse për sa kohë që ende kërkojnë punë

Nuk rrënohen.

 

Duke grishur për më shumë punë

Duke shpërblyer pjesëmarrjen

Dhe qenia e tyre zgjat për aq kohë

Sa ende të jenë grishëse e shpërblyese.

 

Veprat e nevojshme

Grishin popullin

Veprat artistike

Lypin art

Veprat e urta

Kërkojnë dije

E ato që janë gatuar për të qenë të plota

Tregojnë mangësi

 

Jetëgjatat

Janë gjithnjë pranë rrëzimit

Ato që janë planifikuar në një shkallë të stërmadhe

Janë të papërfunduara.

Ende të pakryera

Si një mur që pret ta mbulojnë dredhkat

(Që ishte dikur i papërfunduar

Kohë më parë, para se të mbinin dredhkat; i zhveshur).

 

Megjithatë jetëshkurtrat

Porsi ato makinat që përdoren

Edhe pse s’janë shumë të mira

Ama premtojnë për një model të ri, të përmirësuar

Ashtu dhe vepra që të zgjasë duhet

Ndërtuar si

Një makinë plot mangësi.

2.

Kështu dhe lojërat që shpikim

Shpresojmë të jenë të pambaruara;

Dhe sendet që përdorim gjatë lojës

E ç’janë ato vallë po të mos kishin gërvishtjet

Prej shumë gishtave, ato pjesë që duken të dëmtuara

Të cilat prodhojnë vetë fisnikërinë e formës;

Po ashtu edhe fjalët të cilave

Kuptimi shumë shpesh iu ndryshoi

Me ndërrimin e folësve.

3.

Mos shko kurrë përpara pa shkuar

Fillimisht pas që të kontrollosh drejtimin.

Ata që të bëjnë pyetje janë ata

Të cilëve do u përgjigjesh, por

Ata që të dëgjojnë janë

Ata që më vonë do të të pyesin.

 

Kush do të flasë?

Ai që nuk ka folur ende.

Kush do të hyjë?

Ai që ende nuk ka hyrë.

 

Ata pozita e të cilëve duket e parëndësishme

Kur dikush u hedh sytë

Janë

Të fuqishmit e të nesërmes

Ata që kanë nevojë për ty

Do të jenë në pushtet.

 

Kush i jep jetëgjatësi veprave?

Ata që do të jenë gjallë në atë kohë.

Cilët duhen përzgjedhur si ndërtues?

Ata që ende s’kanë lindur.

 

Mos pyet se si do të jenë ata. Por

Përcaktoje.

 

II

Nëse mund të thuhet diçka e cila nuk kuptohet atypëraty

Nëse mund të jepet një këshillë e cila kërkon kohë të gjatë të përmbushet

Nëse njeriu i trembet sëmundjes në të ardhmen, apo

Këmbëngulësisë së armikut, apo kataklizmave që rrënojnë gjithçka

Atëherë veprat duhet të jenë afatgjata.

 

III

Dëshira për të bërë vepra afatgjata

Nuk duhet mirëpritur gjithnjë

 

Ai që i drejtohet të palindurve ende

Shpesh nuk bën asgjë për lindjen e tyre.

Ai nuk lufton, megjithatë dëshiron të fitojë.

Ai nuk sheh asnjë armik

Përveç harresës.

 

Pse duhet të zgjasë përgjithnjë secila fitore?

Një shprehje e mirë ia vlen të vihet në dukje

Vetëm për aq kohë sa mund të rindodhë rasti

Për të cilin ajo qe e mirë.

Disa përvoja pasi marrin formën e përkryer

E pasurojnë njerëzimin

Por pasuria mund të bëhet e tepërt.

Jo vetëm përvojat

Por edhe grumbullimi i tyre mund ta plakë njeriun.

 

Pra dëshira për të bërë vepra afatgjata

Nuk duhet mirëpritur gjithnjë.

 

Bertolt Brecht

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: