Arber Zaimi

Archive for Janar, 2016|Monthly archive page

Sa i përket pranverës

In Përkthime, Vjersha on 13 Janar, 2016 at 15:36
James Gwynne - Lindje e diellit me smog e me shtyllë telefoni, 1989

James Gwynne – Lindje e diellit me smog e me shtyllë telefoni, 1989

Shumë kohë më parë

Se të zhyteshim në naftë, çelik e amoniak

Secilin vit ndodhte

Një kohë kur drunjtë gjethonin dhunshëm e pandalshëm

Të gjithë i mbajmë mend

Ditët që zgjateshin

Qiellin më të kthjellët

Ndërrimin e ajrit

Pranverën që afrohej me hapa të sigurt.

Ende lexojmë nëpër libra

Për këtë stinë kaq të festuar

Megjithatë tash e një kohë të gjatë

Asnjëri s’i ka parë më përmbi qytetet tona

Trumat e famshme të zogjve.

Pranvera dallohet, më së pari

Prej njerëzve që ulen në tren pranë dritares.

Fushat e tregojnë

Në qartësinë e saj të moçme.

E lart mbi ne, me të vërtetë

Duket se ka stuhi:

Por gjithë ç’prekin ato kësokohe

Janë antenat.

 

Bertolt Brecht

Reklama

Të kuptuarit

In Përkthime, Vjersha on 13 Janar, 2016 at 14:35

 

Michael Wolf - Night#7, 2005

Michael Wolf – Night#7, 2005

Mund të të dëgjoj tek thua:

Ky flet për Amerikën

Ky nuk merr vesh asgjë nga Amerika

Ky kurrë nuk ka qenë atje.

Por, besomë

Ti më kupton tërësisht kur unë flas për Amerikën

Dhe gjëja më e mirë e Amerikës është

Se e kuptojmë.

 

Një pllakë guri asiriane

Mund të jetë diçka që e kupton veç ti

(muhabet i vdekur, sigurisht)

Po a nuk duhet të mësojmë prej njerëzve

Që e kanë kuptuar se si

Ta bëjnë veten të kuptueshme?

Ty, zotnia im i dashur

Nuk të kupton askush

Por kushdo e kupton Nju Jorkun.

Po të them:

Këta njerëz e kuptojnë se ç’po bëjnë

Pra, janë të kuptueshëm.

 

Bertolt Brecht