Arber Zaimi

agimi që shkoi

In Vjersha on 15 Mars, 2016 at 18:20
Eileen Agar - Dy të dashuruar, 1931

Eileen Agar – Dy të dashuruar, 1931

faqja e argjendtë e hënës ndriçon agimin e ftohtë

e një qiell largimtar shëmton ikjen e natës

unë që rrejshëm të josha buzë lumit të dalësh

rrija shtrirë në cep të dritës së hënës së plotë

 

lëkura e bardhë ish përskuqur rrahur erës së jugut

trupat çoheshin zhurmshëm në kët’orë herake

si imazh i përcjellë nga natyra në piktura abstrakte

mendtë e çarë nëpër brazda sikur toka prej plugut

 

terrin, shiun e erën lër jashtë vetes të dalin

palëvizjen e ngrirë të kësaj kodre të zhveshur

nën kët’qiell të natës: mendimet e bardha të zemrës

i ngjajnë një pacienti të veshur me përparëse spitali

 

me dëshirë për jetën, me sy që shohin veç dritë e qartësi

që nuk na lë të shohim asgjë që rri nën ujin e kohës

pra as të ardhmen as të shkuarën as momentin mosnjohës

të ndërmjetshmin, të çjerrin, a shpërndarjen e tij.

 

heshtja nuk lëviz, kjo gjë ndodh kaq ashpër e rrallë

me kaq zhurmë, sa dashuria që zbehet në cektësi

mund të ngjajë si e fortë; por buzëqeshjet dinë të fshehin

idiotësinë, sa më shumë që ecet, aq më pak po ka mall.

 

prej vdekjes në lindje, siç nuk bëjnë të dashuruarit

pra gjithë rruga e natës e pamundur për zjarrin

dashnorët që nuk dinë e nuk duan; që marrin

vendime të lumtura mes të fjeturit e të munguarit

 

përgjumjes e butësisë që përkundet e mpirë dhe e qetë

mbi çarçafët e natës që s’dëshiron të zgjohet

para se të dalë dielli i sinqertë që askënd s’sheh në sy

që ia heq të gjithëve prangat e në pranga bie vetë

 

të mosveprimeve tona, ky bishtnim bashkëkohor që filloi

pa habi e pa dhimbje, shkëputur prej çdo lloj mistike

ku demonët e seksit urdhërojnë fjalitë

mes ndërtesave qiellore në agimin që shkoi

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: