Arber Zaimi

Archive for Shkurt, 2016|Monthly archive page

Psalmi numër 9

In Përkthime, Vjersha on 27 Shkurt, 2016 at 22:14
John Duncan - Deirdre of the sorrows

John Duncan – Deirdre of the sorrows

O trëndafil i pambërritshëm prej kohës e prej ndjenjave

o puthje e mbështjellë në shaje thurur erërash

shtangmë me një ëndërr

mandej marria ime do të tërhiqet që prej teje.

Duke u tërhequr prej teje

për të t’u avitur

unë zbulova kohën.

Duke t’u avitur

për t’u tërhequr prej teje

unë zbulova ndjenjat e mia.

Mes avitjes dhe tërheqjes

është një gur i madh sa një ëndërr.

Ai nuk avitet.

Ai nuk tërhiqet.

Ti je vendi im.

Një gur nuk është ajo çka unë jam

ndaj nuk më pëlqen të rri përballë qiellit

as nuk shtrihem përtokë

por jam i huaj, gjithnjë i huaj.

 

Mahmood Darwish

Advertisements

Buka e popullit

In Përkthime, Vjersha on 14 Shkurt, 2016 at 17:17
E. Kozlov - Pjekja e bukës, 1967

E. Kozlov – Pjekja e bukës, 1967

Drejtësia është buka e popullit.

Ndonjëherë është e bollshme, ndonjëherë mungon.

Ndonjëherë ka shije të mirë, ndonjëherë shije të keqe.

Kur buka mungon, nis uria.

Kur buka është e keqe, nis mllefi.

 

Hidhe tej drejtësinë e keqe

Të pjekur pa dashuri, gatuar pa dije!

Drejtësi pa aromë, me një kore të murrme

Drejtësia bajate, që vjen tepër vonë!

 

Nëse buka është e mirë dhe e bollshme

Pjesa tjetër e ushqimit mund të mos vihet re.

Askush s’mund të ketë shumë nga të gjitha menjëherë.

Ushqyer me bukën e drejtësisë

Mund të rritet puna

Prej së cilës vjen bollëku.

 

Siç nevojitet buka e përditshme

Ashtu edhe drejtësia.

Madje nevojitet disa herë në ditë.

 

Prej mëngjesit e gjer në mbrëmje, në punë, në gëzim

Në punën që është edhe gëzim

Në kohë të vështira dhe në kohë të lumtura

Populli kërkon të bollshmen, të ushqyeshmen

Bukë të përditshme të drejtësisë.

 

Po meqë buka e drejtësisë pra na qenka kaq e rëndësishme

Kush, o miq, do të duhet ta pjekë?

 

Kush i pjek bukët e tjera?

 

Si bukët e tjera

Buka e drejtësisë duhet të piqet

Nga populli

 

E bollshme, e ushqyeshme, përditë.

 

Bertolt Brecht

Aktorit P.L. në ekzil

In Përkthime, Vjersha on 14 Shkurt, 2016 at 16:22
Peter Lorre

Peter Lorre

Dëgjo, po të thërrasim të vish. Dikur i përzënë

Tash duhet të kthehesh. Në vendin

Jashtë të cilit të nxorën dikur rridhte

Qumështi e mjalti. Tash po thirresh që të kthehesh

Në një vend që është shkatërruar.

Dhe s’kemi asgjë më tepër

Të të japim, veç faktit që ti nevojitesh.

 

I varfër a i pasur

I sëmurë a i shëndoshë

Harro gjithçka

Dhe eja.

 

Bertolt Brecht